Një fjalim publik i trazoi përditshmërinë dhe e shndërroi papritur në emrin më të trafikuar të medias së shkruar dhe asaj sociale kryetares së FRESSH-­it.

Joleza Koka është gjenerata e 25­-vjeçarëve, drejton të rinjtë socialistë dhe na tregon se si e përjetoi famën e mirë apo të keqe që mori vetëm për një ditë. Në një rrëfim për gazetën “Panorama” ajo zbulon më shumë nga botëkuptimi dhe karakteri i një politikaneje të re si ajo dhe thotë se nuk kandidon më për kreun e FRESSH.

Fjalimi i shumëpërfolur në takimin në selinë e PS-­së ishte fillesa e një zhurmnaje mediatike me emrin tënd. Si u ndjeve që shumë persona t’u vunë kundër?
E parë nga distanca mund të thuhet që disa prej tyre i harruan sjelljet e pëlqyeshme. Megjithatë, mendoj që më shumë se m’u vunë mua kundër, thjesht ndoqën një rrjedhë të caktuar, që është kaq tipike për kohët që jetojmë. Mediat sociale i kanë dhënë hov, më shumë se një mendimi kritik, një mendimi histerik.

Nëse marrim parasysh lajmet pasuese me titujt “gafa e radhës e Jolezës” shqetësohesh që nuk po të kuptojnë në vazhdimësi?
Më shumë se sqarim, ishte një klasifikim i grupeve nxitëse të lajmit; disa pa dashje, e disa të tjerë me dashje. Mendoj se ajo çka u duk skandaloze, është e vërteta (qesh). Pra në thelb, ajo çfarë thashë ishte që jetojmë në një vend, ku në pak orë mund të shohësh njerëzit më të pushtetshëm të vendit në ambiente sociale. E gjithë kjo trysni, sidomos te të rinjtë, është pa sens, duke parë që me pak bonsens do të zgjidheshin shumë nga problemet, që i dramatizojmë. Duke thënë këtë, mendoj që në rastin tim nuk është problem moskuptimi, por trauma e të thënit një gjë banale dhe shumë të kuptueshme.

Në darkë me Klosin, në mëngjes në pallatin e Tahirit, ndërsa një ditë në TK ktheve kokën dhe pe Erion Veliajn është kthyer si trend në rrjetet sociale. Mendon se në këtë aspekt mund të quhet edhe fjalim i suksesshëm për përhapjen e madhe?
Nuk është fjalim, është konstatim, të cilin e shpjegova më sipër. Nga ana tjetër, kjo nuk më mërzit, madje mendoj që është pjesa më e bukur e rrjeteve sociale. Ironia që u bë pas aktit le të themi, ishte interesante dhe unë kam qeshur shumë edhe me videon. Pikërisht sepse këta janë ata për të cilët kam folur, moshatarët e mi. Ata e kanë kuptuar (hiq ata që në cilëndo moshë janë njësoj të vjetër). Revolta vjen nga ata që e kanë kuptuar e nuk duan që e vërteta të jetë ashtu. Pra në thelb s’ka asgjë të jashtëzakonshme as në fjalën time, as në atë që po ndodh, e as në reagimet.

Shumë ia vunë fajin “hangover”­it. Çfarë përgjigje do t’u jepje atyre që të kanë akuzuar për mbajtjen e fjalimeve në gjendje të dehur?
Eh këtë e meritoja, sepse unë jo vetëm që nuk pi alkool apo kafe, por jam dhe një propogandiste e madhe kundër tyre, dhe kjo është Karma përfundimisht. (qesh)

Si ndikoi e gjithë historia në fjalë në punën si drejtuese e të rinjve socialistë. A është kjo gjenerata që të kupton dhe është me ty në idetë që ti transmeton?
Shikoni, kjo ka qenë një fushatë artificiale, dhe nuk ka ndikuar për keq në forum. Mendoj që ne duhet akoma të ndërtojmë një ligjërim politik, duhet të flasim më shumë për politikë e më pak për njerëz që merren me politikë.

Në atë segment fjalimi përmendja e reperit Getoar Selimi dhe fraza “ja bëfsha gjeneratën!”, ua vranë veshin shumë personave. Një politikane deri ku duhet të guxojë me fjalorin?
politikë reale. Media u sul direkt, u shtua trafiku nëpër faqe, klikimet, ishte gallatë, interesante. Gjëja që është e bezdisshme është jo te përdorimi i fjalorit vulgar, por instikti demagog për të gjetur zërin më të inatosur në turmë dhe për ta amplifikuar atë.

E pas gjithë kësaj buje, pyetjes nëse do të jesh sërish apo jo në postin e kryetares së FRESSH-­it si mund t’i përgjigjesh?
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur kryetari i Partisë Socialiste. Unë do të jem kryetare deri në organizimin e Kongresit, për këtë detyrë dhe kam ardhur në krye të FRESSH-­it. Për kandidimin tim në Kongres nuk kam menduar e nuk kam një përgjigje përfundimtare, se varet dhe nga diskutimet në Parti. Sidoqoftë, unë mendoj se te të rinjtë mandati duhet të jetë i kufizuar në mënyrë që të ketë një riciklim të vazhdueshëm, e gjithashtu mendoj që një kryetare aktuale nuk duhet të marrë pjesë në garë, sepse niset nga një avantazh në krahasim me sfiduesit. Kështu që detyra kryesore e imja është shëndoshja e forumit dhe organizimi i një kongresi model.

Çfarë komunikimi ke aktualisht me Edi Ramën, Erion Veliajn, këshillat që merr prej tyre?
Komunikimin që ka një kryetare e Forumit Rinor me sekretarin e Rinisë dhe kryetarin e Partisë. I raportoj në mënyrë periodike për anëtarësimet e reja, aprovojnë kalendarin dhe përcaktojnë vizionin e Forumit.

Ndalojmë te statusi yt i fundit në Facebook: “Ja një ide njerëzore, që do rriste eficiencën në punë, do respektonte ciklin biologjik dhe kreativitetin e stafit. E s’do dëgjonim më fjali si ‘mos i fol sot asaj se është më ato’…. Si i prite komentet dhe nëse do të ishe në post drejtues, do vendosje pushim për femrat për ditë delikate?
Jam kundër çdo lloj forme stigmatizimi apo stereotipizimi. Nëse do të ishte në dorën time, patjetër do t’u lija hapësirë që të vendosnin vetë nëse ishin të përqendruara mjaftueshëm për të qenë kreative ose nëse duhej pushim për të rrimarë forcat, ashtu si do doja që kjo mundësi zgjedhjeje pa penalizim të më jepej edhe mua. Të njëjtën tolerancë do të kisha edhe ndaj punonjësve burra e djem, vendosja e orareve tërësisht jo fleksibël e kthen vendin e punës në një detyrim të mërzitshëm dhe joproduktiv.

Pamja të ka ndihmuar në politikë, cilat janë ambiciet që ke në karrierën politike pasi sapo ke kaluar të 25-­at?
Presidenti amerikan më i keq i të gjitha kohërave ishte dhe më i paraqitshmi. E suksesshme ka qenë edhe një fytyrë si e Sali Berishës. Aparenca në politikë patjetër është e rëndësishme, nuk ke kurrë një mundësi të dytë për të lënë përshtypjen e parë. Por është edhe e pamjaftueshme, shpesh edhe shumë problematike. Ka plot raste vajzash vërtet shumë të bukura që nuk u është dhënë mundësia ta plotësojnë imazhin me përmbajtje. Më shumë se pamja ime normale, besoj se më ka ndihmuar deri tani gatishmëria për të marrë gjëra përsipër. Më pëlqen shumë puna që bëj, dhe patjetër do të doja të kisha një shtim gradual të detyrave e përgjegjësive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: