SHBA – Javën e kaluar uragani “Irma” shkaktoi vdekje dhe shkatërrim në ishujt e Karaibeve, para se të godiste Floridan. Irma është stuhia më e madhe dhe më e gjatë e kategorisë 5, në historinë e Atlantikut, sipas ekspertëve. Rreth 40 vetë kanë humbur jetën, disa prej të cilëve në Florida. Autoritetet po dërgojnë ekipe ndihmash për të ndihmuar viktimat, për të rikthyer energjinë elektrike dhe për të vlerësuar dëmet në Florida, ndërsa shtetet e Xhorxhas dhe Alabamës marrin masat për të përballuar stuhinë që tashmë është dobësuar, shkruan BBC.

Irma shkaktoi humbjen e energjisë elektrike për mbi 6 milionë shtëpi në Florida dhe shkatërrimet në ishujt Keys ngjajnë si në një zonë lufte. Ishujt janë shkëputur nga pjesa kontinentale, pasi rrugët dhe urat që i lidhin janë dëmtuar.

Zyrtarët në pjesën më afër kontinentit të ishujve Keys, po lejojnë banorët dhe pronarët e bizneseve të kthehen, pas uraganit. Zyrtarët paralajmëruan banorët se shërbimet do të jenë të kufizuara. Shumë zona janë ende pa energji elektrike dhe ujë. Shumica e pikave të karburantit në Key Largo janë ende të mbyllura.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se megjithëse stuhia është dobësuar, ajo vazhdon të mbetet e rrezikshme. Një zëdhënës tha se qyteti Xheksonvill në brigjet lindore, ka përjetuar përmbytjet më të rënda prej një shekulli.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: