TIRANE- Kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në PD, Ervin Salianji në emër të Partisë Demokratike denoncoi sot atë që e quan shpërdorim të pushtetit dhe të fondeve publike. Sipas tij, kryministri i vendit, Edi Rama ka abuzuar me buxhetin e shtetit për të gjelbëruar rrugën e shtëpisë së tij të re, në Surrel të Dajtit. Por nuk ka mbetur pa përgjigje kjo akuzë nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili ka reaguar në faqen e tij të Facebook.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Salianji tha se “ky akt i rëndë i abuzimit dhe i dërgimit të buxhetit të taksave të qytetarëve sipas preferencave personale, është dëshmi e Shqipërisë paralele të kryeministrit, pa asnjë kontakt me realitetin e thellimit të varfërisë, të mungesës mungesës së vendeve të punës, të rritjes së taksave e cmimeve dhe kostos së jetesës”.

Salianji, e konsideroi këtë vendim të Ramës, si një masë për të rritur luksin e tij personal, në kohën që shqiptarët po vuajnë cdo ditë e më shumë varfërinë e thellë. “Po ju paraqesim sot një dokument, një vendim i cili tregon se si në mënyrë klienteliste dhe në mënyrë preferenciale shkojnë fondet publike të kësaj qeverie. Me vendimin numër 17 të datës 19 Nëntor 2014, Kryeministri dhe qeveria kanë dhënë 429 milionë lekë për gjelërimin anësor të rrugës së Surrelit që është edhe shtëpia e Kryeministrit. Meqënëse Kryeministri do të vijë në Janar në shtëpinë e re, në nëntor ka sjellë 429 milionë lekë për gjelbërim. Dhe siç e shihni, kjo zonë nuk është një zonë që nuk ka gjelbërim por kjo shërben që Kryeministri të ndërtojë Shqipërinë e tij nga zyra në shtëpi”, tha Salianji.

Sipas tij, “Shqiptarët paguajnë më shumë taksa, paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë. Heqin bukën e fëmijëve dhe familjes për ta paguar taksat dhe çmimet e rritura për këtë qeveri. Dhe qeveria çfarë bën? Nuk i çon fondet publike për të rritur punësimin. Nuk i çon fondet publike aty ku sillet zhvillim. Por i çon fondet publike për të ndërtuar një Shqipëri paralele, një Shqipëri të luksit që nis nga zyra e Kryeministrit dhe ministave dhe përfundon tek shtëpia personale e kryeministrit”, theksoi kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike.

Nërkohë kryeministri Rama përdori shprehjen e tij të preferuar “Vaj medet PD”.

“Fonde publike për të gjelbëruar rrugën e shtëpisë time?! ‪#‎VajmedetPD që akoma nuk mësuat rrugët e Tiranës po s’e mos vetëm rrugët xhanëm”, ka shkruar Rama në Facebook.

 

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: