Nga: Mariglen MËRTIRI

TIRANE- Të përdorësh ujin e cilësuar si pasuri kombëtare më parë duhet të pajisesh me leje e cila humbet vlerën e saj çdo 5 vite. ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ zbardh lejet e dhëna nga agjencitë e baseneve ujore gjatë vitit 2017, si për familjet që shfrytëzojnë ujin për pirje ashtu edhe nga bizneset. Rajoni që mban rekordin gjatë 10 muajve të 2017 me më shumë aplikime dhe leje është Baseni i Matit, këshilli i këtij baseni ka miratuar 128 leje për përdorimin e burimit ujor, ku vendin kryesor e zënë bizneset.

Ndërsa çudit zona qendrore e Shqipërisë që përfshihet në basenin Ishëm-Erzen ku ndodhen qytetet me dendësi të madhe të përqendrimit të popullsisë si Tirana, Durrësi dhe Kruja ku për 2017 nuk ka asnjë leje të miratuar. Bazuar në të dhënat e siguruara, gjatë 10 muajve të 2017 janë dhënë në total në të gjithë vendin 294 leje për përdorimin e burimeve ujore, 42 leje për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve dhe vetëm 2 leje për shfrytëzimin e shtratit të lumit. Për tu pajisur me një lejë për përdorimin e burimeve ujore si nga familjarët në hapjen e puseve por edhe nga bizneset, zyra e vetme ku duhet drejtuar është Agjencia e Basenit Ujor e atashuar pranë 6 prefekturave kryesore në vend.

Agjencia e Baseneve çdo 3 muaj mbledh këshillin e basenit që drejtohet nga Prefekti ku shqyrton kërkesat për leje nga familjet apo kompanitë për përdorimin e burimeve ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore të çdo rajoni që mbulojnë. Por pas reformës që qeveria synon të bëjë me ujin, burimet i thanë ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se do të shoqërohet edhe me një thjeshtim të dokumenteve për aplikim. Vetë Agjencitë e baseneve po përgatiten të përballen me një fluks kërkesash në rritje për tu pajisur me leje për shfrytëzimin e ujit pasi edhe masat shtrënguese në 2018 pritet të jenë të larta për familjet që përdorin ujin e pusit pa autorizim dhe akoma më të larta për bizneset.

Qendra e Shqipërisë rezulton më pak e interesuar për pajisjen me leje për përdorimin e burimeve ujore ndërsa rajoni i Matit mbetet i pari për nga numri i lejeve të përfituara. ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ ka siguruar lejet e dhëna përgjatë 10 muajve të 2017 në 6 Agjencitë e Baseneve Ujore të cilat shqyrtojnë aplikimet e qytetarëve dhe bizneseve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb