Në klubin e Skënderbeut situata qëndron e ndezur pasi korçarët të enjten përballen me Dinamon e Zagrebit për fazën “play-off” të Europa League, por dita e djeshme ka sjellë zhvillime të reja për klubin shqiptar sa i takon merkatos.

Liridon Latifi ka munguar në seancën stërvitore të drejtuar nga Ilir Daja pasi ka fluturuar drejt Hungarisë për të kompletuar kalimin te skuadra e Pushkash Akademi, raporton “panorama sport”. Ekipi i sapongjitur në elitën e futbollit hungarez po bën shpenzime të majme për të kapur majat dhe kërkon të ndërtojë ekipin rreth Latifit.

Pushkash Akademi nuk e ka patur të vështirë të bindë Skënderbeun për të lënë të lirë lojtarin pasi kanë ofruar 1 mln euro. Mësohet gjithashtu se klubi korçar do të vijojë të zotërojë 20% të kartonit të Latifit duke shpresuar se në të ardhmen ky futbollist do shitet akoma më shtrenjtë.

Është rënë dakord që Latifi të luajë për Skënderbeun në dy ndeshjet shumë të rëndësishme kundër Dinamos së Zagrebit dhe më pas të vijojë aventurën e tij të re. Futbollisti pasi ka mbyllur detajet e kontratës me Pushkash Akademi sot do t’i bashkohet stërvitjes me pjesën tjetër të skuadrës.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb