*Mediat italiane: Ndalohet banda e kokainës, kapet Artur Bushi i quajtur “Turi”

TIRANË- Partia Demokratike deklaroi sot se kryeministri Rama refuzon dekriminalizimin dhe kandidon në Krujë një person të arrestuar për drogë. Duke iu referuar artikujve të disa mediave italiane, 5 vite më parë, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka ofruar edhe fakte në lidhje me akuzat mbi kandidatin e PS-së për Bashkinë e Krujës, të cilat sipas tij  tregojnë se kryeministri po thellon inkrimimin, duke bërë pakte me trafikantë.

“Edi Rama mbahet se e njeh mirë italishten dhe e viziton shpesh vendin fqinj. Ka qenë edhe në zonën e Varezes në Lombardi. Ja çfarë shkruan një gazete atje në 12 qershor të vitit 2010, rreth ndalimit të një bande që trafikonte drogë nga Holanda në Itali. “Arrestohet Artur Bushi, detto “Turi””, shkruan media italiane. “Una vera e propria banda”, thotë Varese neës. Media prej disa kohësh ka publikuar të dhëna për këtë ngjarje të arrestimit për drogë të deputetit të Edi Ramës, Artur Bushi. Ja ku është gazeta italiane. Kryeministri ynë italishtfolës, që e përzgjodhi detto “Turi”, për ta futur në parlament, tani ka vendosur ta kandidojë atë për kryetar të Bashkisë së Krujës. Shini tabelën në ekran. Aty është fotoja e kandidatit të Edi Ramës për Krujën. Kjo nuk është një tabelë e nxënësve të dalluar, por është shpallje e policisë italiane për bandën e drogës. Me kandidimin e Bushit, Edi Rama ka vendosur zyrtarisht të dalë kundër dekriminalizimit”, deklaroi Paloka.

Kreu i Grupit të PD-së tha se Rama po sfidon hapur qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë duke mbrojtur deri në fund skemën e tij kriminale.

“Jo vetëm e përzgjodhi dhe i hapi dyert e parlamentit, por tani kryeministri po e thellon inkriminimin duke bërë një pakt tjetër me trafikantin, duke u përpjekur për ti dhënë më shumë pushtet, duke sfiduar hapur qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë. Rama po del faqe botës jo vetëm si personi që hapi dyert e vërshimit të krimit në administratë, institucione e parlament, por edhe si kryeministri që mbron deri në fund skemën e tij kriminale. Nuk do t’ia dalë dot, kundër të gjithëve, kundër qytetarëve të vendit, kundër partnerëve ndërkombëtarë, kundër opozitës, kundër nevojës së kohës”, tha ai.

Paloka theksoi se qytetarët do refuzojnë trafikantin dhe do zgjedhin ofertën e re të PD-së. Sipas tij, dekriminalizimin do ta bëjnë vetë shqiptarët më 21 qershor.

“Ora e drejtësisë po vjen. Tani dekriminalizimin do të bëjnë qytetarët e Krujës, duke refuzuar trafikantin, e duke zgjedhur ofertën e re. Dekriminalizimin do ta bëjnë mbarë shqiptarët me 21 qershor, duke refuzuar skemën kriminale, etërit e saj, Edi Rama dhe Ilir Meta”, përfundoi ai.

PS: SHPIFJE, JA CERTIFIKATA ITALIANE QË TREGON SE BUSHI NUK ËSHTË DËNUAR NË ITALI
Deputeti i PS-së, Ulsi Manja i përgjigjet akuzave të ardhura nga selia blu për Astrit Bushin, duke paraqitur një çertifikatë pafajësie të tijën, të lëshur nga Ministria e Drejtësisë italiane, sipas të cilës Bushai rezulton të jetë i padënuar në Itali.

“Sa i përket rastit të deputetit Bushi, pavarësisht shpifjes së radhës nga Shqupi, institucionet italiane e kanë pajisur shtetasin shqiptar me certifikatë pafajësie, e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë italiane, që shkruan të zeze mbi të bardhë se Artur Bushi është i padënuar ne Itali”,- deklaroi Manja.

Artur Bushi dokument

Manja më tej akuzon PD-në se kanë kandiduar një të sapodënuar me vendim gjykate për një nga bashkitë kryesore në vend.
“Lajm i mirë që për dekriminalizimin nuk po flet më Ristani apo Lulzim Basha, njëri i dënuar, tjetri që nga dënimi ka shpëtuar me procedura, por që sot duhet të përballet sërish me drejtësinë. Gjejnë kurajo për të folur ata që kanë kandiduar për një nga bashkitë kryesore të Shqipërisë një individ të sapodënuar, me vendim gjykate”,- tha ai.

MEDIAT ITALIANE
Mediat italiane shkruanin në vitin 2010 se si Policia kishte arritur të identifikonte dhe më pas arrestonte një bandë të trafikut të drogës, pjesë e së cilës shkruhej se ishte edhe Artur Bushi. Artikulli i VareseNews shkruante “Kapet “Banda e Moriggias’’, ndalohet lumi i kokainës. Grupi shqiptar, çdo muaj importonte nga Amsterdami sasi të mëdha droge, e destinuar e gjitha në Italinë veriore. Milionerë fitimprurës, organizatë shkencore”.

Në artikull përmendën emrat e anëtarëve të kësaj bande. “Bledar Debrova, shefi i quajtur “Debli”, 34 vjeç; Ndricin Hidraliv, quajtur “Cini”, 30 vjeç; Bujar Hasani quajtur ‘’Polpetta’’, 26 vjeç, Roland Abesci quajtur “Landi” lindur në 1964, Artur Bushi quajtur “Turi” 34 vjeç, Besim Kadiv dhe Erjan Tarja quajtur “Eri” 27 vjeç. Një grup i vërtetë me role të mirëcaktuara aq sa edhe komandantit të Policisë së Shtetit të Gallarates Franko Novatit, i cili në marrëveshje me prokurorin në Busto Arsizio ka udhëhequr hetimet, i rikujtuan qëndrimet tipike të “mafias tonë” hierarkisë, organizimit, kohezionit, përkushtimit ndaj familjes dhe traditave”, shkruante VareseNews.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: