Nga: ZONJA VJOLLCA
8 patëllxhanë mesatare
200 ml vaj ulliri
500 gr qepë
4-5 speca
600 gr domate, pak sheqer
1 lk piper të kuq
2 kokë hudhra
Kripë, piper i zi
1 ½ tufë majdanoz

 

Fillimisht pastrojmë patëllxhanët, më pas i bëjmë vertikalisht patëllxhanëve 3 prerje për së gjati me një distancë mesatare duke krijuar 3 xhepa tek prerjet të cilat nuk i çojmë deri në fund. I spërkasim me pak kripë hapësirat që premë dhe i lemë të nxjerrin ujin për 15-20 minuta. Më pas i fshijmë, nëse dyshoi se keni hedhur shumë kripë, i shpëlajmë dhe më pas i thajmë mirë. Vendosim tiganin me vaj ulliri dhe skuqim lehtë patëllxhanët sa të zbuten pak dhe i vendosim në një pjatë. Në tiganin ku skuqëm patëllxhanët vendosim qepët të prera në feta dhe i lemë derisa të zverdhen pak duke i hedhur herë pas here nga një lugë ujë me qëllim që të zbutet mirë. Shtojmë specat dhe këta të prera në gjysëm rrethi në gjatësinë e qepës. I lemë pak dhe shtojmë domatet në kubikë mesatare së bashku me pak sheqer. I lemë domatet të ziejnë për 7 minuta dhe më pas shtojmë hudhrat të prera në feta për së gjati, majdanozin e grirë vrazhdë, kripën dhe piperin e zi. Me këtë masë mbushim hapësirat e patëllxhanëve duke i vendosur në një tavë. Nëse tepron pak mbushje e vendosim atë midis patëllxhanëve. E vendosim tavën në furrën e parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-40 minuta. Nëse shohim që po shteron lëngu mund të shtojmë 1 filxhan kafeje ujë.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb