TIRANE- Partia Demokratike ka lëshuar akuza për të dytën herë radhazi ndaj kryeministrin Edi Rama se ka favorizuar sërish Sadri Abazin, duke i dhënë një tjetër tender. Në një dalje publike për mediat, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa pohoi në emër të opozitës se Abazi ka marrë së fundmi tenderin për ndërtimin e shkollës në Maqellarë, me vlerën totale prej 790 milionë lekësh.
Oferta, 98 milionë lekë më shumë se të tjerët. Deklaratë e zëdhënëses Ina Zhupa.

“Nuk ndalen tenderat që Edi Rama ndan mënjanë për oligarkun e tij Sadri si këste për blerjen e votës në Dibër dhe pasurimin e tyre të metejshëm. Çdo tender është i vlefshëm për të marr copën e radhës nga paratë e shqiptarëve për interesat klienteliste e të mbajtjes së pushtetit me cdo kusht. Sadriu i Ramës ka kapur së fundmi tenderin për ndërtimin e shkollës në Maqellarë, me vlerën totale prej 790 milione lekësh. Edhe kësaj rradhe si përherë me tenderat e Ramës për Sadriun fiton oferta më e lartë, e kompanisë së tij Alko Impex, me diferencë me ofertën më të ulet me 98 milion lek.”, thuhet në deklaratën e PD.

Më tej aty shtohet se: “98 milion lekë më shumë që i jepen njerit prej të dërguarve me punë votash në Dibër, Sadriut, në kurriz të qytetarëve. Me këto para që ju përkasin qytetarëve mund të ishin paguar 1430 pagesa papunësie për dibranët, mund të kishin një punë me page minimale 445 pjestarë te familjeve dibrane. Me këto para mund ti merrnin pensionin e tyre për një jetë me pak më shumë dinjitet 652 pensionist në qytet dhe 1186 pensionistë në fshat. Por jo, asgjë nga këto nuk ndodh sepse Rama zgjedh ti shpërdoroj paratë e qytetarëve duke ja dhënë oligarkut të tij me mision të veçantë. Ndërsa qytetarët do zgjedhin shumë shpejt që të përdorin votën e tyre për të larguar nga pushteti në Dibër e më pas në gjithë Shqipërinë të gjithë Ramët dhe Sadritë e tyre. Shqipëria do jetë më mire pa Edi Ramën.”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb