TIRANE- Me anë të një deklarate publike, drejtuesi i shkarkuar i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina njoftoi se nuk do ta lëshonte zyrën pasi e cilësonte sulm politik vendimin e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku për ta shkarkuar, e me sa duket po zbaton pikërisht atë që tha.

Gazetari Fatmir Popja bën me dije për “BalkanWeb” se pak minuta para prezantimit zyrtar të Drejtuesit të ri të këtij institucioni, Gina ka mbledhur stafin dhe u ka deklaruar se ai nuk e do e lëshonte zyrën.
WhatsApp Image 2018-01-09 at 14.45.49
Ai ka deklaruar se urdhër shkarkimi është i paligjshëm dhe nuk mund të bëhet pjesë e zbatimit të paligjshmërisë. Madje me tu njohur me urdhrin e Arta Markut paralajmëroi se do të bënte një kallëzim penal për paligjshmërinë e tij.

“E ushtroj këtë detyrë që nga 03.07.2017 në bazë të ligjit dhe do largohem nga kjo detyrë vetëm kur ta vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Refuzoj të zbatoj një urdhër të paligjshëm. Nuk do ta braktis detyrën dhe do vijoj të ushtroj funksionin sikurse parashikon ligji. Sapo urdhri i Prokurores së Përkohshme të mbërrijë në zyrë do bëj një kallëzim penal për paligjshmërinë e tij”,- është shprehur Gina.

Shkarkimi i tij u bë sot me urdhër të kryeprokurores Arta Marku, pak minuta pasi bashkëshortja Rovena Gashi, krahu i djathtë i Adriatik Llalës depozitoi një padi në Gjykatën Administrative për të shpallur të pavlefshëm urdhrin e Arta Markut për ta shkarkuar nga detyra. Por Gina nuk ishte i vetmi i shkarkuar. Me sa duket kryeprokurorja ka vendosur të bëjë disa lëvizje në rrethe, duke shkarkuar kështu edhe drejtuesit e prokurorisë së Durrësit, Fierit e Kukësit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: