KORÇE – Dega e PD Korçë ka denoncuar sot publikisht Bashkinë e qytetit për detyrimet e papaguara ndaj ndërmarrjes së OSSHE. Sipas PD-së ky skandal kap shumën e afro 60 milion lekëve te vjetra përgjatë një periudhe disa vjeçare.

“Sot ne denoncojmë publikisht këtë akt të rëndë të grabitjes së shtetit nga institucionet shtetërore. Partia Demokratike ngre zërin për paratë e taksapaguesve korçarë që zhduken në eter dhe nuk dihet ku shkojnë. Qytetarët ne qendër dhe periferi paguajnë taksat për ndriçimin e qytetit dhe nga bashkia marrin si shërbim errësirën”, ka deklaruar PD, Korçë.

Selia blu në Korçë i ka kërkuar llogari kreut të bashkisë, Sotiraq Filo të tregojë se ku përfundojnë lekët e taksapaguesve për ndriçim.

“Zoti Kryetar i bashkisë, qytetaret korçarë kërkojnë nga ju: Pse Bashkia nuk paguan faturat disa vjeçare te energjisë dhe ku përfundojnë lekët e taksapaguesve për ndriçim?
Para syve tanë në mes të ditës po ndodh një skandal korruptiv i dyfishtë, ku bashkia nuk paguan faturat e dritave dhe nëpërkëmb interesat e komunitetit për ndriçim. Kjo shkelje e rëndë cenon transparencën me taksat dhe shkel frymën e ligjit për pagesat e energjisë”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Përfaqësuesit e PD-së në Korçë janë shprehur se “në Shqipëri, ligji ka dy standarde, nga një njëra anë për mospagesë të faturave përfundojnë në burg me qindra qytetarë përfshirë dhe një nënë me fëmijën e saj të mitur, ndërsa institucioni kyç vendor sikurse është bashkia, duhet të grabisë taksapaguesit”.

“Ku shkoi morali i Rilindjes për shtet ligjor dhe luftë pa kompromis për vjedhësit e energjisë? Ky është pushteti i votave të blera me një qëllim për të rritur pasurinë dhe mirëqenien e rilindësve dhe për të thelluar skamjen dhe errësirën e gjithë taksapaguesve shqiptarë. Sot i bëjmë thirrje kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të energjisë të reagojnë menjëherë dhe të vejnë përpara përgjegjësisë autorët e kësaj shkeljeje flagrante, të cilët gjenden në kupolën e vendorëve korçarë”, përfundon deklarata e degës së PD, Korçë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb