Të enjten në “San Siro” luhet beteja e parë e “play-off” të Europa League mes Milanit dhe Shkëndijës e duke përfituar nga prestigji që të dhuron sfida, tetovarët nuk kanë humbur rastin të thumbojnë kundërshtarët.

Shkëndija nëpërmjet një postimi me video në rrjetet social ka dashur ti japë një shije tjetër përballjes “kuqezi” duke thumbuar dhe ironizuar në disa raste italianët.

Përmes një kolazhi fotosh dhe teksti, e shoqëruar në sfond me muzikë shqiptare, bëhet një krahasim mes Milanit, Milanos, Shkëndijës dhe Tetovës.

“I dashur Milan!

Ne jemi Shkëndija e Tetovës. Nga qyteti qe u themelua 1000 vite përpara lindjes se Krishtit!

Ju keni Piaza D’Uomo ne Milano, por ne kemi xhamin që është më e vjetër sesa sheshi juaj!

Ne e pranojmë që tetovarët marrosen pas Monika Belucit, por edhe shumë italiane vazhdojnë të çmenden pas Blerim Destanin!

Italianet bien ne dashuri dhe zemra e tyre thyhet lehtsisht, por ne mund t’iu ofrojmë kardiologun Omer Xhemali!

Ju keni pastat më të mira në botë, por ne kemi shefin më të mirë: Rene Rexhepi!

Ju keni stadiumin me 80 mijë vende, por ne kemi qytetin me 100 mijë banorë!

Lojtarët tuaj vlejnë më shumë sesa 330 milionë euro, por qetësohuni. Të tanët vlejnë 400 milion dinarë!

Ju dërguat agjentë për të na vëzhguar, ndërsa ne kemi agjentë qe ju shohin gjithë vitin!

Vëmë një bast? Tetova ka më shumë kuqezinj sesa Milano, Roma dhe Torino së bashku!

Ju jeni ekipi i dytë në botë për trofe, ndërsa ne jemi ekipi i parë në shqiptari për trofe!

Ju shkuat deri në Kinë për te gjetur sponsorin, ndërsa ne kemi sponsor ekologik në Tetovë, lider botëror në fushën e tyre!

Zemra e tetovarëve dhe e të gjithëve shqiptarëve do të rrahë kuqezi të enjten në mbrëmje!

Shihemi Miq!

Me respekt, Shkëndija Tetove”

Video në pak minuta është klikuar me mijëra herë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb