NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Qeveria ndryshon ligjin për sigurimet shoqërore dhe kontributin që duhet të japin e të përfitojnë që nga ushtarakët deri te gratë me leje lindjeje. Me ligjin e ri për pensionet, në Fletoren Zyrtare, e cila që nga 1 gushti 2015 çon në fuqi vendimin e qeverisë, përcaktohen pensionet suplementare dhe ndryshimet që pëson secila kategori.

USHTARAKËT
Sipas vendimit të qeverisë tashmë në fuqi, shuma bazë mujore e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për personat që plotësojnë kushtet për përfitim sipas dispozitave të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga data 1.8.2015 e në vazhdim, të jetë 12 436 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e gjashtë) lekë në muaj. Sipas ndryshimeve të bëra, përfituesit e pensionit të parakohshëm kanë të drejtën e kompensimit të çmimeve sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimin nr. 138, datë 31.3.1994, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”.

Përfituesit e pensionit të parakohshëm minimal kanë të drejtën edhe të kompensimit të të ardhurave, sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave, nr. 471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”; nr. 401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr. 763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr. 415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve” dhe nr. 477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave të jetë 14 086 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj. Në rastet kur pensioni për vjetërsi shërbimi rezulton më i lartë se pensioni bazë dhe bashkë me kompensimet e të ardhurave rezulton më i lartë se shuma e të ardhurave minimale prej 14 086 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekësh, kompensimet jepen pjesore, deri në plotësimin e kësaj shume.

TË VETËPUNËSUARIT
Këshilli Ministrave ka vendosur gjithashtu, se personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 696 (katër mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë, nga të cilat 3 200 (tre mijë e dyqind) lekë për sigurime shoqërore dhe 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, punëdhënësi të deklarojë dhe të paguajë kontribut minimal mujor në shumën 3 948 (tre mijë e nëntëqind e dyzet e tetë) lekë, nga të cilat 3 200 (tre mijë e dyqind) lekë për sigurime shoqërore dhe 748 (shtatëqind e dyzet e tetë) lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Të vetëpunësuarit në bujqësi të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore në masën 38 400 (tridhjetë e tetë mijë e katërqind) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 29 400 (njëzet e nëntë mijë e katërqind) lekë.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: