TIRANE– Kur edhe një javë na ndan nga zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike, Astrit Patozi vijon takimet me demokratët në mbarë vendin. Në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, Patozi thotë se përjashtimi i tij nga gara për kreun e partisë, është turp i radhës i PD-së.

Duke u ndalur tek takimet e tij me demokratët në Vlorë e Durrës, Patozi thotë se është njohur me shqetësimet e tyre për situatën në PD.

Sapo ktheheni nga një takim tjetër, pasi prej ditësh keni ndërmarrë takime në Durrës, Vlorë. Çfarë mesazhesh keni marrë në këto takime që po zhvilloni me demokratët, kur për hir të së vërtetës duhet thënë se ka patur një pjesëmarrje të konsiderueshme?
Ajo që kam konstatuar me shumë kënaqësi është fakti që PD është e gjallë dhe instinktet e saj janë funksionale, pasi kjo që po ndodh është dramatike. Është e kundërta e asaj që duhet të ndodhte pas një humbje katastrofike që ne pësuam në këto zgjedhje. Te demokratët e Durrësit dhe Vlorës kam parë një reagim të jashtëzakonshëm për ta mbajtur të bashkuar PD-në dhe për ta ringritur shumë shpejt atë. Unë besoj se ky mision ia ka vlejtur për dy qëllime. Së pari që demokratët që janë lënduar nga ajo që na ka ndodhur në këto 4 vite, po sidomos humbja dërrmuese që ne morëm në zgjedhjet e 25 qershorit, nuk janë të izoluar. Njerëzit kanë parë se janë shumë që mendojnë si ata. Ne kemi pasur shumëfishin e pjesëmarrjes krahasuar me turin që po organizon Basha për garën në PD, ndërkohë që ne jemi jashtë kësaj gare. Ky është një reaksion i cili ndodh në mënyrë kapilare në PD. Demokratët janë të shqetësuar dhe po reagojnë. Po kështu ka edhe një mesazh tjetër për opinionin publik, për Shqipërinë, shqiptarët që nuk janë anëtarë të PD, por që në PD shohin një pjesë të tyre, pasi opozita është një pasuri kombëtare. Shqiptarët e shqetësuar për fatin e PD, nuk pajtohen me atë që po ndodh, se do të ishte fundi i botës në rast se ky aset kombëtar do të pajtohej me një rrëmbim në mes të ditës të mandatit të kryetarit, me një nënshtrim të partisë që solli në vend lirinë dhe demokracinë.

Nuk është i vonuar ky organizim? Do të shërbente po të fillonte pak më parë?
Ne nuk na u la kohë më shumë se kaq, sepse Basha e kishte emergjencë për ta mbyllur shumë shpejt garën. Ky ishte një nga instrumentet që ai përdori, sepse atij nuk i pret puna. Ai e di se çdo ditë që kalon e rëndon më shumë pozitën e tij, pasi edhe kaq sa është ai e di që është në pozitë shumë të rënduar. Në fillim u përpoqëm të ishim pjesë e garës, dhe kërkuam që PD të kishte një proces normal reflektimi për atë që na ndodhi. Pra të kishte një garë reale, të drejtë dhe të barabartë, dhe ne ishim gati që të bëheshim pjesë e kësaj gare. Nuk u lejuam në mënyrë arbitrare dhe është turpi i PD, ai vendim që u mor për përjashtimin e një kandidati potencial, i cili kishte një alternativë reale përballë Bashës.

A duhej të ngulmohej me tepër tek fakti i dorëheqjes së Bashës, i ngritur fillimisht me zë nga Mustafaj. Mos ndoshta zërat kundër në PD duhet të bëheshin më tepër bashkë për të arritur këtë qëllim?
Do ishte minimumi i marrjes së përgjegjësisë nga një lider politik i cili ka një koncept perëndimor të të qeverisurit të një partie. Kjo nuk ndodhi. Në fillim ne ishim në një unison, që minimumi duhej ndjekur precedenti i Berishës 4 vite më parë. Pra Basha e kishte të detyrueshme dorëheqjen e parevokueshme, ashtu si bëri Berisha përpara 4 viteve. Për më tepër Basha kishte arritur një rezultat akoma më të keq se ai i 2013, dhe mbi të gjitha duke qenë në opozitë. Është rasti unikal në Shqipëri, ku një opozitë bie. Zakonisht opozitat ngrihen, dhe qeveritë bien. Basha ishte një kampion i rezultateve elektorale në Shqipëri, për keq, dhe nuk ja ndjeu fare që të jepte një dorëheqje të menjëhershme dhe të revokueshme. Reagimi i tij i parë, vetëngrirja ishte një sinjal që ai nuk kishte ndërmend të reflektonte dhe të merrte përgjegjësi. Sigurisht që kishte shumë kolegë që kërkonin dorëheqje të parevokueshme dhe mosprani të Bashës në garë, si zgjidhja e vetme. Unë isha plotësisht dakord me këtë. Kam deklaruar madje gjatë këtyre ditëve, po të isha si Basha do të shihja edhe pozicionin tim si anëtar i PD-së, do më vinte zor të qëndroja nëse do të ndodhte ajo që i ndodhi atij. Kjo për faktin se humbja, bilanci, është i tillë që nuk të lë të vazhdosh. Ky është një standard që është edhe personal. Moralisht Basha nuk mund të garojë për kryetar të PD, por në rast se ai nuk e ka këtë standard, ligjërisht mund të garojë. Nuk mund t’i mohosh një personi të drejtën për të garuar. Pra ai mund të garonte dhe ne po ashtu, dhe të mund të kishim një garë të barabartë, ku ne të mund ta sfidonim.

Pse Astrit Patozi nuk kandidoi? Ju thatë që nuk marr pjesë në një garë pa garë.
Ka shumë njerëz në Shqipëri që janë ende të paqartë. Madje ka shumë miq të mitë që më thonë se do ishte mirë që unë të isha bërë pjesë e garës. Por kjo do ndodhte nëse do garohej me rregulla të drejta. Unë 1000 herë të kthehem pas, 1000 herë do bëj të njëjtën gjë. Këtë nuk e kam personale, por për të mirën e PD. Në rast se unë do të pranoja të futesha në një garë pa rregulla, ku listat janë sekret, dhe PD është parti klandestine dhe ilegale, pra kryetari i ka rivalët e tij në letër, por realisht nuk i ka. Data është sikur e ka caktuar Zoti dhe jo njeriu, data është fikse 22 korrik, e patjetërsueshme, ndërkohë që çdo kandidat që do dilte përballë Bashës, kishte nevojë minimale për pak më shumë kohë, pasi nuk futet në garë në pozicionin e kryetarit, i cili ka qeverisur 4 vite rresht PD. Por mbi të gjitha, demokratët kishin nevojë për më shumë kohë që të reflektonin për atë që u ndodhi. Duhej minimumi dy javë më shumë afat që të bëhej një gjysmë analize për rezultatin. Por as kjo nuk u pranua. U bë që Basha i cili kishte humbur në këto zgjedhje po garon si kryetar, ndërsa ata të tjerët garojnë si pretendentë të karriges së kryetarit të PD, me atë humbje shkatërruese. Këto arsye ishin ato që më bënë mua ta shikoj garën si një farsë elektorale me një fitues të paracaktuar. Pra nëse unë do garoja në këtë fushatë, nuk do të ishte gjë tjetër, veçse një Selam tjetër. Pra do ishin dy Selamë, që nuk do bënin gjë tjetër, veçse do t’i legjitimonin garën një kryetari që po e rrëmben mandatin në sy të gjithë demokratëve. Unë nuk mund t’ia lejoja vetes këtë gjë, dhe PD nuk e meritonte këtë.

Ju vetë keni qenë pjesë e ekipit humbës të 2013-ës, dhe kur flasim për listat e PD duam të dimë nga ju si nënkryetar si ka qenë situata me listat në 8 vite në parti? A kanë qenë të zbardhura, të ndershme?
Çështja u ngrit edhe më parë në 2013, por pati në zgjidhje. Për shkak të 2 garuesit për kreun e partisë nuk vinin nga drejtimi i partisë, në sensin që asnjëri prej tyre nuk ishte kryetar i PD. Kjo pasi në krye të PD ishte Berisha, i cili dha dorëheqjen, dy të tjerët nuk patën mundësinë që të kishin akses në lista, por garancinë e mori Berisha, i cili tha jam unë garanti i listës dhe garës. Dhe ky problem u tejkalua, pasi dy kandidatët hynë në garë në kushte të barabarta loje. Ne informatizuam listat, bëmë lista të rregullta, anëtarësia ishte online, me të gjitha rregullat, dhe tani thuhet se listën nuk mund ta kesh. Ne nuk jemi parti klandestine, ne jemi parti demokratike, nuk kanë kujt t’i fshihen ata që janë anëtarë të kësaj partie. I di i gjithë fshati, i gjithë qyteti, kush janë. Ai thotë ti mund të bësh fushatë në ajër, kurse ai vetë t’i drejtohej njerëzve që i dinte kush ishin, e votonin apo jo. Përgjegjësia e 2013 ishte e dukshme. Unë kam dhënë dorëheqjen nga të gjitha pozicionet e mia, nga ofiqet që kam patur në 2013, se atëherë menduam se ishte fundi i botës. Pra që ne kishim arritur kuotën më të ulët të rezultateve tona elektorale. Kam dhënë dorëheqjen dhe kam qëndruar vetëm në pozicionin e deputetit për 4 vite rresht. Pjesë po kaq e madhe, madje më keq se unë, ka qenë Basha. Ai ka qenë 4 herë ministër dhe 1 herë kryetar bashkie, që do të thotë më shumë se ministër. Ishte udhëheqësi i fushatës së Tiranës, ku ne morëm një humbje më të madhe nga sa morëm në Vlorë fjala vjen, ku unë isha drejtues i fushatës. Kur ika nga Vlora dhashë dorëheqjen. Tani erdhi Basha dhe PD ra në Vlorë në 3 mandate. Unë mora përgjegjësi për atë që ndodhi në Vlorë para 4 vitesh, ndërsa ky nuk merr.

Çfarë prisni deri më 22 korrik?
E vetmja gjë që mund ta shpëtojë PD-në, është që gjatë kësaj jave, edhe pse nuk është kohë e gjatë, por e mjaftueshme që diçka të ndodhë, shpresojmë që kjo garë të ndërpritet. E vetmja gjë mund ta shpëtojë PD-në është ndërprerja e kësaj gare dhe rifillimi i saj me rregulla të barabarta loje.

Si mund të ndodhë kjo?
Kjo mund të ndodhë nëse Basha do të reflektojë. Kjo mund të ndodhë nëse demokratët do t’ia bëjnë të pamundura atij takimet e ardhshme elektorale. Apo mund të themi që të ketë një instrument, i cili me shumë mundësi nuk do të përfillet, i cili do ta detyrojë Bashën që të marrë një vendim tjetër. Unë nuk mund t’i parashikoj të gjitha çfarë mund të ndodhë.

Kur ju pyeta për zërat kundër, si Mustafaj, Topalli, Imami, nuk u duk qartë qëndrimi juaj. Mos ka patur me jush një moskoordinim për kërkimin e mosfunksionimit të standardeve brenda PD-së?
Unë besoj se kemi qenë një front shumë i madh, që sa vjen edhe e rritet, pasi të gjithë demokratët po na bashkohen. Kur ne shkojmë në Durrës e Vlorë, takojmë anëtarët e PD, jo drejtuesit.

A ka përçarje mes anëtarësisë?
Nuk e besoj. Unë mendoj se ka një farë reagimi. Edhe me figurat që ju përmendet, ne biem dakord që kjo është e papranueshme, dhe duhet zgjidhur. Pasi PD ka nevojë për një garë. Pastaj nuancat sigurisht që nuk e prishin rregullin. Ne jemi të ndryshëm, dhe shyqyr që jemi të tillë. Nuancat kanë të bëjnë me mënyrën sesi duhet të bëhet qeverisja, apo si duhet të kërkohet dorëheqja. Por ne të gjithë biem dakord se Basha duhet të marrë përgjegjësitë për atë që ndodhi, dhe se demokratët duhet të vendosin se cila është alternativa për atë që duhet të udhëheqë, në këtë nuk ka asnjë divergjencë. Unë kam mirëkuptim të plotë me të gjithë kolegët që ju përmendet, por edhe demokratët e tjerë, kam kontaktuar pothuajse me të gjithë, dhe marrëdhëniet janë shumë korrekte. Jemi të shqetësuar për PD, nuk e kemi çështje personale, apo çështje ambicie për pushtet. Ne jemi në një krizë shumë të thellë, dhe të marrësh drejtimin e PD nuk është më privilegj, është mision. Basha e ka çuar PD në pikën më të ulët, dhe është shumë vështirë për ta ringritur. Por ne jemi të gatshëm ta bëjmë nëse do të na jepet mundësia.

Shumë zëra thonë se kjo bëhet për të marrë një reagim nga Berisha, gjë që nuk ka ndodhur ende. Ju pak ditë më parë keni patur një takim me ish-kryeministrin Berisha. Si dolët nga ky takim? A është Berisha i shqetësuar për situatën në PD apo e sheh si një garë normale?
Nuk është siç e përshkruat ju, se gjithë çfarë po ndodh po kërkon reagimin e Berishës. Njerëzit mund ta mendojnë, por nuk është kjo arsyeja e këtij reagimi. Reagimi është spontan, i natyrshëm, është genuin i demokratëve, të cilët sigurisht do ta mirëprisnin një mbështetje të Berishës në aksionin e tyre, apo në atë që ata kërkojnë. Por ata nuk mund të rrinë varur në dëshirën apo vullneti i një njeriu. Unë kam patur një takim normal me Berishën, kemi patur shqetësime të përbashkëta për çështjet që folëm më lart. E kam parë shumë të shqetësuar për mënyrën sesi po reagohet, apo si e mendon ai atë që ka ndodhur në PD. Jemi ndarë pa keqkuptime, por kaq mund të them.

A ishte ai pro apo kundër kandidimit tuaj?
As ja kam kërkuar, as ma tha, dhe as ka ndonjë rëndësi apo vlerë. Kur unë e kam takuar Berishën, kandidimi im ishte një çështje e kryer nga ana ime. Kisha shprehur gatishmërinë time para 3 mln shqiptarëve. Isha i gatshëm ta sfidoja Bashën me alternativën time për udhëheqjen e PD. Ndërkohë që Basha dy ditë më vonë mori vendimin e tij, për përjashtimin tim nga gara, dhe futjen e PD në një farsë elektorale. Unë kam folur me Berishën, jo për këtë çështje, por si do ta zgjidhim ne këtë, që PD të qëndrojë e bashkuar dhe si të ringrihet shumë shpejt për të rivalizuar PS dhe Ramën, i cili është në një apogje të pushtetit të tij.

Ju personalisht mendoni se Berisha e ka çelësin në dorë për të zgjidhur këtë situatë? Ndoshta edhe ndërprerjen e garës në PD për ta bërë atë më pas më të hapur.
Unë nuk besoj tek çelësat magjikë, asnjëherë. Dhe nuk besoj se një njeri i vetëm sado i fuqishëm dhe ndikues që të jetë, t’i ketë në dorë të gjitha. Por edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, unë nuk do kisha qejf që të ndodhte, që një njeri i vetëm të ketë çdo çelës që kontrollon gjithçka, sepse unë jam kundër kësaj. PD duhet të dalë nga ky spiral. Sot ne jemi në mëshirën e një “autokratuci” do të thoja, i cili e ka personalizuar vendimmarrjen e PD, duke e kapërcyer disa herë edhe Berishën, i cili ka pasur akuza për të qenit autoritar. Por nëse ka qenë Berisha autoritar, ky lloj autoritariteti ka qenë në një farë mënyrë i gjithëpranuar nga vetë PD, ka qenë shumë natyral, dhe ka qenë në përshtatje të plotë me kushtet në të cilat është ushtruar. Basha është në kundërkohë, kundërrjedhë, dhe kundërrymë, me të gjitha zhvillimet botërore, europiane, ballkanike, shqiptare, duke u treguar si një plak në politikë, ndërkohë që duhet të sillej si një europian dhe i ri, për moshën që ka dhe për formimin. Sepse pretendon se vjen nga një shkollim perëndimor.

Çfarë mendoni se do të bëni ndryshe për PD? Çfarë platforme do të parashtronit në mënyrë që PD të hynte në shinat e duhura siç kushdo mund të mendojë nga zërat kundër, se Basha nuk do ishte mirë për drejtimin e partisë?
Nuk kam prirje për të folur për ëndrra. Unë jam realist, dhe përpiqem t’i shoh gjërat siç janë, dhe jo siç mund të jenë në ëndrra. Do ta bëja krejt ndryshe. Unë kam shumë mendime ndryshe nga Basha apo çdo politikan tjetër në Shqipëri. Mënyrën sesi unë e shoh PD në të ardhmen apo politikën në Shqipërinë, e kam paraqitur në disa pika të alternativës sime, e cila është e paplotë dhe duhet të plotësohet edhe me elementë të tjerë. Unë do të isha i gatshëm ta shpalosja nëse do të krijoheshin kushtet për një garë të ndershme.

Nëse Basha shpallet fitues çfarë do të bëni më pas?
Unë nuk kam shumë qejf të flas me nëse. Do përpiqem me të gjitha forcat e mia, bashkë me shumë kolegë dhe demokratë të irrituar me këtë që po ndodh, të ndalojmë konkludimin e një procesi farsë brenda nesh. Nuk duam të lejojmë që 22 korriku të jetë kurorëzimi i një farse të tillë. Por nëse kjo do të jetë e pamundur, edhe pse kemi ende kohë për ta ndalur, atëherë kjo do të jetë ditë shumë e zezë për PD, Shqipërinë, dhe politikën në tërësi, pasi do të jetë humbja e shansit për të pasur një opozitë reale dhe demokratike. Në raste se kjo do të ndodhë Basha do të marrë në dorë çelësat e kosheres, por bletët nuk do të jenë më aty.

Çfarë opozite shihni në 4 vitet e ardhshme, edhe me LSI-në bashkë në Kuvend?
Në rast se do më besohej mua, apo do pyetesha unë se çfarë opozitë duhet të bënte PD, unë do isha i prirur që PD të ishte lokomotiva e opozitës, siç i takon të jetë. Por mbi të gjitha PD duhet të ishte strumbullari që duhet të ftonte çdo forcë opozitare, pa asnjë kompleks, pa u ndikuar nga zhvillimet e fundit, që t’i bashkohej frontit opozitar. Sido që të vejë fati i PD në 22 korrik, jam i bindur se kjo është ajo që duhet të bëjë PD. Edhe pse me fitoren e Bashës, kjo gjë është e vështirë të ndodhë. Më vjen keq ta them por Basha është qen i rrahur përballë mazhorancës aktuale, përballë Ramës në veçanti. Dhe kjo e bën të pamundur që ai të jetë korifeu i opozitës. Kam frikë se një gjë që nuk e bën dot PD me Bashën në krye, do ta bëjnë të tjerët. Nuk është rastësi që Rama e ka identifikuar LSI si opozitë dhe jo PD.
Ne kemi humbur 200 mijë bletë në zgjedhjet që lamë pas. Pra kemi humbur mbi 30 % të kosheres. Nëse thika do çohet edhe më tej, pra Basha ta çojë përçarjen e PD edhe më keq, aty do të mbetet vetëm selia por jo demokratët. Demokratët e zhgënjyer nuk do të merren më me politikë, apo do të angazhohen më forca të tjera, dhe kjo do të sillte shkatërrimin e PD. Sado e fortë të jetë selia apo çelësat nuk e forcojnë dot partinë, PD është forcë, inspirim, vokacion, cilësi që Basha nuk i ka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: