TIRANË- Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka denoncuar sot abuzimet me fondet publike, sipas saj të bëra nga dy kandidatë të LSI-së në Pogradec, Diana Mile dhe Roshi Tollozhina. VOkshi tha se abuzimet me fondet e qytetarëve të cilët vuajnë për bukën e gojës tregojnë se kjo mazhorancë nuk ka prioritet hallet e qytetarëve, por të marrë sa më shumë nga paratë e tyre.

“Rasti i fundit është ai i Pogradecit. LSI në Pogradec kandidon për Kryetare Bashkie një Binom aferash korruptive me fondet publike, Kryetarin e Komunës Buçimas në Pogradec Roshi Tollozhina dhe Drejtoreshën e Urbanistikës së kësaj Komune Diana Mile. Këta dy persona, kanë shpërdoruar dhe abuzuar sistematikisht me fonde publike”, tha Vokshi, duke parashtruar më pas disa raste sipas saj të abuzimit.

“Gjithashtu, Kompania RD2, me administratore në themelim Diana Mile, me ortak dhe administrator aktual shoferin e Kryetarit të Komunës Ervin (Alban) Abazi, e njohur nga publiku si Kompania e skandalit të kripës dhe mirëmbajtjes së rrugës nacionale të Qafë-Thanës, përgjatë vitit të fundit ka marrë nga Komuna Buçimas fonde publike në vlerën: 67.739.290 lekë. Domethënë, kryetari i komunës i kalon fondet e komunës, fondet e qytetarëve, drejtoreshës së tij dhe shoferit të tij”, deklaroi deputetja e PD-së.

Më tej ajo tha se kompania RD2, sipas dokumenteve të deklaruar pranë Degës së Thesarit, furnizon Komunën me karburant dhe vaj, ndërkohë që nuk zotëron asnjë pikë karburanti në gjithë territorin e Republikë së Shqipërisë.

“Roshi Tollozhina dhe  Diana Mile, kandidatja e LSI për kryetare në Pogradec  kanë edhe afera të tjetra korruptive me fondet publike. Kështu, Diana Mile drejton një “Shtëpi të Gjelbër”, që përfiton fonde publike direkt nga Komuna. Vetëm për vitin 2014 kësaj OJF-je i është dhënë nga Komuna vlera prej: 22.400.000 lekësh. Këto fonde kryetari ia ka dhënë drejtoreshës së tij, sot kandidate e LSI për bashkinë e re Pogradec, brenda një hapësire kohore prej 10 ditësh për “furnizime dhe materiale zyre”. Nuk mbaron këtu, Kryetari i komunës Buçimas, i ka dhënë babait të Drejtoreshës së Tatimeve të Komunës drejtues i kompanisë ADA CO për vitet 2014-2015: 270.323.300 lekë”, tha Vokshi.

Pra siç shihet të nderuar qytetarë, -u shpreh më tej deputetja demokrate- fondet Publike në Komunën Buçimas, drejtuar nga LSI, ndahen brenda drejtuesve të vetë institucionit ku pjesën më të madhe e ka përfituar kandidatja e LSI për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile.

“Por a munden qytetarët e mençur të Pogradecit të votojnë për Diana Milen, kandidaten e LSI-së që ka përvetësuar dhe abuzuar me fondet e tyre? Ftoj Ramën dhe Metën që sot të japin shpjegime pse ata zgjodhën pikërisht Diana Milen për të kandiduar për Bashkinë Pogradec. Qytetarët e Pogradecit nuk mund e nuk do të votojnë kurrsesi një kryetar Bashkie që siç e ka dëshmuar edhe në këto raste përdor fondet publike vetëm për interesat e saj personale. Qytetarëve të Pogradecit u duhet një kryetar Bashkie që mendon dhe punon për qytetarët. Qytetarëve të Pogradecit u duhet një kryetar bashkie për punë dhe t’u rikthejë atyre dinjitetin që ata meritojnë”, përfundoi Vokshi.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/06/RD2_QKR_dhe_Shtëpia_Gjelbër.pdf” viewer=”google”]

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: