TIRANE- Në qendër të një skandali, pas zbulimit të përgjimeve të trafikantëve të drogës, kushërinj të 10-të me ish-ministrin Saimir Tahiri, ky i fundit ka dalë sot në një konferencë të menjëhershme për shtyp.

Ndonëse pretendoi se është përdorur qëllimisht nga ta, ai ka kërkuar falje për gjithçka ka ndodhur. Në radhë të parë prindërve, e familjes e më pas çdo personi që e ka besuar e mbështetur deri më sot.

“Iu kërkoj falje prindërve dhe familjes time çdo shqiptari që ka besuar tek unë. Besimin që ma kanë dhënë njerëzit e kam borxhin më të madh”,- tha ai.

Por në fjalën e tij, ai i dha një mesazh kryeministrit Rama e deputetëve të PS-së se nuk kërkonte nga askush prej tyre mbrojtje.

“Nuk kërkoj nga askush të më mbrojë, as nga kolegët e grupit dhe as nga kryeministri vetë”, tha ai ndërsa u shpreh se do t’i shkonte deri në fund kësaj çështje.

Fjala e plotë

Ju lutem lexojeni deri ne fund. Deri kur e gjithe e verteta te kete dale ne drite, ndjese per kete rremuje. Faleminderit te gjitheve!

E kuptoj shumë mirë se sot, ndoshta më shumë se kurrë, cilido që më njeh personalisht ose jo, përfshirë familjen time, miqt e këdo që më ka takuar qoftë edhe pak, është i shtangur nga lajmet që bëhen publike, e sidomos nga përfshirja e emrit tim;

Ashtu siç kuptoj mediat, gazetarët e portalet, që herë me pyetje e herë me akuza, me dashje apo keqdashje, kjo ka fare pak rëndësi për mua, presin përgjigje prej meje.

Siç kuptoj e mbi të gjitha falenderoj të gjithë ata që më kanë shkruar e kontaktuar në çdo formë, ata që kanë punuar e punojnë ende bashkë me mua, ata që kanë besuar e besojnë ende tek çdo gjë që kam qënë e jam, në jetën dhe punën time;

Siç kuptoj edhe kundështarët e mi, në opozitë e jo vetëm, të cilën për herë të parë e të fundit sot, as do i akuzoj e as do i kundështoj, pikërisht pse sot është dita e tyre të shfrytëzojnë pallavrat e dy kriminelëve që i shesin mend njëri tjetrit e të tjerëve se kush ka më shumë njohje, influence apo mbështetje në një veprimtari kriminale që në çdo ditë të punës time e kam luftuar e do vazhdoj ta bëj, duke kërkuar gjithmonë të vërtetën, pavarësisht çmimit të saj.
Unë jam rritur nga prindrit e mi, e sot rris tim bir, duke besuar tek e vërteta, i bindur se sado e madhe qoftë gënjeshtra dhe abuzimi, e vërteta dhe e drejta, janë aty. Dhe sikur gënjeshtrën dhe abuzimin ta marrin vesh mijra e miliona vetë, e vërteta vlen më shumë, edhe sikur i pari e i fundit që e ka mësuar jam unë vetë.
Kam mbajtur detyrën e ministrit të brendshëm për më gjatë se kushdo tjetër para meje, duke mos u dorëzuar kurrë përballë sulmeve të pafund, nga kundështarë që i kisha përballë apo në krah.

Kam luftuar çdo ditë, me çdo fuqi timen, për të bërë detyrën me drejtësi, si detyrimin tim më të shenjtë përballë tim biri më së pari, familjes sime, përballë miqve e cilitdo që më njeh, por mbi të gjitha përballë qytetarëve që më kanë besuar e më kanë zgjedhur, e që nga sot pres me padurim të dali e vërteta në dritën e diellit, si e vetmja rrugë për të pasur besim më të fortë te njëri tjetri e tek shqipëria e tim biri dhe e fëmijëve nesër.

Jam përpjekur të punoj me çdo punonjës policie duke besuar te forca e pashtershme e ca burrave e grave, djemve dhe vajzave, që deri para se të merrja detyrën, ishin viktimat më të para e të pafajshme të botës së krimit e të politikës së ndyrë, që në një mënyrë apo tjetër, i kishte tradhëtuar pa rreshtur.

Përballë deputetit, kam mbrojtur policin. Përballë politikanit, ministrit, pushtetarit, pronarit të medias, gazetës a portalit, përballë cilitdo të forti për nga muskujt apo detyra, kam mbrojtur gjiithmonë e pa asnjë hezitim policin.

Duke besuar se ndonëse detyra ma diktonte të isha larg, e vërteta dhe bindja ime e përditshme ma bënte ditetyrim akoma më të madh të isha në krah të policëve që bënin ndershmërisht detyrën e që nuk duhet të ishin më të braktisur e tradhëtuar, por me forcën e ligjit e pa kursyer as forcë nga forca ime për të zbatuar ligjin e për të bërë drejtësi ndaj kujtdo.

Kam punuar çdo ditë për ta modernizuar, për ti dhënë mundësi, pagë, veshje e mjete që cilido që shërbente në polici, të ndjente dinjitetin e të qënit një shërbëtor i shtetit dhe qytetaraëve, e jo një personazh komik në rrugët e qytetit tim e të çdo shqiptari.

Kam besuar se puna jonë e madhe, do na përplaste me vështirësi të pafund.

Se rrugës do bënim gabime, siç kam bërë unë, pikërisht pse kam besuar se kush punon mund të gabojë, por mbi gabimet e veta e vështirësitë e të tjerëve, ka gjithmonë forcë e shpresë për tu ringritur siç ringrihet çdo ditë ai që nuk ka bukë në tavolinë e rrogë në fund të muajit.

Kam qënë i vetëdijshëm se ti shërbesh qytetarëve e jo oligarkëve, të mbrosh policin e jo pushtetarin a të fortin, ka plot kosto.

Humbet miqtë, humbet edhe aleancat e pushtetit në koridoret e politikës. Humbet mundësinë që të ngresh telefonin e të rregullosh lajmet nëpër redaksi televizionesh e gazetash.
Këto i kam humbur me vetëdije, siç kam humbur edhe mundësinë për kompromise me njerëz qe nuk doja ti kisha kurrë në krah por vetëm përballë, pavarësisht fuqisë së tyre politike për të më mbështetur mua apo për të më bërë dëm.

Sepse që ditën kur kam filluar të merrem me këtë detyrë, më shumë sesa ekuilibri i pushtetit, për mua kishte rëndësi drejtësia, qoftë edhe për një mesazh të një qytetari të panjohur në telefonin tim që kërkonte ndihmë.

Jam ende sot i bindur se detyra që kisha nuk ishte si çdo detyrë, por ishte detyra ime e jetës për të bërë drejtësinë dhe shtetin që kam ëndërruar unë e ëndërron sot çdo shqipëtar.
Dhe bashkë me të gjithë skuadrën që unë drejtoja, arritëm jo pak. Si në luftën kundër krimit, ashtu dhe në dinjitetin që i dhamë çdo punonjësi policie.

Sigurisht patëm vështirësi pafund, të merituara ose jo,por kjo vetëm sepse lufta me krimin dhe paligjshmërinë, nuk ishte vetëm me ata që kishe përballë, por edhe me këdo tjetër që në dekadat e fundit ishte stërvitur të mbijetonte në llumin e politikës e të rrugës.

Kjo luftë e gjithçka arritëm, kishte jo pak kosto për mua, por edhe kënaqësinë timë të pamasë nga mirënjohja e kujtdo që prej punës sime, të ekipit që unë drejtoja e të të gjithë policisë së shtetit, ka marrë një ndihmë sado të vogël, që më parë as e merrte e as e ëndërronte ta merrte.
Sot është një ditë jo e lehtë edhe për mua, në raport me veten dhe moralin tim, familen time dhe mbi të gjitha tim bir.

Po kështu në raport edhe me njerëzit që më njohin, me kolegët në parlament e politikë, me njerëzit që më kanë besuar e zgjedhur e që besojnë ende tek unë.

Dy kriminelë, që janë kushërinjtë e mij të shkallës së 10, janë arrestuar për trafik droge, e siç u bë publike, pa hezituar të përmendin edhe emrin tim ndonjëherë.

Kriminelë që përdorin emra politikanësh a ministrash për tu mburrur me njëri tjetrin e për dobi të përfitimeve të tyre të paligjshme, ka pa pafund, e unë nuk jam as i pari e as i fundit.

Sigurisht nuk do doja kurrë të isha në këtë pozitë, pa dashjen time, por unë do kërkoj nga prokuroria, vetë personalisht, me vullnet të lirë e pa përfituar nga asnjë lloj imuniteti parlamentar a politik, të hetohet e verifikohet gjthçka lidhur me mua e jo vetëm, me detyrën time e jo vetëm, me famlijen time e jo vetëm.

Dhe pavarësisht se ky është vendi ku politikanë e deputetë ndajnë gratë për të fshehur pasurinë, vendi ku mohohet vëllai, motra, kunati e baxhanaku, unë nuk jam ajo rracë njeriu e as politikani, por ndjej përgjegjësi morale për veprimet e kujtdo, qoftë edhe të ca kushurinjve të mij të 10, të cilëve kam bërë gabimin e madh e të vetëm që gati 4 vite më parë u kam shitur makinën time personale.

Unë sigurisht nuk duhet të kisha neglizhuar të verifikoja kujt po ia shisja makinën, e pavarësisht se në vendin tonë të rrallë janë ata që bëjnë këto verifikime, e të shumtë ata që më kollaj i fshehin a i cojnë në emra të tjerë pasuritë e tyre, unë përsëri mbaj përgjegjësi morale për këtë veprim.

Përtej kësaj, nuk kam pasur e as kam asnjë raport të çfarëdollojshëm, e aq më pak ndonjë raport të paligjshëm, ndaj nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë për çdo aktivitet kriminal të kujtdo, qofshin edhe këta kushërinjtë e mij të 10, që as kanë hezituar të perdorin emrin tim, e që shpresoj drejtësia ti hetojë e dënojë siç i takon atyre e kujtdo tjetër shkel ligjin.

Nuk kërkoj nga askush të më besojë e aq më pak të më mbrojë publikisht, më së pari nga kolegët e partisë sime, në parlament ose jo. Në qeveri padyshim, përfshirë kryeministrin.

Siç nuk kërkoj nga askush që më njeh të më besojë kot, për më teper që politikanë që betohen e përbetohen ky vend ka parë boll, edhe kur janë kapur me presh në dorë, me filmime e regjistrime, duke vjedhur e duke vrarë.

Unë as jam kjo rracë, e as do jem kurrë lloji i politikanit që fshihet pas pushtetit, pas miqësisë me pronarët e medias apo në koridoret e pushtetit.

As kam ndërmend të kërkoj apo ti shtrij dorën ndokujt, në politikë, pushtet, media apo cfarëdolloj, për të kërkuar ndonjë hije a skutë në rrugën që duhet bërë, nga unë vetë i pari, për të nxjerrë të gjithë të vërtetën në dritë.

Do pres deri në fund të çdo verifikimi a çdo hetimi, e as do rri duarkryq por do luftoj vetë që çdo e vërtetë të zbardhet deri në fund, e drejtësia të thotë fjalës e saj.

Deri atëherë, për këtë shqetësim e rrëmujë i kërkoj ndjesë tim biri, famlijes sime e prindërve të mij, kolegëve e cilitdo shqipëtari që qoftë edhe një herë të vetme ka besuar tek mua.

Unë do shoh në sy këdo prej jush i bindur se besimin që më keni dhënë është borxhi më i madh që i kam secilit, për ta cuar të vërtetën deri në fund.

Jo me fjalët e mia, që sot nuk mjaftojnë kurrësesi, por me çdo hapësirë të drejtësisë për të gërmuar çdo të vërtetë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: