BRUKSEL-Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq tha se janë pajtuar që të intensifikohen takimet ndërmjet tyre dhe ato të jenë më substanciale.

Thaçi para gazetarëve tha se takimi me Vuçiçin ka qenë një takim korrekt dhe kanë diskutuar për hapat e mëtejmë për fillimin e një faze të re të dialogut Kosovë-Serbi me qëllim të normalizimit të raporteve dhe pajtimit.

“Edhe Kosova, edhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që i hapë dy vendeve perspektivë evropiane”, tha Thaçi, duke njoftuar po ashtu se sistemi i drejtësisë kosovare do të funksionalizohet në tërë territorin sipas Kushtetutës së Kosovës dhe siç tha ai, kjo e arritur do të përmbyllet deri më 17 tetor.

Thaçi tha se vetëm dialogu, pajtimi dhe integrimi është rruga e vetme e së ardhmes dhe se do të punojnë në këtë frymë që të arrihen marrëveshje.

“Ne jemi dy shtete të pavarur dhe sovrane, jemi fqinjë, kemi nevojë për komunikim dhe marrëveshje përmbyllëse prandaj kjo fazë e re e dialogut është e nevojshme të fillojë sa më shpejt dhe të kryhet sa më shpejt… të jetë një marrëveshje e standardeve evropiane”, u shpreh presidenti.

Ai tha se do të diskutojnë për çështje që kanë mbetur ende të hapura dhe t’i japin fund armiqësisë shekullore.

“Marrëveshja për paqe Kosovë-Serbi nënkupton paqe dhe stabilitet për rajonin”, tha më tej Thaçi.

Ai shprehu besimin se në të ardhmen e afërt do të themelohen institucionet, qeveria dhe konstituohet Kuvendi në mënyrë që siç tha ai sa më konsesuale përmes ekipit të unitetit Kosova të përfaqësohet në Bruksel.

I pyetur rreth debateve në Beograd për ndarje të Kosovës, Thaçi tha se nuk i komenton zhvillimet atje, por sipas tij, çdo zgjidhje përfundimtare do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

“Kosova është vend sovran dhe i pavarur, me territorin e vet dhe kjo është e panegociueshme”, tha presidenti.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: