KORÇË- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar një punonjës të Policisë Kufitare për korrupsion pasiv dhe 2 shtetas për dhënie ndihmë në kalim të paligjshëm kufiri.

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, kanë goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore, ku kundrejt pagesës 6-7 mijë euro efektivi i policisë kufitare Artan Ceno dhe 2 persona të tjerës, mes tyre një grua kalonin ilegalisht njerëz nga Maqedonia e Greqia për t’i çuar më pas në Francë.

SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë e Maqedonisë në mënyrë ilegale, mes tyre me destinacion final Francën për azil kërkim.

Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.

Ditën e sotme, strukturat e SHÇBA kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
– Artan Ceno, 44 vjeç, punonjës policie me detyrë kontrollor në pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, Korçë;
-Majlinda Seiti, 52 vjeçe, lindur e banuese në Korçë;
-Adriano Kocoli, 52 vjeç, lindur e banues në Korçë.

Kundrejt pagesave që varionin nga 6 në 7 mijë euro për person, grupi i dyshuar, krijonte kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj, qytetarë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova, në kundërshtim me ligjin, me destinacion Francën për azil kërkim.

Në disa raste këta shtetas, në bashkëpunim me punonjësin e policisë, tashmë të arrestuar, kanë kaluar nga kufiri i gjelbër, fëmijë të mitur, të cilët më pas kërkonin azil si të pashoqëruar, në vende të ndryshme të Europës. Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: