DURRES – LSI i jep fund bojkotit dhe kthehet në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Kjo pas refuzimit në grup që bëri në mbledhjen e muajit që shkoi. Kësaj here (mbledhjen e zhvilluar pasditen e së mërkurës), LSI-ja ishte në konsensus me projektvendimet e paraqitura nga bashkia. Ndërkohë që, debatet midis mazhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë janë bërë për ndarjen e zonave që janë jashtë Bashkisë së Durrësit.

Armand Teliti i PD-së deklaroi se ka përfunduar koha kur ish-njësitë vendore jashtë Bashkisë së Durrësit thirreshin në ishkomuna e bashki dhe se tani janë pjesë e pandarë e një bashkie të madhe. Ndërsa, kryebashkiaku Vangjush Dako tha se vitin e ardhshëm do të kategorizohen zonat jashtë qytetit të Durrësit që bëjnë pjesë në bashkinë e madhe. PD-ja ka miratuar së bashku me PS-në dhe LSI-në 9 prej 10 pikave të rendit të ditës.

Debate janë zhvilluar për zënien e hapësirave publike në shëtitoren “Taulantia” në Durrës dhe për blerjen e një roboti për pastrimin e pishinës me vlerë 4.5 milionë lekë. Ndërkaq, PD-ja kundërshtoi miratimin e fondit prej 135 milionë lekësh të shpronësimit për ndërtimin e sheshit para portit detar. Gjithashtu, Teliti hodhi akuza për mosefiçencë të punës e të shërbimeve ndaj qytetarëve të punonjësve të bashkisë.

“I bëj thirrje bashkisë të rishikojë administratën e fryrë. Pjesa më e madhe e buxhetit të bashkisë shkon për pagat e punonjësve, të cilët më shumë nuk janë sesa janë në punë. Ndërkaq, denoncoj edhe pagat e kryepleqve të fshatrave, të cilët janë zgjedhur në mënyrë manipulative”, – tha Armand Teliti.

Nga ana tjetër, Dako deklaroi se të gjithë kryepleqtë e fshatrave janë miratuar me vendim të këshillit bashkiak. Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Durrësit, të gjithë këshilltarët i thanë ‘OK’ vendosjes së emrit Juxhin Guza (volejbollistit të talentuar që u vra 5 vjet më parë) një rruge në Durrës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb