*Policia: Nuk ka asnjë urdhër-kërkimi për Agron Xhafajn, PD të ndalë abuzimet

TIRANE– Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, se “donin të kapnin drejtësinë” për të shpëtuar vëllain këtij të fundit.

Në një deklaratë për mediat të PD, thuhet se “se Venezuela ka sjellë në Shqipëri një kërkesë ekstradimi për vëllain e Xhafës në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, zbulon nevojën e tij për të qenë në krye të reformës e për të kapur me çdo kusht drejtësinë”.

DEKLARATA E PLOTË

Faktet e fundit në lidhje me të kaluarën kriminale të vëllait të Fatmir Xhafës, të caktuar nga Edi Rama në krye të komisionit për Reformën në Drejtësi, nxjerrin në pah këmbënguljen në skemën për kapjen e prokurorëve dhe gjykatësve, e gjithë institucioneve përmes kunetërve e besnikëve të devotshëm.

Sidomos lajmi se Venezuela ka sjellë në Shqipëri një kërkesë esktradimi për vëllain e Xhafës në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, zbulon nevojën e tij për të qënë në krye të reformës e për të kapur me çdo kusht drejtësinë.

Nëse do funksiononte skema Xhafaj-Rama, me kunatin Berberi e vasalin Dvorani, e të tjerë toga kamikaze, dosja e drogës do pastrohej, e kaluara do fshihej, trafikanti ndërkombëtar që e ka vëllain kryetar të Reformës në Drejtësi do të shpëtonte.

Por Rama, Xhafaj bashkë me vëllanë në kërkim ndërkombëtar për trafik droge nga Venezuela në Spanjë e Itali, nuk ia dolen dot të nënshtronin drejtësinë dhe standardet e Venecias e përkushtimi i opozitës dogjën skemën e tyre mafioze.

Pse hesht Xhafaj për faktet që kanë dalë në dritë?
Pse nuk reagon Rama?

E provuan duke fshehur kërkesen e Belgjikes për Frrokun dhe dështuan. Sa herë kanë ndërmend të qendrojnë mbi ligjin për interesat e krimit? Tik-taku i kohës se bandës po ecën me shpejtësi. Po vjen ora e ligjit dhe e drejtësisë.​

POLICIA: NUK KA ASNJË URDHËR-KËRKIMI PËR AGRON XHAFAJN, PD TË NDALË ABUZIMET
Policia e Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së PD, duke theksuar se nuk ka asnjë urdhër-kërkimi apo urdhër-arresti për shtetasin e përmendur në deklaratën e subjektit politik Partia Demokratike.

“Nga kontrolli i plotë dhe i hollësishëm në sistemin e kërkimit të Interpol nuk figuron asnjë material, kërkesë për informacion, verifikim apo urdhër arresti nga asnjë Zyrë homologe për shtetasin Agron Xhafa/j. Policia e Shtetit fton Partinë Demokratike të ndalë abuzimet. Në rast se PD kërkon të vërtetën, është e ftuar t’i drejtohet autoriteteve, te cilat janë të gatshme në çdo kohë për të ofruar informacionin e kërkuar”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: