GREQI- Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, njëkohësisht kreu i ‘Grekëve të Pavarur’ ka folur sot pas takimit që Presidenti i Greqisë ka bërë me krerët politikë. Kamenos ka deklaruar se është në dorë të Europës, zgjidhja për Greqinë dhe se kryeministri Tsipras është autorizuar të negociojë në Bruksel.

FMN: PO MONITOROJMË NGA AFËR SITUATËN NË GREQI
Ora 16:33- Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se është duke monitoruar nga afër situatën në Greqi. Gjithashtu FMN shprehet i gatshëm të asistojë nëse kjo gjë i kërkohet nga Greqia.

PËRFUNDON TAKIMI I PRESIDENTIT ME KRERËT POLITIKË
Ora 16:20- Ka përfunduar takimi i Presidentit të Greqisë me krerët politikë. Kryeministri Alexis Tsipras nuk ka preferuar të flasë ndërsa ka lënë pallatin presidencial. I vetmi që ka folur ka qenë ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, njëkohësisht kreu i ‘Grekëve të Pavarur’. Kamenos ka deklaruar se është në dorë të Europës, zgjidhja për Greqinë dhe se kryeministri Tsipras është autorizuar të negociojë në Bruksel.

“Sot është një ditë historike, dje populli dha verdiktin dha mesazhin e bashkimit kombëtar. Populli grek tregoi se nuk frikësohet. Kryeministri ka garanci se do të ketë mbështetje. Marrëveshja të reflektojë dëshirat e të gjitha palëve. Në dorë të Europës, zgjidhja për Greqinë. Evropa ta kthejë Greqinë drejt zhvillimit. Autorizojmë Tsipras të negociojë në Bruksel. Tsipras të negociojë në emër të të gjithë popullit”, ka thënë Kamenos.

BANKAT GREKE DO QËNDROJNË TË MBYLLURA DERI TE PREMTE
Qeveria Greke ka vendosur që bankat të qëndrojnë të mbyllura deri të premten. Më herët ishte lajmëruar që bankat do hapeshin ditën e nesërme.

Një ditë më parë Greqia i tha jo masave shtrënguese të kreditorëve. Në referendumin e së dielës 68% e qytetarëve grekë votuan kundër propozimeve të kreditorëve për të dalë nga kriza.

(a.n/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: