TIRANË- Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se ka ua ka besuar pasurinë e shqiptarëve kompanive fantazmë, duke sjellë si shembull rastin e 1700 hektarëve tokë në Karben. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se ‘pasi krijoi mjegullën e duhur me zhurmën për reformën në drejtësi, Edi Rama urdhëroi kartonat e tij në parlament për të kaluar një prej aferave më të dyshimta e korruptive të këtyre tre viteve, sic është koncesioni i Karpenit në Kavajë’.

“1700 hektarë tokë në zemër të vendit, në një prej zonave më të kushtueshme, i fluturoi Edi Rama me një të rëndë të lapsit sa në Londër, sa në Singapor, nëpër kompani fantazëm, dhe sot që flasim askush nuk e di se cilin bëri shefi i rilindjes pronar të kësaj pasurie të shqiptarëve. Një projekt i dyshimtë, në mungesë totale transparence”, tha Tabaku.

Sipas saj, fillimisht, Edi Rama ia dha këto 1700 hektarë kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh.

“Ia dha kompanisë me 100 paund, me ca copa letrash ku flitej për ndërtimin e një kompleksi laraman, me lloj-lloj objektesh të planifikuara aty. Kjo kompania 100 paundëshe, sipas Edi Ramës do na investoka 5 miliardë dollarë në Karpen, aq sa gjysma e produktit të brendshëm bruto. Nga ana tjetër, qeveria nuk tregon se në cilin plan territorial është mbështetur, në cilin plan zhvillimor është menduar, ku është studimi i feasibilitetit dhe ku është projekti duke shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit”, deklaron Tabaku.

Ajo thekson se ‘më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit. E njëjta skemë si me koncesionin e TVSH që opozita kundërshtoi dhe detyroi qeverinë të tërhiqej’.

“Ky së bashku me Koncesionin e Rrugës së Kombit, është një skandal mbi skandalet në përmbledhjen e gjatë të abuzimeve 3 vjecare të Edi Ramës. Si mundet një kryeministër të hedhë sa në një cep të botës në tjetrin 1700 hektarë të pasurisë kombëtare? Si mundet të flakë në rugë pronat e 220 familjeve që nuk e dinë se cdo të ndodhë nesër me ta? Kush fshihet pas këtij projekti? Cilat janë interesat personale të Edi Ramës? Cili klient favorizohet nga këto afera?”, ka pyetur deputetja demokrate.

Ajo deklaroi se Edi Rama duhet të bëjë urgjentisht transparencë e të japë llogari për këtë rast. “Partia Demokratike do të vendosë para ligjit autorët e do të vazhdojë të denoncojë këtë koncesion korruptiv e këtë zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, si shumë afera të tjera të kësaj qeverie e oligarkëve të saj!”, përfundoi Tabaku.

REAGON MINISTRJA EKONOMI: DEKLARATE DASHAKEQE, DEMTON SHQIPERINE
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ka reaguar pas deklaratës së PD, duke e cilësuar atë dashakeqe. Në një reagim për mediat, ministrja thotë se deklaratë të tilla dëmtojnë ekonominë dhe imazhin e vendit përballë investitorëve të huaj.

REAGIMI I PLOTE
Deklarata e PD tërësisht dashakeqe. Ja e vërteta e Portit të Karpen
Deklarata e deputetes të Partisë Demokratikë, Jorida Tabaku, e cila e quan investimin strategjik të portit të Karpenit një aferë korruptive, është tërësisht dashakeqe e cila nuk bën gjë tjetër veçse dëmton imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes sqaron se: lidhur me projektin e investimit për ndërtimin e Portit të Karpenit, kujdesi ynë për të mbrojtur interesat e vendit ka qenë e do të mbetet i plotë, transparent dhe primar, ndryshe nga koha kur qeveria e djeshme lëshonte koncesione preferenciale tek sekserët e qeverisë Berisha, apo koncesione tërësisht në dëm të interesit publik.

Duke marrë parasysh kompleksitetin e këtij projekti, ndërtimi i portit, ngritja e një zonë ekonomike mbështetëse, dhe ndërtimi i TEC-it, por edhe për madhësinë e investimit, tre ministritë, MZHETTS, MEI dhe MTI, kërkuan që Parlamenti t’i japë të drejtën vetëm për të negociuar.

Theksojmë që nuk është lidhur asnjë kontratë me propozuesit e projektit. Qeveria shqiptare thjesht i ka kërkuar Parlamentit lejen për të hyrë në bisedime me propozuesit e investimit strategjik dhe për të negociuar kontratën, sipas ligjit në fuqi për këtë investim: më i madhi këto 25 vitet e fundit në Shqipëri, që do t’i hapi rrugën 70.000 vendeve të reja pune.

Kjo nënkupton një filtrim më të detajuar dhe mbi baza dokumentesh zyrtare, jo vetëm të “Star Bridge Port Development Limited”, por edhe të gjithë kompanive investuese e zbatuese të projektit.
Ligji i miratuar, duke vlerësuar momentin e negocimit dhe nënshkrimit të kontratës si moment shumë të rëndësishëm, ka parashikuar edhe marrjen e asistencës dhe konsulencës së huaj.

Theksojmë se, kjo konsulencë do të kryejë vlerësime ligjore dhe financiare për të arritur në një kontratë me garanci sa më të forta për shtetin shqiptar. Kontrata do të përfshijë detyrimet kontraktuale, garancitë financiare, sanksione në rast të mosrealizimit të projektit sipas kontratës, afate detyruese dhe përgjegjësi të tjera.

Reputacioni dhe eksperienca e kompanive, amerikane, angleze dhe turke, investuese dhe zbatuese, që do të implementojnë projektin nëpërmjet “Star Bridge Port Development Limited”, është një garanci më shumë dhe shtysa kryesore që na ka çuar të ndërmarrim këtë iniciativë.

Kompanitë së bashku kanë realizuar një xhiro vjetore prej 21 miliardë dollarë për 2014, kanë punësuar 120.000 persona dhe kanë realizuar projekte me vlerë prej 60 miliardë dollarë.

Shuma prej 100 stërlina i referohet çmimit të regjistrimit në Mbretërinë e Bashkuar. Për analogji do t’i referohemi legjislacionit shqiptar në fuqi, që lejon regjistrimin e një shoqërie tregtare edhe me një minimum kapitali prej 100 lekë.

Subjekti i krijuar për një qëllim të veçantë (SPV) u shërben kompanive investitore dhe atyre zbatuese për të sjellë propozimin para qeverisë shqiptare dhe për të filluar negociatat për këtë projekt.
Në çdo rast, para nënshkrimit të kontratës, “Star Bridge” do të regjistrohet si SPV sipas parashikimeve të legjislacionit shqiptar dhe do të ofrojë të gjitha garancitë e nevojshme të performancës.

Aktualisht, për Qeverinë Shqiptare nuk ka asnje risk. Nuk ka asnjë marrëdhenie juridike formale të lidhur me ndonjë subjekt, përfshi edhe “Star Bridge”. Ligji është vetëm leja formale e fillimit të negociatave, dhe si asnjëherë më parë, e bën transparent procesin e këtij investimi, nga fillimi e deri në fund.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: