Edhe deputeti socialist Vladimir Kosta duket se do t’i bashkohet Partisë Agrare Ambientaliste. “Panorama” mëson se ai ka kërkuar të bëhet pjesë e saj, ndërsa ka postuar në Facebook një vlerësim për Konventën Kombëtare të PAA-­së. “Një pjesëmarrje e gjerë dhe dinjitoze në konventën Vl të PAA-­së”, shkruan Kosta.

Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, muaj më parë ka deklaruar divorcin e tij nga Partia Socialiste, duke denoncuar raste influencash financiare dhe korruptive. Por Partia Agrare Ambientaliste duket se ka marrë profilin e një partie të qendrës, ndërsa asaj i janë bashkuar figura nga e majta dhe e djathta. Sekretari i Përgjithshëm i PAA-­së, Genc Juka, ish­deputet i Partisë Demokratike, është rikonfirmuar në këtë post. Po ashtu, Thoma Miço nga PBDNJ dhe Uran Metko nga Partia e Ballit Kombëtar, i janë bashkuar kësaj partie.

Dy ish-­deputetët socialistë, Marko Bello dhe Gazmir Bizhga, i janë bashkuar PAA-së që kur Agron Duka mori drejtimin e saj. Konventa zgjodhi Bellon sekretar politik të PAA­-së, ndërsa Bizhga sekretar organizativ. Vetë kryetari i saj, Agron Duka, gjatë fjalës së tij tha se ata që kanë vendosur që të bëhen pjesë e saj, nuk kanë kërkuar poste drejtuese.

“Jemi këtu të bashkuar dhe të fortë pa sindromën e posteve drejtuese, larg egoizmave dhe interesave mikro­politike, të mbushur me dëshirë dhe besim në fitoren e kauzës sonë. Brenda një kohe të shkurtër kemi ideuar një platformë të bashkëpunimit qytetar, për të kërkuar kthimin e dinjitetit të tyre dhe për të ngjallur shpresën te ju se ky vend mund dhe do të bëhet! Kontributi që japim mund të jetë modest në këtë projekt të ri, në këtë nismë të mbarë, por kauza jonë është e madhe, sepse e tillë është rëndësia që ka bujqësia, prodhimi, ambienti, ku ne të gjithë jetojmë dhe meritojmë një jetë më të mirë”, tha Duka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: