TIRANE- Partia Demokratike organizoi sot një dëgjesë me maturantët me rezultate të shkëlqyera, të lënë pa universitet nga Edi Rama. Të rinj me mesatare 10, me rezultate maksimale, sollën përvojën e tyre, pasi kanë dalë jofitues për të ndjekur një nga degët që kishin përzgjedhur në formularë. Të pranishëm në këtë takim ishin Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma dhe Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji.

“Deri tani kanë ardhur 628 denoncime në portalin e Partisë Demokratike. Ju që jeni këtu jeni të përzgjedhurit për shkak të rastit specifik që përfaqësoni, për shkak të mesatareve të larta, dhe gjithashtu një përfaqësim të mbarë vendit. Jeni nga të gjitha rrethet. Burreli, Korça, Librazhdi, Durrësi, Tirana, Lezha, dhe keni ardhur për të ndarë me ne dhe me publikun problemin tuaj. Këtu kemi një rast të një djali me mesatare 9.7 që nuk ka fituar dot në Juridik ndërsa kemi këtë djalin tjetër që e ka fituar me mesataren 9.2 Juridikun, por që nuk e do. Në fakt, pyetja për këtë sistem pameritokracie, a ka kuptim të thuash që ka kuota pavarësisht se nuk thuhet se ku ka?! Do të donit ju të shkonit në çfarëdo lloj shkolle, mjafton që në raundin e 200 tu dalë një shkollë kudo? Kush e pranon këtë?”, u shpreh Duma. Gjatë fjalës së tyre maturantët sollën eksperiencën e hidhur nga ky proces, i cili sipas tyre u hoqi të drejtën për të vazhduar një degë që ata pretendonin, ndonëse kishin mesatare shumë të mirë.

Sakaq, Ndriçim Mehmeti, pjesë e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike tha se bllokimi i këtij sistemi dhe rifutja e atij të meritë-preferencë, do të ishte sipas tij zgjidhja.

“Duhet thënë që në fillim se ajo që ndodh sot me ju është penalizmi që ka bërë ky sistem i ri. Ndërkohë që ju keni punuar 3 vjet me një sistem dhe ligj të vjetër për arsimin dhe ishit mësuar se cilët ishin lëndët e maturës, tani nota mesatare e më të mirëve zhvlerësohet. Puna tre vjeçare dhe djersa që keni derdhur, ëndrrat që ju keni pasur për të shkuar në shkollë të lartë, përfshirë meritën sepse me të drejtë ka disa që janë me mesatare 10, 9.91, 9.71, shkojnë dëm dhe e gjeni veten në rrugë. Ndërkohë që duhet ta gjenit veten në auditoret e sistemit. Është pikërisht ky sistem që u vendos në mes të rrugës, u prishi rregullat e lojës, prej muajit mars e deri në shtator. Ndaj, ka vetëm një rrugë. Bllokimi i këtij sistemi dhe rifutja e atij që ju jep atë që meritoni. Pra, nuk ka një sistem sot, meritë preferencë, por ka një sistem që të preferuarit shkojnë në universitet dhe ata që e meritojnë mbeten në rrugë”, pohoi Mehmeti.

Ndërkaq, Salianji u shpreh se PD do të bëjë gjithçka për të garantuar të drejtat e maturantëve, për të mbrojtur mundin, djersën dhe studimet e tyre.

“Ju sot jeni vetëm një pjesë e vogël e rasteve specifike, dhe qindra si ju me mesatare të lartë, studentët më të mirë, maturantët më të mirë që janë pretendentë për studentë, kanë mbetur jashtë sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri. Nuk është ashtu siç thotë Kryeministrit, apo siç thotë siç thotë ministrja Nikolla, që ju jeni studentë më të këqij, apo më poshtë atyre që kanë fituar. Nuk ka Shqipëria 3 mijë studentë me mesatare 10.1. nuk ka Shqipëria 2800 apo 3 mijë, me mesatare 9.9, 9.7, siç janë këto qindra maturantë të cilët janë ankuar kudo duke protestuar e ngritur zërin e tyre për një shqetësim të madh. Për këtë arsye do t’ju mbështesim në protestat tuaja. Për këtë arsye ne kërkojmë që ministrja Nikolla të japë dorëheqje, për paaftësi. Që kryeministri dhe qeveria të marrë përsipër kostot e këtij kaosi që ka shkaktuar dhe të anulojë raundin e parë dhe të rikthejë tek ju sistemin e qartë të pikëzimit. Do të kërkojmë kontroll të plotë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, do të shkojnë deputetë të Partisë Demokratike tek Agjencia Kombëtare e Provimeve, për të monitoruar e për të ndaluar tarafin e kryeministrit, tarafin e ministres, apo të hyjnë militantët e Partisë Socialiste, apo të LSI-së, e të mbeten jashtë ajka e maturantëve, pjesa më e mirë e maturantëve dhe qindra e mijëra familje që janë sot në ankthin për fëmijët e tyre”, u shpreh Salianji.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb