TIRANË- PBDNJ-ja reagoi sot për disa deklarata publike, që sipas saj janë bërë nga persona të politikës në lidhje me Kishën Ortodokse. Sipas PBDNJ-së këta persona nuk duhet të ndërhynë në punët e brendshme të kishës.

Me anë të kësaj deklarate PBDNJ-ja thekson se e drejta për të folur në gjuhë amtare për personat e minoritetit etnik grek njihet edhe me Kushtetutë, duke përkrahur në këtë mënyrë edhe Kryepeshkopin Janullatus, i cili gjatë shërbesave të tij fetare flet greqisht.

Deputeti Blushi, ka qenë ai që ka deklaruar publikisht, se “Kur do vijë dita që Anastasi të flasë shqip”.

DEKLARATA E PLOTË
“Në lidhje me disa ndërhyrje personash publik, por edhe të politikës në çështje të kishës Ortodokse dhe të jetës se saj si edhe disa artikujve nervozë që vijuan në disa media por edhe në rrjetet sociale, shprehim edhe njëherë qëndrimin tonë konstant se këto çështje janë të një natyre shumë serioze, të ndjeshme dhe delikate dhe të gjithë e kemi për detyrë ti trajtojmë si të tilla. Në mënyrë të veçantë për sa i përket gjuhës adhuruese në jetën liturgjike të kishës Ortodokse, të drejtat dhe detyrimet janë përcaktuar qartë në statutin e KOASH, i cili është i njohur edhe nga shteti. Në këtë statut sikurse edhe në kushtetutë dhe legjislacionin e vendit, minoriteteve që përfshihen në grigjën Ortodokse, në veçanti besimtarëve nga radhët e minoritetit etnik grek, u njihet e drejta e përdorimit publik të gjuhës së tyre amtare, përfshirë edhe jetën kishtare, e drejtë kjo e sanksionuar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar

Theksojmë sërish se të drejtat që u takojnë bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të minoriteteve që burojnë nga fryma dhe gërma e dokumentave përkatëse dhe praktikave ndërkombëtare, në veçanti europiane, nuk mund ti nënshtrohen mentaliteteve të kufizimit gjeografik.

Logjikat që pretendojnë një situatë njëngjyrëshe në gjirin e kishës Orthodhokse në vend përbejnë një injorim naiv të realitetit për sa i përket përbërjen e grigjës të kësaj kishe dhe aventurizëm për nga pasojat e tyre.

Trajtimi i çështjeve të kësaj natyre nga ana e Kryepiskopit Anastas, kanë garantuar një klimë të paprecedentë uniteti në gjirin e kishës, duke ruajtur konfigurimin e saj kompleks dhe respektuar njëherësh përkatësinë nacionale dhe veçoritë gjuhësore të besimtarëve të saj. E kundërta do të kishte për pasojë përçarjen dhe instalimin e rrymave kishtare të cilat do të prishnin përfundimisht koherencën e saj.

Duke shprehur këto shqetësime u drejtohemi të gjithëve për më shumë seriozitet dhe vetëpërmbajte në trajtimin e çështjeve të kësaj natyre, informim real dhe kompetent të opinionit dhe jo shpifje dhe gënjeshtra. Shërbimi më i mirë që mund ti bëjmë simbiozës harmonike ndër-fetare është respektimi i pavarësisë së komuniteteve fetare, siç ajo sanksionohet në kushtetutë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: