*Rektori Koni: Fituesit të regjistrohen në një degë brenda afatit, ndryshe iu digjet e drejta

TIRANË- Pas protestës së maturantëve përpara kryeministrisë, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla sqaron maturantët që u ngritën sot në protesta dhe fajësuan sistemin e ri të përzgjedhjes në universitet, se i ka penalizuar ndonëse kishin rezultate të larta.

“Kriteret e pranimit në universitet janë bërë të qarta që në shkurt e më pas i gjithë procesi i rankimit. Të dashur maturantë, kemi ndjekur me vëmendje shqetësimet tuaja legjitime, ajo që kemi bërë është të largojmë politikën nga universiteti, se ligji i ri ngrihet mbi transparencë, meritë e preferencë dhe autonomi. Nuk ka asnjë cedim nga këto tre parime, sistemi ku jemi përfshirë është më i drejtë dhe më i lehtë por barazohet mbi barazi dhe meritë”.

Ministrja tha për studentët se ajo që shohin tani është rankimi i tyre në universitete falë transparencës që i është shtuar këtij procesi, por jo lista përfundimtare e fituesve. Duke sqaruar se një student i mirë mund të fitojë edhe në 10 preferencat e zgjedhura, Nikolla tha sqaroi se ai do të zgjedhë, njërën duke lënë 9 të tjerat.

“Pse ofron më shumë transparencë? Skema e re është e qartë që në shkurt, edhe publikimi i kritereve. Ajo që po shikoni ju nuk është jo lista përfundimtare e fituesve, ju nuk mund ta shihnit më parë këtë që shihni tani… Sot është shpallur rankimi, shihni ku jeni ju. Pra ju nuk jeni më peng i situatës së viteve të shkuara, ku procesi i prioritetit varej nga një copë letër. Ndryshimi është në favorin tuaj, ju kuptoni si është bërë zgjedhja, kuptoni situatën për të bërë përfundimisht zgjedhjen, por edhe për ata që nuk janë të rankuar në grupin ku mendohet se është vendi i studimit. Keni një situatë të qartë që mund të ndyshoni 10 zgjedhjet e reja. Maturantët më të mirë kanë fituar edhe 10 zgjedhje, por do mbajnë njërën. Pra, situata është transparente, më e plotë, keni një mundësi tjetër. Universitetet kanë shpallur vendet që janë të afta të arsimojnë brenda kritereve të cilësisë”.

Në fund Nikolla premtoi: “Kjo situatë në fund do jetë pozitive për ju. Ju garantoj se askush nuk mund të ndjehet i zhgënjyer, secili prej jush do gjejë veten me zgjedhjen dhe meritën e tij. Ndiqni vetëm me vëmendje udhëzimet e Ministrisë”.

REKTORI KONI: FITUESIT TË REGJISTROHEN NË NJË DEGË BRENDA AFATIT, NDRYSHE IU DIGJET E DREJTA
Rektori Koni tha se në UT është bërë një punë e madhe në mënyrë që të respektohen afatet e vendosura nga MAS.
“U publikuan në kohë listat jo përfundimtare. Kjo skemë ka dy raunde. Pas publikimit të listave, do të bëhet edhe regjistrimi në njërën nga degët që kanë fituar. Pas përfundimit të këtij procesi do të ketë kuota të lira, jo kuota shtesë, ku do të ribëhet renditja sipas preferencave të maturantëve.
Momenti i tanishëm është për verifikuar rezultatet, dhe për të ndjekur procedurat e regjistrimit. Nëse maturanti fitues nuk regjistrohet brenda afateve në njërën nga degët fituese, do t’i digjet e drejta e studimit”, the Rektori Koni.

PYETJET E MATURANTEVE

Kisha një shqetësim. Jam nxënës tek projekti gjerman i “Sami Frashërit”. Një nga degët e mia ishte te Shkencat e Natyrës. Dhe një nga kriteret ishte matematika e avancuar. Për nxënësit si unë kjo është diskriminuese. Dhe unë nuk fitova këtë degë. Si do procedohet për plotësimin më tej të formularëve? Unë për vetë do jem në Gjermani, por flas për fenomenin.
Nikolla: Më vjen mirë që ngre shqetësimin për shokët e tu. Kam dijeni se ju, nxënësit e projektit gjerman, keni rezultate shumë të mira, dhe keni më shumë studimi në Gjermani. Ndaj janë 10 preferenca, që maturanti të zgjedhë degët në të cilat është investuar më shumë, dhe plotëson kriteret.

Jam nxënëse që vij nga “Petro Nini”. Kriteret te Shkencat Sociale dhe Fakulteti i Drejtësisë kanë dalë në janar të këtij viti, ndërkohë që ne i kishin zgjedhur lëndët me zgjedhje, dhe s’mund t’i kthenim pas. Edhe pse me mesatare shumë të mirë, unë nuk kam fituar, pasi më janë djegur. Kjo është e padrejtë.
Koni: Është e vërtetë ajo që sapo thatë. Kriteret në këto dy fakultete janë publikuar në fund të janarit. Orientimi juaj ka qenë në shkencat ekzakte, siç e thatë dhe ju, dhe dihej edhe prirja juaj. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj shqetësimi deri në momentin kur ka filluar procedura e aplikimit. Kur kemi një database të caktuar nuk mund të ndërhyhet për ndryshim kriteresh. Ne do të nxjerrim të gjitha problematikat që kanë rezultuar.

Maturantja:
Letërsia e avancuar ishte lëndë me zgjedhje në gjimnaz. Por nuk ishte kriter në asnjë fakultet, atëherë në cilin fakultet të shkoj unë, ndonëse kam një mesatare shumë të mirë. Dhe kam një formim shumë të mirë, si në shkencore, ashtu edhe në shoqërore. Mua me penalizoi lënda me zgjedhje…

Ministrja ia ndërpreu fjalën maturantes …

Nikolla
: Nuk e vë në diskutim që ti je shumë e mirë si në shoqërore, si në shkencore. Zgjedhja juaj dhe ajo që ju keni si rezultat nga shkolla e mesme ju mundësojnë hyrjen në institucionet e arsimit të lartë në raundin e dytë.

Por pas të raportimeve maturantëve, ministrja Nikolla reagoi duke thënë se “Po ndërtoni këtu situata që nuk kanë asnjë lidhje me realen. (maturantit që do ndjekë studimet në Gjermani) Ti i bën llogaritë mirë, se e ke zgjidhur hallin tënd”.

“Që nga nëntori e deri në shkurt e kuptuat që nuk kishte me koeficentë, pasi kriteret kishin ndryshuar”, tha Nora Malaj.

(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: