NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE– Priste ditën e pensionit për të festuar me kolegët e saj në Drejtorinë e Shërbimeve dhe Kontrollit Spitalor pranë FSDKSH-së, por përmes një shkrese të papritur mëson se vendi i saj i punës do të ristrukturohet dhe riemërohet, dhe ajo duhet të largohet.

Emrin e ka Suzana Tahiraj, dhe është ekonomiste e lartë pranë Drejtorisë së Shërbimeve dhe Kontrollit Spitalor prej afër 20 vitesh që prej themelimit. Por ky fakt nuk e ka ndihmuar që të ruajë vendin e punës 10 muaj nga dalja në pension.

Por historia e 60-vjeçares bëhet edhe më e trishtë kur mësojmë se ka kaluar disa sëmundje të rënda në jetë që i ka përballuar me rrogën e saj të vetme si kryefamiljare.

Por si Suzana janë edhe 35 specialistë të tjerë, mjekë, farmacistë, ekonomistë dhe juristë, që thonë se punojnë në këtë institucion prej 10 vitesh. Kanë grada shkencore dhe trajnime pasuniversitare, por pavarësisht këtij fakti po u suprimohet vendi i punës me argumentin e ristrukturimit.

Punonjësit akuzojnë këshillin administrativ në FSDKSH, si dhe Ministrinë e Shëndetsisë për largime selektive nga puna pa përdorur asnjë kriter formimi dhe vjetërsie.

Në bllok punonjësit deklaruan se do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar drejtësi.

Burime për “News 24” thanë se në vend të strukturave që po shkrihen, drejtoria e Fondit do të ngrejë një strukturë të re me 8 specialistë që do të monitorojnë dhe kontrollojnë punën e 55 spitaleve publike dhe private me të cilët fondi ka lidhur kontrata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb