NGA ERMELINDA HOXHAJ*
Miratohen rregullat dhe procedurat e reja për përfitimin e pensioneve shtetërore suplementare. Përfitues të këtij pensioni suplementar janë personat që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësit e shtetit, ku përfshihen edhe Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit. Ndërkohë që, në vendimin e djeshëm qeveria ka miratuar listën e institucioneve qendrore buxhetore, funksionarët dhe punonjësit e të cilëve janë subjekte përfituese nga skema e sigurimit shtetëror suplementar.

Listë e cila do të bëhet publike pasi vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare. Këto funksione kushtetuese dhe detyra në administratën publike do të njihen si vite shërbimi. Ky vendim prek edhe ushtarakët dhe efektivët e Policisë së Shtetit. Vite shërbimi për efekt të përfitimeve sipas këtij ligji, për funksionet “Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, “Gjeneral i Forcave të Armatosura” dhe “Punonjësit e Policisë së Shtetit të rolit madhor”; do të njihen vitet e punës në këto funksione nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.27/2015.

Vendimi përcakton se personave të punësuar në institucionet qendrore buxhetore, të cilët kanë paguar kontribute suplementare, pavarësisht ndryshimit të emërtimit të institucionit, e gjithë periudha për të cilën janë derdhur këto kontribute do t’u njihet si vjetërsi shërbimi.

Pensionet suplementare & dokumentet
Personat e interesuar për të përfituar pagesë kalimtare(përfitohet pas ndërprerjes së funksionit) apo pensione shtetërore suplementare duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore, kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentet e nevojshme për këtë qëllim, siç janë:
vërtetim nga qendra e punës për largimin nga funksioni a detyra;
vërtetim për vitet e shërbimit në funksion apo detyrë;
vërtetim për pagën referuese;
deklaratë nëse është i punësuar dhe pagën që merr
ose deklaratë që nuk është i punësuar;
vërtetim të gjendjes gjyqësore.

Sipas vendimit, për ata persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjësit e administratës publike, institucionet e të cilave janë suprimuar apo nuk ekzistojnë më, dokumentacioni për vjetërsinë në shërbim do të plotësohet nga Arkiva Qendrore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në rastet kur institucionet, të cilat kanë marrë në administrim dokumentacionin e vjetërsisë në punë, nuk e kanë dorëzuar pranë organeve të sigurimeve shoqërore, ato janë përgjegjëse për plotësimin e tyre.

Personat të cilët në të njëjtën kohë, ushtrojnë një detyrë apo funksion që bën pjesë si në ligjin nr.8097, datë 21.3.1996, si dhe bëjnë pjesë në një skemë tjetër suplementare apo trajtim të veçantë, për efekt të derdhjes së kontributeve dhe përfitimeve, nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.27/2015, e në vazhdim kanë të drejtë të zgjedhin njërën nga skemat.

Shpenzimet administrative për funksionimin e kësaj skeme të përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. “Institucionet që kanë qenë pjesë në skemën e sigurimeve suplementare dhe që, pas miratimit të këtij vendimi, nuk do të jenë më pjesë e listës së miratuar me këtë vendim, nuk do të derdhin kontribute për sigurime suplementare për punonjësit e tyre.

Vitet e punës të kryera në një nga funksionet apo detyrat e pasqyruara në lidhjen nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi, do të njihen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, sqarohet në vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: