TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë djalit të nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj me koncesion për 25 vite hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë pa transparencë dhe pa garë. Sipas deputetes demokrate, Liliana Elmazi, çdo mall që do transportohet për 25 vite dhe çdo udhëtar që do të përdorë këtë linjë do paguajë paratë tek biznesmeni Arian Leskaj.

“Edi Rama ka vendosur t’i japë mikut dhe donatorit të tij, djalit të Valentina Leskajt, një ekskluzivitet qeveritar, për 25 vite. Hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë. Çdo mall që do transportohet për 25 vite, çdo pasagjer që do udhëtojë për 25 vite në këtë linjë, do paguajë paratë tek biznesmeni Arian Leskaj, mik i vjetër i Bashkisë së Edi Ramës, djali i nënkryetares së Kuvendit. Ky koncesion është bërë pa transparencë, pa garë, pa asnjë njoftim. Kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh në vit, duke ditur se në hekurudhën Leskaj, do të transportohet nafta që prodhohet në Ballsh, e cila shkon në Vlorë për t’u tregtuar më pas në Europë”, tha Elmazi.

Sipas saj, me filozofinë pa tender, me fitues të paracaktuar, që janë gjithnjë miqtë e Edi Ramës po jepen çdo ditë ekskluzivitete për dekada të tëra.

“Çdo ditë, pas çdo tenderi, pas çdo koncesioni, pas çdo pasurie kombëtare po shfaqet një mik i Edi Ramës, që ndan fitimet më të. Edi Rama është sot kryeministri më i korruptuar në Ballkan, dhe sipas raportit të punës së OSBE pasuria e tij llogaritet mbi 200 milionë euro. Pasuri e cila po rritet çdo ditë, pasi fondet shpërndahen nga Edi Rama, i cili cakton xhepat se ku duhet të shkojnë paratë e shqiptarëve, duke i ndarë ato me miqtë dhe ndërtuesit e tij personal”, tha deputetja demokrate.

MT: PD KEQINFORMON, KOMPANIA FITUESE E VETMJA OFERTE
Ministria e Transportit i përgjigjet akuzave të ardhura nga selia e Partisë Demokratike, Nëpërmjet një deklarate për shtyp, MT sqaron se deklaratat e opozitës janë keqinformuese dhe jo reale pasi për hekurudhën në fjalë procedura konkurruese ka qënë e hapur konform ligjit. Sipas MT-së fituese u shpall kompania e vetme që dha ofertë.

“Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës sqaron opinionin publik, se proçedura konkuruese për konçesionin për rehabilitimin e segmentit hekurudhor Fier-Ballsh-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor. Deklarata e bëra nga opozita janë keqinformuese dhe nuk tregojnë realitetin. Më poshtë janë të dhënat kronologjike në lidhje me këtë konçesion, që tregojnë se Agjensia e Prokurimit Publik ka bërë botimin për ftesën për ofertë në datën 8 qershor deri në datë 30 korrik 2015, rreth 50 ditë. Ndërsa fituese u shpall oferta e vetme, që erdhi nga bashkimi i kompanive “ALB STAR” shpk dhe “Matrix Construction” shpk. Nga studime të shumta, infrastruktura hekurudhore në tërësi dhe ajo e këtij segmenti në veçanti, paraqitet tejet e amortizuar dhe kërkon ndërhyrje. Për këtë arsye MTI, nëpërmjet një politike të hapur zhvillimore për infrastrukturën e transportin në Shqipëri, inkurajon biznese, vendas apo të huaj, të ndërmarrin iniciativa të partneritetit publik privat për realizimin e projekteve infrastrukturore, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët”,- sqaron MT-ja ndërsa jep më tej disa të dhëna për këtë konçension.

TË DHËNAT PËR KËTË KONÇESION.
Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fier – Ballsh dhe Ballsh – Vlorë do të jepet me konçesion për një periudhe prej 25 vjetësh, brenda së cilës do të përfshihen: Periudha për rehabilitimin e segmenteve hekurudhore dhe periudha e operimit.
Investimi parashikon rinovimin e linjës dhe investime për mirëmbajtje dhe mjedisin. Pas shqyrtimit të Draft Studimit të Fizibilitetit, me Urdhër Ministri 54, 10 Prill 2015, është miratuar studimi i fizibilitetit “Për dhënien me konçension të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë”.
1- Në datë 18 Maj 2015, Komisioni i Dhënies së Konçensionit, i paraqet Ministrit relacionin e hartimit të Dokumentave Standarde të Procedurës Konkurruese, në zbatim të Ligjit 125/2013 dhe VKM 575/2013; dhe vendimin e datës 19 Maj 2015 për miratimin e këtyre dokumentave.

2- Me shkresë Nr. Prot. 3178, datë 2 Qershor 2015, MTI i dërgon për botim ftesën për ofertë Agjencisë së Prokurimit Publik.
3- Agjencia e Prokurimit Publik bën botimin e ftesës për ofertë në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 22, datë 8 Qershor 2015, që mund të shihet në https://ëëë.app.gov.al/ep/2015_Arkiva_e_Buletineve.aspx .
4- Në datë 30 Korrik 2015, ora 15:00, Komisioni i Dhënies së Konçensionit hap ofertat për projektin, ku rezultonte vetëm një ofertë.
5- Në datë 26 Gusht 2015, ora 11:00, Komisioni i Dhënies së Konçensionit konstatoi se në sistemin elektornik të prokurimit kishte vetëm një ofertë, nga Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “ALB-STAR” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Në përfundim të vlerësimit të përpuethshmërisë me Dokumentat Standarte të Konkurimit rezultoi se Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive përmbushte kapacitetet dhe kualifikohet për fazën e mëtejshme.
6- Me vendim të datës 31 Gusht 2015, Komisioni i Dhënies së Koncensionit, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k., konstatoi se:
• Koha e zbatimit te punimeve 46 muaj
• Vlera e investimit 1,394,569,680 lekë (infrastrukturë)
742,000,000 lekë (pajisje)
• Vlera e “Fee koncesionare” është 2.2% . Aktualisht, palët janë në fazë negocimi të kontratës koncensionare.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb