NGA FATMIRA NIKOLLI*
Më duket një sakrilegj, një përdhosje që u bëhet historisë, kulturës dhe ndërgjegjes shqiptare të gjithsecilit prej nesh. Imagjinoni dot të ngrihen linja të tensionit të lartë mbi rrënojat e Apollonisë apo të Butrintit. E pra, ata që me lehtësinë më të madhe duan të ngrenë dinozaurët e shek. XXI mbi kalanë e Dalmacës në Koman….
Historiani Pëllumb Xhufi, një prej dashamirësve të trashëgimisë dhe njohës i saj, që ka mbajtur qëndrime për disa çështje të fushës, vjen në një intervistë për “GSH” sa i takon qëndrimit të tij për Komanin.
Ai arsyeton kundërshtitë e veta për ‘shtyllat mbi Komanin mesjetar’, e krahason këtë vendim me shtylla në Butrint e Apolloni, thotë se ligji i trashëgimisë ka shërbyer për të betonuar Durrësin e lagjen romake të tij, ndërsa shënon se spostimi i linjës vlen, sepse sipas Xhufit, e këtu nuk mungon ironia: një ditë, do gjendet një kryeministër që do marrë sëpatën “për të prerë” shtyllat e tensionit të lartë mbi Koman, siç bëri mes simpatisë së përgjithshme ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, kur hoqi shtyllën absurde të tensionit të lartë në mes të Tiranës.
Profesor, prej pothuaj një muaji po diskutohet kalimi i linjës së interkonjeksionit mbi Koman. Cili është qëndrimi juaj?
Më duket një sakrilegj, një përdhosje që u bëhet historisë, kulturës dhe ndërgjegjes shqiptare të gjithsecilit prej nesh. Imagjinoni dot të ngrihen linja të tensionit të lartë mbi rrënojat e Apollonisë apo të Butrintit. E pra, ata që me lehtësinë më të madhe duan të ngrenë dinozaurët e shek. XXI mbi kalanë e Dalmacës në Koman, do ishin të parët që do thërrisnin “Jo”! Apollonia, Butrinti, Durrësi janë, sipas tyre, një “pasqyrë e Shqipërisë evropiane”, dëshmi të mpiksjes sonë me qytetërimin greko-romak. Po Komani? Jo, Komani dhe kultura e tij i përkasin një Shqipërie “primitive”, që duhet harruar, që duhet mbuluar makar edhe me litarët elektrikë të “bashkimit kombëtar”. Në fakt, zbuluesi i parë i nekropolit të Komanit, konsulli francez në Shkodër, Degrand (1898), pati ndjesinë se kishte zbuluar diçka të jashtëzakonshme për historinë e popullit “enigmatik”, popullit shqiptar. Studiuesit e mëvonshëm Th. Ippen, L. Ugolini, H. Ceka, S. Anamali e konfirmuan shkencërisht këtë parandjenjë. Mbi bazën e materialit të pasur arkeologjik ata konkluduan se kishim të bënim me kulturën e shqiptarëve të hershëm të periudhës së kapërcimit nga Antikiteti në Mesjetë, me provat e prekshme të procesit të etnogjenezës nga shek. IV në shek. IX.
Cila është rëndësia e sitit, në gjykimin tuaj?
Gjetjet e Komanit janë provë e një procesi normal historik nga ilirët tek shqiptarët, pa ndërprerje kulturore, pa mbyllje e izolim nga mjedisi rrethues. Edhe pse shprehje e një qytetërimi genuin shqiptar, kultura e Komanit flet edhe për lidhjet e shkëmbimet e saj me kulturat fqinje, të mëdha e të vogla, siç ishin ajo romake, bizantine, gjermanike dhe, pas shek. VII, edhe sllave. Pra, në kushtet kur mungojnë burimet e shkruara për shek. IV-IX, inventari arkeologjik i Komanit, është e vetmja dëshmi historike që provon lidhjet gjenetike të ilirëve dhe të kulturës ilire me shqiptarët dhe me kulturën shqiptare. Zbulimet më të reja në një shtrirje mjaft të gjerë: në Kukës, Lezhë, Krujë, Mirditë, Mat, Strugë, Përmet e deri në Korfuz, kanë provuar se ajo që është bërë zakon të quhet “kultura e Komanit”, nuk është një realitet i ngushtë krahinor, përkundrazi, është kuintesenca e një etnosi të madh me tipare unitare. Prandaj Komani duhet ruajtur si sytë e ballit, po aq mirë, madje shumë më mirë edhe se Apollonia, Butrinti apo Durrësi. Komani është fytyra, historia dhe flamuri (droni) i vërtetë.
Është një projekt i rëndësishëm energjetik, megjithatë, pse e kundërshtoni ju kalimin e kësaj linje?
Linja e interkonjeksionit me Kosovën është pa dyshim një projekt i rëndësishëm, e për fat të keq, i vonuar. Për këtë nuk diskuton kush. Por, ajo nuk duhet të kalojë mbi rrënojat e Komanit. Gërmimet intensive që janë kryer vitet e fundit aty nga arkeologia e studiuesja jonë e apasionuar, Etleva Nallbani, kanë nxjerrë në dritë objekte me një vlerë historike të paçmuar në një territor që po zgjerohet gjithnjë e më shumë tej perimetrit fillestar të kalasë së Dalmacës. E pra, ky vend, që për mua ka për t’u shndërruar një ditë në parkun arkeologjiko-kulturor më të çmuar e më të frekuentuar në Shqipëri, nuk duhet të kontaminohet nga faktorë të tjerë. Specialistët flasin për efektet ekstremisht negative që do të shkaktonin fushat e fuqishme manjetike të shkaktuara nga linjat e tensionit të lartë mbi sistemet e avancuara të matjes, të studimit e të kontrollit që do të përdoren nesër në atë sit të jashtëzakonshëm arkeologjik. Por, le të marrim anën më praktike. Ngritja e superlinjës së tensionit të lartë do të sillte në atë zonë njerëz, infrastrukturë e mbi të gjitha interesa që s’kanë të bëjnë fare me publikun e paqëm, me infrastrukturën e heshtur e sugjestive dhe me interesat kulturore e shkencore që kërkon një sit arkeologjik i atij dimensioni.
Çfarë duhet apo mund të bëhet në këtë fazë?
Është cinike të pretendosh që në këtë fazë nuk mund të bëhet asgjë dhe se projekti i linjës duhet zbatuar shpejt e shpejt, pasi financohet nga gjermanët dhe atyre mund t’u kthehet mendja…
Këto janë nga ato përrallat “me Evropë”, që politikanët tanë i tregojnë popullit kur kanë ndonjë mendje të keqe. Linja sigurisht duhet të bëhet, dhe sa më shpejt. Por, përse nuk spostohet diçka më në jug, përse nuk aplikohet teknika e by-pass-it, siç ndodh kur ndërtohet një rrugë për të evituar kalimin e saj mespërmes qendrave të banuara? Vërtet do harxhohen ca para më shumë, por ia vlen. Ia vlen, edhe për faktin që një ditë prej ditësh, do gjendet një kryeministër që do marrë sëpatën “për të prerë” shtyllat e tensionit të lartë mbi Koman, siç bëri mes simpatisë së përgjithshme ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, kur hoqi shtyllën absurde të tensionit të lartë në mes të Tiranës.
Por, në fakt ka një ligj, që është marrë parasysh për këtë çështje. Pra, ku ta çojmë ligjin?
Më duket akoma më cinike të nxirren përpara ligjet, për të justifikuar ngritjen e linjës së tensionit të lartë mbi Koman. Kujtoj, që ligji aktual mbi arkeologjinë, që i ndan zonat arkeologjike në zona A (ku nuk mund të ndërtohet) dhe zona B (ku mund të ndërtohet) u kritikua ashpër që në krye të herës nga të zotët e punës, studiuesit dhe arkeologët e QSA-së. Por një vullnet i jashtëm, vullneti i së ashtuquajturave “grupe të interesit”, që në rastin tonë janë thuajse gjithnjë bosët e betonierave, imponuan nëpërmjet Ministrisë së Kulturës kalimin e ligjeve dhe ndërtimin e strukturave (Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë) që u kanë hapur portën abuzimeve: betonimi i lagjes romake të Durrësit është prova e gjallë e kësaj masakre të paralajmëruar. Ndaj, në gjykimin tim, ligji duhet ndryshuar urgjentisht për të parandaluar gjëma të mëdha, si ajo e Komanit, për të cilën kanë filluar të bien kambanat. Por, ndërkohë, qeveria ka rastin të bëjë një vepër të mirë, duke ndryshuar një copëz të vogël të trasesë së linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Nuk ka asgjë të keqe, që këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore, ta shoqërojë edhe me një histori të bukur kulture.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb