Atmosfera pas ndeshjes te skuadra e Partizanit nuk ka qenë ndër më të qetat e mundshme. Kjo kuptohej qartë nga fakti se trajneri Mark Iuliano është futur për rreth 30 minuta në dhomat e zhveshjeve të stadiumit të Korçës, duke bërë një mbledhje dhe sipas asaj që deklaroi për “SuperSport” pas saj, i ka pyetur lojtarët nëse kishin dyshime te puna që po bënte ai.

Për paraqitjen në ndeshje
“Kjo e sotmja ishte një ndeshje e shëmtuar se kishim ardhur me dëshirën për të bërë një paraqitje të mirë, për t’u paraqitur mirë e bërë rezultat. Para gjetëm një skuadër që na vuri në vështirësi. Në një moment ishim më mirë në fushë, bëmë disa lëvizje të mira, por nuk bëmë të gjithë atë për të cilën punuam. Është mëkat që treguam këtë para tifozëve e presidentit dhe shpresojmë që të mos bëjmë më një paraqitje të tillë”.

Për formën e keqe që po kalon skuadra
“Ajo e Laçit ishte një gabim rrugëtimi, me Kukësin bëmë një ndeshje të mirë. Sot prisnim një paraqitje të ndryshme. Të ndryshme se disa lojtarë nuk janë ende në kondicionin e duhur fizik, nuk zhvillojmë atë për të cilën punojmë çdo ditë. Por nuk mund të braktisim këtë projekt të rëndësishëm, do të mundohemi të çojnë në formë lojtarët më të mirë dhe të arrijmë rezultate”.

Për zëvendësimet që nuk sollën ndryshim në lojën e ekipit
“Lëvizjet ishin taktike, pashë që lojtarët po binin në cilësi dhe Skënderbeu po ngjitej në fushë. Bëra zëvendësime që duhej t’i jepnin energji skuadrës, por nuk ishte se pësuam golin prej tyre”.

Për lojtarët që nuk po japin atë që pritet nga ata
“Ajo që shihni është e drejtë, që duhet të bëjnë më shumë. Djemtë janë të tensionuar se duan të tregojnë se dinë të bëjnë shumë gjëra, i kam parë të bllokuar. Por kjo vjen se duan të tregojnë se çfarë dinë të bëjnë dhe nuk është e lehtë me tensionin e ndeshjes”.

Për mungesën e shpirtit luftarak në radhët e ekipit
“Është e lehtë të flasësh për shpirtin e duhur. Kam folur edhe tani, u thash nëse ka diçka që nuk shkon, nëse ka ndodhur ndonjë gjë. Ia kërkova unë, ia kërkoi edhe klubi. Djemtë kanë dëshirë për të punuar, ndoshta nuk jemi ende gati të tregojmë se çfarë skuadre është Partizani dhe kjo me siguri i ka vënë në vështirësi. Janë djemtë që duan të japin përgjigje, kur këmbët të jenë siç duhet, do të tregojmë shpirtin që duhet”.

Nëse e sheh veten në diskutim pas këtyre ndeshjeve
“Trajneri mundohet që të çojë lojtarët të bëjnë më të mirën, sidomos që të besojnë te ajo që bën. Nuk është e lehtë, sot është e lehtë të flasësh e kritikosh, është normale kur rezultatet nuk vijnë. Shpresoj që t’i bëj të ndryshojnë mendim të gjithë ata që po kritikojnë tani”.

Çfarë u tha lojtarëve në mbledhje
“Është logjike se duhet të përballohet situata me lojtarët pas paraqitjeve të tilla, se cilat janë arsyet e një paraqitje të tillë. Është nervozizmi, dëshira për të treguar çfarë kanë mësuar. Nuk është e lehtë, se ndoshta këmbët nuk i lejojnë edhe falë punës së madhe që kanë bërë, pak kanë punuar në mënyrën tonë.

U kërkova të dija nëse kishin dyshime nëse po bënin gjërat e duhura. Ata duan të vazhdojmë, të gjejnë formën pasi janë lojtarë që nuk janë në kushtet e duhura për të dhënë maksimumin. Po kërkojmë një mënyrë për të treguar nivelin tonë, Në futboll ka pak durim dhe do të mundohemi ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur këtë”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: