Partizanit nuk do t’i duhet më të udhëtojë drejt Elbasanit për të luajtur ndeshjet pritëse pasi sot, kryetari i bashkisë së Tiranës i ka dhënë zgjidhje këtij problemi. Të mbledhur për të diskutuar çështjen e stadiumit me protagonist Erion Veliaj, i cili ftoi dy personazhet kryesore të kësaj çështje, Refik Halilin dhe Gaz Demin për të diskutuar, u vendos me marrëveshje që klubi i kuq ndeshjet pritëse të gjysmës së dytë të kampionatit do t’i zhvilloj në “Selman Stërmasi”, pas më shumë se 6-të muajve në mërgim.

Kjo nuk ishte hera e parë që Partizani bënte një kërkesë të tillë, por është dashur ndërhyrja e kryetarit të bashkisë për të gjetur kompromisin.

Në fakt çështja e stadiumit ishte mjaft e komplikuar pasi ai është në përdorim nga KF Tirana, e cila e kishte marrë me konçension nga bashkia, por kjo e fundit e ka në pronësi atë. Prej shumë vitesh, siç e deklaronte vetë ajo, bashkia nuk kishte derdhur asnjë qindarkë për mbarvajtjen e “Selman Stërmasit”, por sot, Refik Halili, numri 1 i KF Tiranës, ka marrë premtimin se në vitet në vazhdim bashkia do të derdhë fonde për impiantin e kryeqytetit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb