Nga: Fatmira Nikolli
Profesor Paskal Milo, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, reagon mbi çështjen e Akademisë së Shkencave. Duke vënë në pikëpyetje rolin e qeverisë dhe të vetë Akademisë, ai e ndan fajin mes tyre sa i takon gjendjes në të cilën është sot tempulli i shkencës. Teksa del kundër rikandidimit të ish-drejtuesve të akademisë, shënon se nuk do të ishte sakrilegj që zgjedhjet të shtyheshin, por kritikon edhe qeveritë ndër vite “që e katandisën Akademinë në këtë farë feje, me ndërhyrjet partizane e me eksperimente të paprecedentë”.

– Pse i shihni zgjedhjet në Akademi të pavend?
Nga pikëpamja formale zgjedhjet për kryesinë e Akademisë së Shkencave mund të konsideroheshin korrekte po qe se do të zhvilloheshin në një situatë normale. Por të gjithë e dinë dhe e pohojnë, përfshirë edhe ata që u zgjodhën në kryesinë e Akademisë, por edhe anëtarët e Asamblesë se ky institucion ka vite që po vegjeton dhe është në një krizë të thellë. Analiza më fillestare dhe mendja më naive e gjen një pjesë të madhe të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhet Akademia te kryesia e Asambleja e saj në këto dhjetë vitet e fundit veçanërisht. E si mund të jetë ndryshe! Dhe ata që kanë këtë barrë jo të vogël përgjegjësie për rrokullimën e Akademisë ndër vite zgjidhen përsëri për ta drejtuar! Po për çfarë? Përse nuk e rinovuan kaq kohë dhe cilat janë garancitë se tani ata do ta reformojnë Akademinë? Ka një shqetësim të përgjithshëm që Akademia u katandis në këtë gjendje. Me gjithë respektin e njohur e të provuar timin ndaj drejtuesve të Akademisë, mua më vjen keq që ata arritën deri këtu e u vunë në një pozitë që nuk i bën nder as dinjitetit e personalitetit të tyre, por dhe as institucionit.

– Kush e pengon reformimin?
Sigurisht që Asambleja dhe kryesia e Akademisë të familjarizuar me status-quo-në, nuk janë përgjegjësit e vetëm. Dhe jo vendimtarët. Është rasti të vihen fortë pikat mbi “i” dhe opinioni publik të dijë se ka qenë politika dhe qeveritë që e katandisën Akademinë në këtë farë feje, me ndërhyrjet partizane e me eksperimente të paprecedentë.

– Në kushtet që nuk ka kandidatura për kryesinë, çfarë duhej bërë? Të mbetej pa kryesi, pra, veçse honorifike të ishte edhe fiktive?
Nuk do të ishte sakrilegj që për shkak të përgjegjësive të mësipërme zgjedhjet të shtyheshin. Nuk do të ishte hera e parë. Ndërprerje dhe ndërhyrje in extremis janë bërë në Akademi vite më parë edhe kur nuk ishin shumë të motivuara e jo më tani kur ajo është në koma. Mendimi im ishte që Akademia deri në reformim e saj të plotë të udhëhiqej nga një kryesi ad hoc ose përkohësisht nga sekretari i Përgjithshëm i saj. Më mirë një drejtim i përkohshëm e me shpresë për rinovim se sa një kalçifikim zyrtar formal i drejtimit të vjetër edhe për katër vite të tjera.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/09/06/intervista-paskal-milo-akademia-ne-koma-nga-nderhyrjet-partizane-politike/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: