NGA BRIKENA METAJ*

Lazarati ose “toka e premtuar”, është një histori që duket se i përket të shkuarës. Dikur të jetoje në Lazarat do të thoshte më shumë të ardhura, një jetë e mirë. Kanë qenë jo të paktë ata që u vendosën në këtë fshat duke e mbipopulluar atë. Por sot, situata është krejt ndryshe. Në fshatin dikur të padepërtueshëm, të mbushur me shtëpi të mëdha moderne e makina luksoze, të gjitha këto kanë mbetur pas.

Lazarati nuk është më ai i pari. Fshatit rebel, i janë shembur muret. Vetëm dy vite më parë ai ishte i mbipopulluar. Banorët vendas dhe të ardhurit nga rrethe të ndryshme të vendit, siguronin të ardhura të majme nga kultivimi i hashashit. Në atë kohë të binin në sy vilat dhe makinat luksoze, ndërsa në fshat gëlonin punëtorët me mëditje. Tani ai po braktiset dita-ditës.

Pas superaksionit antidrogë të Policisë së Shtetit në Lazarat, një numër i konsiderueshëm i banorëve kanë ikur në emigracion, kryesisht në Gjermani dhe në Kanada. Kjo për shkak të varfërisë dhe të papunësisë së madhe. Prej muajsh patrullat e policisë të pozicionuara në hyrje të fshatit, janë larguar. Ne ecim të qetë në rrugën kryesore pa hasur në asnjë pengesë, pa hasur në asnjë kundërshti. Kudo mbizotëron heshtja. Dikur, pika më e gjelbër në hartën e Shqipërisë dhe jo vetëm…, sot gjithçka është ndryshe. Fshati është i zhveshur dhe syri të sheh më së shumti toka djerrë ku ende ruhen gjurmët e gropave, ku dikur mbillej hashashi.

Ndërsa ecim rrugicave të Lazaratit, fshatit që herë pas here kthehet në vëmendjen e publikut, kërkojmë të shohim e të prekim nga afër se si jetojnë banorët. Por, për gazetarët nuk është e lehtë, pasi ndaj tyre lazaratasit vazhdojnë të kenë një armiqësi të trashëguar ndër vite. Krejt e kundërta ndodh, nëse je thjesht dikush që kërkon t’i takojë. Ata tregohen shumë mikpritës dhe bujarë. E ndërsa i pyesim për përditshmërinë e tyre, banorët përgjigjen të revoltuar se po jetojnë në skamje.

Pronarët e dyqaneve të fshatit të hapin blloqet me emrat e shumtë të borxhlinjve. “Rreth gjysma e atyre që kanë mbetur në fshat e kanë emrin në këto fletore”, pohojnë ata.

Pas vendosjes së rendit e ligjit, një numër i konsiderueshëm i banorëve të Lazaratit janë zhvendosur me banim në Tiranë, ndërsa të tjerë kanë ikur në emigracion. Para operacionit antidrogë, të qershorit 2014, Komuna e Lazaratit numëronte rreth 4500 banorë, ndërsa aktualisht numëron 3470 banorë (820 familje). Mësohet se 20 familje janë shpërngulur me gjendje civile dhe mbi 100 banorë janë larguar në Greqi, Kanada dhe Gjermani. Numri nuk është i saktë, pasi një pjesë e të larguarve rezultojnë ende të regjistruar në gjendjen civile. Sipas banorëve, fshati po tkurret dita-ditës dhe tashmë nuk të ofron asgjë, veç varfërisë e pamundësisë për të punuar.

Tingëllon disi çuditshëm të flitet sot në këtë mënyrë për Lazaratin, fshatin që për vite ka qenë kryefjalë e kronikave televizive e qe ende risillet si e tillë. “Toka e premtuar” i ka tharë frytet e veta të dikurshme. E siç thonë vetë banorët, janë po aq të varfër e në skamje sa çdo fshat tjetër në Shqipëri. E për më tepër i harrur nga shteti. A u përdor Lazarati për vite me radhë gati në mitizim, si shteti brenda shtetit, që mezi ç’pritej  të shpartallohej, e për këtë të merreshin meritat? Një pyetje që për banorët lazaratas ka një përgjigje të thjeshtë. Po! Por a u zhduk “Lazarati”, që më së shumti simbolizonte “kultivimin e drogës” se sa një emërtim vendi? Edhe kjo pyetje lë pas shumë hamendësime. Mes tyre atë të një “Lazarati”, që nuk lidhet me vendndodhjen, se sa me një dukuri që mund të zhvendoset kudo, apo më mirë të lulëzojë kudo. Ndoshta të krijohen shumë Lazarate, e që të vënë në vështirësi shumë më të mëdha ata që kërkojnë të marrin merita e bëjnë sërish luftën e madhe. Në fund të këtij vëzhgimi apo takimi tonin më banorët na lënë të kuptojmë se ata ndryshe nga dikur, e duan shtetin të jetë i pranishëm në Lazarat.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: