TIRANE- Të rinjtë e Forumit të Partisë Agrare Ambientaliste, nën moton “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe” në ditën e shënuar të Pashkës Ortodokse me vullnetin e tyre janë organizuar duke trokitur në mensën e bamirësisë “Shërbimi i Dashurisë” në Tiranë.

Gjatë vizitës në këtë mensë të rinjtë u takuan edhe me Dhjakon Nikolla Kodheli, i cili gjatë një bashkëbisedimi me ta, tha se janë të rralla rastet e vullnetarizmit. Ai u bëri thirrje të rinjve se kjo është e vetmja rrugë për një shoqëri të mirë, që në gjirin e saj të mos ketë njerëz të këqij, do të thotë që të mos ketë të uritur. Uria i shtyn njerëzit në vjedhje, i bën ata të lënë rrugën e mirë, e kështu prishin gjithë shoqërinë.

“Qëllimi ynë është t’u ofrojmë ushqimin bazë dhe esencial njerëzve që kanë nevojë. Si do të ndiheshim ne nëse do të shkonim në shtëpi dhe nuk do të gjenim ushqimin bazë. Njeriu është qenie psikosomatike, ka trupin ka edhe shpirtin. Nuk mund të adhurojë perëndinë nëse barkun e ka bosh. Nuk mund të logjikojë dot drejt, dhe mund ta kthejmë padashje këtë njeri, në një njeri hajdut. Në një njeri të keq të shoqërisë. Dhe duke qenë i keq mund të na bëjë keq ne. Dhe e keqja mund të na kthehet sërish ne. Duke ndihmuar të tjetër ne ndihmojmë veten tonë. Ndaj ju falënderoj të gjithë ju sot, që erdhët dhe u bëtë pjesë e kësaj mense. Vullnetarizmi është gjë e madhe sot. Na mungon shpesh herë vullnetarizmi. Dashuria dhe buzëqeshja që u japim ne këtyre njerëzve mbetet më shumë se sa ushqim, perëndia ju bekoftë dhe ju shoftë dëshirën për të bërë mirë”, tha Dhjakon Nikolla Kodheli.

Forumi Rinor i Partisë Agrare Ambientaliste në këtë ditë të shënuar fetare i bën thirrje të gjithë të rinjve të bëhen pjesë e strategjisë për nxitjen e vullnetarizmit, ndërgjegjësimit të komunitetit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: