NGA YLLI DYLGJERI*

Pasi dëgjon thagmat shqiptare me ÇEZ, më kujtohet tregimi i të madhit Cvajg…

STEFAN CVAJG – DUKE PESHKUAR ME GREP BRIGJEVE TË SENËS

Në një histori të revolucionit francez gjeta para disa vitesh një episod kryesisht të pa vënë re, i cili asokohe m’u duk krejt i pabesueshëm. Në atë episod thuhej se, pas katër vjetësh plot me ngjarje dramatike, kishte ardhur më në fund dita kur do të ekzekutohej Luigji XVI. Herët në mëngjes, me rënie të mbytura daullesh, nisi udhëtimi i fundit i mbretit për në Plas dë la Konkord. Atje, mes një turme të paduruar, ngrihej podiumi i ekzekutimit. Mbretin, me duar të lidhura, e shoqëruan përpjetë shkallëve, ndërsa thika e gijotinës shkëlqente në diell dhe turma shpërtheu në një thirrje të egër e të vetme entuziazmi kur koka e përgjakur u shkëput nga qafa e lyer me krem e mbretit të Francës e u rrokullis në shportë. Republika festoi triumfin e vet vendimtar: kishte marrë fund ngjarja më e madhe dhe më e bujshme e shekullit. Por, sikurse njoftonte paksa i indinjuar kronisti bashkëkohës, vetëm disa hapa larg Plas dë la Konkordës dhe gijotinës, njerëz të shumtë po rrinin brigjeve të Senës dhe po peshkonin me grep, pikërisht në atë çast të paharruar historik, po aq shpërfillës sa edhe në çdo ditë të zakonshme. Me shpinën kthyer nga ajo skenë e papërsëritshme, ata e kishin mendjen vetëm tek tapa e tyre pluskuese. Nuk e kthyen kokën qoftë edhe një herë të vetme kur brohoria e turmës njoftoi se kishte marrë fund ngjarja më e madhe historike e vendit të tyre.

Kur e lexova për herë të parë këtë episod të vogël, isha djalë i ri dhe nuk desha kurrsesi ta besoja. Diçka brenda meje e quante të pamundur një shpërfillje të tillë egoiste në një çast historik. I rritur në atmosferën e qetë, paqësore dhe aspak dramatike të kapërcyellit midis dy shekujve, mendoja se në vitet dramatike të revolucionit francez dhe të luftërave të Napoleonit të gjithë njerëzit e Europës duhej të kishin jetuar në një lloj ethesh të përhershme. Parisin e asaj dite e përfytyroja kështu: dyqanet të braktisura, punishtet dhe tavernat të boshatisura, mbarë populli duke u dyndur për në udhëtimin mortor të mbretit dhe çdo individ me sy të ngulur te gijotina, secili i entuziazmuar ose i pikëlluar, sipas pikëpamjeve të veta politike. Më dukej si diçka plotësisht absurde që asokohe në Plas dë la Konkord mund të gjeje qoftë edhe një njeri të vetëm që ta kishte mendjen jo te ngjarja më e madhe e kohës së vet, por te një gjë aq e kotë dhe aspak e ngutshme siç qe peshkimi me grep.

Por duket se historinë mund ta lexojë dhe ta kuptojë ashtu siç duhet vetëm ai që e përjeton historinë edhe vetë. Sot do të doja që atë episod të vogël të peshkatarëve me grep në brigjet e Senës ta gjeja në çdo libër historie. Në bazë të përvojës sonë të sotme, këtë episod e quaj jo vetëm të saktë, por madje edhe të domosdoshëm në kuptimin e së vërtetës historike, sepse tani marrim çdo ditë mësim shembullor në histori. Ne jetojmë në një kohë që është, të paktën, po aq dramatike sa edhe koha e revolucionit francez ose e reformizmit. Edhe për ne, çdo javë e çdo ditë është e mbushulluar me ngjarje historike: shemben perandori qindravjeçare dhe po zhvillohet lufta më e madhe që është bërë ndonjëherë në emër të lirisë njerëzore. Çdo ditë e çdo orë sjell tensione të reja dhe rinia e brezave të mëvonshëm do të na ketë zili tej mase ngaqë kemi qenë dëshmitarë e pjesëmarrës të tronditjes më të madhe botërore.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: