TIRANË – Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i ka bërë thirrje kreu të Parlamentit të japë dorëheqjen. “Qytetarët presin vetëm një fjalë nga ai, që të japë dorëheqjen dhe Ilir Meta nuk do të mund të sfidojë ligjin, Kushtetutën, drejtësinë dhe popullin. Numërimi mbrapsht ka nisur!”

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Paloka tha sot se “Ilir Meta tregoi mbrëmë se është një i dëshpëruar që flet përçart për të shpëtuar nga akuza më e rëndë e 25 viteve në politikë, ajo e porositjes së vrasjes së dy deputetëve. Ai është akuzuar nga radhët e mazhorancës, me zë e me figurë, se ka paguar për eleminimin fizik të dy deputetëve, ndërkohë që sheh si komardare shpëtimi sulmin ndaj opozitës.

Dje Ilir Meta u shfaq si njeriu që ka kryer krimin dhe kërkon të lajë duart: Ai pranoi se akuzat e Tomë Doshit janë mbajtur të fshehura për 6 muaj, dhe tani që ai është përjashtuar nga grupi i Partisë Socialiste, këto akuza nuk paskan më vlerë. Gjithashtu, Meta konfirmoi akuzën kryesore të Partisë Demokratike, kur tha se kishte ftuar dhe takuar familjarë të deputetit Fufi, me një qëllim; që t’i faturonte opozitës porosinë për vrasjen e tij.

Kontradiktor dhe kaotik, Ilir Meta është sot në sytë e mbarë opinionit publik, nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve. Askush nuk e njeh më për kryetar kuvendi një person nën akuzën më të rëndë të Kodit Penal, e megjithatë Ilir Meta nuk jep asnjë shenjë përgjegjshmërie, – theksoi Paloka.

Ndaj, në vijim ai paralajmëroi: “Shqiptarët presin vetëm një fjalë nga Ilir Meta; të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë. Situata është shumë e rëndë, dhe ka vënë në provë themelet e ekzistencës së shtetit, ndërsa Ilir Meta vazhdon të fshihet, vazhdon të rrijë i lidhur me çdo kusht pas karriges. Duke qënë numri dy i shtetit, Ilir Meta e pengon drejtësinë, dhe ushtron pushtetin e tij për ta ndalur hetimin dhe zbardhjen e të vërtetës.

Qytetarët presin vetëm një fjalë nga ai. Që të japë dorëheqjen. Dhe Ilir Meta nuk do të mund të sfidojë ligjin, Kushtetutën, Drejtësinë dhe popullin.

Numërimi mbrapsht ka nisur. Të enjten, shqiptarët më të bashkuar se kurrë, do të nisin aksionin për ta çliruar politikën, parlamentin dhe vendin nga sundimi i krimit. Nuk do të ndalemi derisa e drejta të triumfojë. Të gjithë të bashkuar, më 12 mars në orën 11.00 në Sheshin Skënderbej, – përfundoi kreu i grupit parlamentar demokrat.

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb