BRUKSEL- Një rezolutë e Parlamentit Evropian, që është mbështetur sot nga të gjitha grupet kryesore politike, ka dënuar aktivitetet e fundit të të akuzuarit serb për krime lufte, Vojisllav Sheshel.

Në tekstin, i cili është miratuar, dënohet luftënxitja e Sheshelit, nxitja për urrejtje dhe inkurajimi i pretendimeve territoriale dhe përpjekjet e tij për zhvendosjen e Serbisë nga rruga evropiane”.

Më tej, theksohet se retorika e tij ka rihapur plagët psikologjike të viktimave nga lufta dhe mizoritë në vitet e 90-të.

Më herët këtë muaj, Tribunali i Hagës ka liruar Sheshelin për shkaqe shëndetësore, para se të marrë vendim në procesin e mbajtur kundër tij.

Tronditëse dhe të dëmshme e ka quajtur rezolutën e Parlamentit Evropian kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, rezolutë e inicuar nga Kroacia pas lirimit të liderit të radikalëve serbë, Vojislav Sheshel.

Sipas Vuçiç ata që qëndrojnë prapa kësaj rezolute janë hipokritë apo janë thjeshtë njerëz që duan ta dëmtojnë Serbinë. Rezoluta i bën thirrje Serbisë që të distancohet nga deklarimet e bëra prej Sheshelit pas kthimit të këtij të fundit në Serbi. Vuçiç ka thënë se Parlamenti Evropian ka nxitur urrejtje, ksenofobi dhe kthim në të kaluarën në vend që të ndihmojë që përfundimisht të mbyllen plagët e Ballkanit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: