TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka sqaruar sherrin në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë me deputetët socialistë. Në një deklaratë për mediat, ai tha se mazhoranca po tenton t’i mbyllë gojën opozitës. Por menjëherë pas tij ka reaguar edhe deputeti socialist, Pjerin Ndreu, duke thënë se nuk do i jepte kënaqësinë të qurravitej.

REAGIMI I NDREUT
Në lidhje me një konferencë për shtyp të Salianjit të PD që gjoja e paskam kërcënu! E para, nuk kam kërcënu askënd, por po bënim shaka me kolegun Sterkaj dhe Salianji menjëherë e merr seriozisht! E dyta, une e kuptoj se ka deputetë delirantë që kërkojnë alibi për ndonjë medalje në politikë dhe mezi presin të bëjne kastravecin dhe viktimën. Por të rrinë të qetë se nuk japim kënaqësinë që kërkojnë me ngulm duke provoku në çdo rast. Ne do vazhdojmë punën pa u provoku nga askush duke i lënë këta ekzemplarë që stërmundohen të imitojnë dikë e të qurraviten para kamerave me kërcënime që nuk ekzistojnë!

REAGIMI I SALIANJIT
“Kjo qeveri është e kapur në krim, në drogë dhe në përfshirje me grupe të strukturuara kriminale.
Sot ishte një fakt tjetër i provuar, i asaj që ne kemi thënë prej vitesh, që Rama fle dhe zgjohet me krimin.
Që Rama banditët i ka futur në Parlament dhe në institucione.
Që Rama kërkon që nëpërmjet banditëve të mbajë pushtetin, por të harrojë që banditë me ose pa pushtet të mbyllë gojën opozitës.
Nuk kam pasur frikë nga punonjësit e tyre, kur kam hyrë në mes të parcelave me kanabis, për t’i denoncuar, e jo më nga njerëz të cilët për shkak të asaj që përfaqësojnë si personalitet njerëzor, janë qesharakë dhe do të ishte një ngjarje qesharake, por për shkak të asaj që përfaqësojnë për shqiptarët, është një ngjarje e rëndë e parlamentarizmit, ku deputetë me preçedentë ne këtë situatë, ndërhyjnë dhe tentojnë t’i mbyllin gojën opozitës në momentin kur, pyes Ministren e Mbrojtes, nëse duhet buxhet shtesë që Ministria e Mbrojtjes të kontrollojë dhe të vendosë në funksion radarët që të mos qarkullojnë drogë. Nëse i duhet buxhet shtesë Ministrisë së Mbrojtjes, për të kontrolluar depot, ish-repartet ushtarake apo tunelet të cilat përdoren për magazinimin e drogës, dhe nëse i duhet buxhet shtesë për të kontrolluar hapësirën ajrore, ish-aeroportet ushtarake që të mos përdoren për transport droge”, u shpreh Salianji.

Deputeti demokrat tha se debati me deputetët e mazhorancës nisi pas një pyetje që ai i drejtoi ministres Olta Xhaçka për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“E pyeta: A ju duhet më shumë buxhet për të kontrolluar ish-repartet ushtarake që përdoren për magazinim droge?”, tha Salianji.

Pas kësaj, kanë reaguar dy deputetët e PS-së, Sterkaj dhe Ndreu e kanë quajtur provokator deputeti Salianji, duke i thënë “ti do rrahur”.

DEBATI
Salianji pyet Xhaçkën: A ju duhet më shumë buxhet për të kontrolluar ish-repartet ushtarake që përdoren për magazinim droge? A ju duhet më shumë buxhet për të vendosur në funksion radarët…

Sterkaj: Je bilbil mali. Se vetëm për të folur ke ardhur.

Pjerin Ndreu (pa mikrofon): Mos i provoko të gjithë se do hash dajak. Ti do rrahur.

Sterkaj-Salianjit: Unë bëj mundje, boks, edhe karate. Mos më bëj mua presion.

Pjerin Ndreu: Rri more urtë se je bërë provokator i keq, rri more urtë, nuk e shikon çfarë është bërë në të kaluarën.

Salianji: Nuk pyes dhe s’kam frikë nga asnjë bandit me ose pa pushtet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: