TIRANE- Për rreth 60 minuta, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar një takim me koordinatorët e kësaj force politike. Pas takimit të mbajtur në selinë e PS, Taulant Balla tha se në fokus të bisedës ka qenë procesi i ristrukturimit të partisë dhe zgjedhjet brenda saj. Balla tha se sukses i këtij procesi është rritja, sipas tij spektakolare e numrit të anëtarësimeve të reja.

Balla tha se deri më tani janë mbyllur zgjedhjet brenda PS për strukturat në 90 % të territorit të vendit, duke u shprehur se gjatë këtij procesi fokusi ka qenë tek rritja e anëtarësimeve në përbërje gjinore.

“PS prej muajsh është në një proces ristrukturimi dhe zgjedhor brenda saj. Prej datës 1 shtator në gjithë strukturën organizative të PS kemi filluar një proces që ka një rritje spektakolare të numrit të anëtarësisë. Ne ndamë sot me njëri-tjetrin të dhëna të hedhura në sistem ku rezulton rritej e anëtarësisë në çdo organizatë.

Kemi bërë ristrukturim tërësor të përmbajtjes së organizatave dhe organizimit partiak. Kemi filluar gjithçka nga zero në disa organizata. Kemi si parim rritjen e numrit të anëtarësisë, dhe përfaqësimin gjinor. Synojmë rritje deri në 30 % të anëtarësisë në përbërje gjinore, dhe 25% rritje të anëtarësimeve të moshës 18-25 vjeç. Çdo anëtar i PS ka një kontakt online me njësinë rajonale të PS ku merr informacion për çështje programore të partisë. Në 90 % të territorit ët vendit PS ka përmbyllur zgjedhjet për kryetarët e organizatave socialiste, që janë qeliza bazë organizative e Partisë”, tha Balla.

Ndërkaq, deputeti socialist njoftoi se në muajin shkurt fillon procesi i zgjedhjes së delegatëve të partisë, ndërsa Kongresi i PS do të mbahet më 19 mars.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: