TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar sërish dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në një reagim pas deklaratave të Tahirit në dalje nga takimi me Kryeprokurorin Adriatik Llla, PD thotë se ai nuk mund të hetohet për akuzat ndaj tij për sa kohë si Ministër i Brendshëm e ndan pushtetin me bandat e drogës.

“Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri për akuzat tronditëse ndaj tij, përsa kohë si Ministër i Brendshëm e ndan pushtetin me bandat e drogës. Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër i Brendshëm është në ortakëri me Habilajt e Shullazët. Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër e Brendshëm thërret në zyrë Prokurorin e Përgjithshëm dhe autoritete të tjera të hetimit. Vetëm largimi i tij nga detyra dhe asistenca e ekspertëve të kualifikuar euroatlantikë, sigurojnë kushtet për një hetim të plotë dhe objektiv”, thekson PD.

Selia blu deklaron se “Akuzat janë më të rëndat për një ministër të brendshëm dhe provat e faktet e lidhjes së tij me bandat e trafikut të drogës janë bërë publike.”

“Mjetet e tij private, makina dhe skafi janë përdorur nga bandat e trafikut të drogës, dhe këta trafikantë kanë imunitet, policia nuk i ndalon, ata lëvizin lirshëm dhe ushtrojnë lirshëm aktivitetin kriminal. Prova dhe fakte për këto akuza tronditëse, e sërish Tahiri nuk mban përgjegjësi, madje dhe mashtron, si sot në parlament kur tha për avionin tjetër me drogë të nisur nga Shqipëria që u kap në vendin fqinj, se mjeti po lëvizte brenda për brenda Italisë. Por policia italiane e përgënjeshtroi duke konfirmuar se avioni ishte ngarkuar dhe ishte nisur nga Shqipëria”, thuhet në reagim.

PD shprehet se “I diskredituar publikisht, nën akuzë për drejtimin e trafikut të drogës, ai ka guximin të shkojë në Prokurori, për të kërkuar certifikatë virgjërie. Nuk ka gomone shpëtimi për këtë ministër të zhytur në trafikun e drogës. Duhet të largohet nga detyra menjëherë, e të bëhet subjekt i drejtësisë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: