TIRANE– Nuk ka asnjë pajisje përgjimi në polici, deklaroi të hënën në mbrëmje në “Top Story”, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Këtë pajisje fatkeqësisht nuk e kemi. Partnerët italianë kanë ardhur dhe po u mësojnë policëve shqiptarë sesi ta përdorin në të ardhmen kur ta kemi. Ajo nuk ta ofron mundësinë teknike për të përgjuar mesazhe apo komunikimet. Ajo pasqyron vetëm numrat në një zonë të caktuar dhe është përdorur edhe përpara se të bëhesha unë ministër”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm e konsideroi një lapsus të rëndë hetimin e Prokurorisë për këtë çështje, pavarësisht se ai tha që nuk do pengohet nga policia për ta kryer këtë hetim.

“Hetim i Prokurorisë është realisht një lapsus të rëndë, pasi kërcënon marrëdhënien me besim mes këtyre institucioneve dhe potencialin për të bashkëpunuar ndërmjet dy institucioneve”, vijoi Tahiri.

I pyetur rreth çështjes së Klemnet Balilit, ministri i Brendshëm tha në “Top Story” se shumë shpejt ai do të arrestohet, ndërsa shtoi se deri më tani nuk ka një urdhër arresti për të, por që pritet të vijë për çështje orësh.

Intervista

Sokol Balla: Zoti Tahiri, si shpjegohet që ju sulmojnë kaq shumë dhe jeni në fokus të këtyre akuzave?

Saimir Tahiri: Sepse bëj punën, tashmë kam mbushur pak më shumë se 30 muaj në këtë detyrë, ndërsa qytetarët besoj se nuk kanë asnjë ditë të vetme kur PD-ja të mos ketë dalë e të ketë hedhur baltë mbi punën e Policisë së Shtetit. E kujtoni shumë mirë aksionin ndaj Lazaratit, ku hashashi rritej nën hundën e politikanëve dhe ujitej nga ujëhedhëset e Bashkisë së Lazaratit. Kjo vjen sepse unë besoj se ne po bëjmë punën e duhur në një institucion që ne e morëm të kalbur në injorancë dhe të paaftë për ta bërë punën siç duhej në shërbim të qytetarëve, e mbi të gjitha një institucion të tradhtuar. Kemi pasur pafund raste, të cilat ne i kemi denoncuar për atë që është bërë në të kaluarën me Policinë e Shtetit. Tashëm ky institucion po përpiqet t’u shërbejë siç duhet qytetarëve dhe të përballet me kriminelët dhëmb për dhëmb. Unë jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë për reformimin e Ministrisë së Brendshme. E di shumë mirë që jo gjithçka është bërë, e di që ata që nuk duan të bëjmë reforma janë po shumë, ndërsa rezistenca ndaj këtyre veprimeve e bëjnë edhe më të vështirë detyrën tonë. Por unë garantoj të gjithë që jemi aty për të bërë më të mirën e mundshme, për një polici që nuk pyet për mikun, për paratë, për muskujt dhe për ata që janë mësuar të anashkalojnë ligjin. Kemi dërguar në Prokurori mbi 2000 punonjës policie, të lidhur ngushtësisht me korrupsionin dhe bakshishin, si dhe që nuk ishin të aftë të punonin siç duhet. Për gjërat e mira në këtë vend duhet pak kohë, ndaj dhe po bëjmë gjithë këtë reformë, pa pasur parasysh se kush është ministri, politikani apo miku që është mësuar t’ia hedhë kollaj. Prandaj SHQUP-i del çdo ditë në konferenca kundër meje, gjë që janë konfirmim për punën që unë po bëj. Unë ndiej kënaqësi për atë që kam bërë deri më sot, sa herë që kritikohem dhe akuzohem. Sot policë janë djem e vajza të reja që kanë për filozofi shërbimin ndaj qytetarëve, janë shërbëtorë ndaj tyre. E sigurt është që jo të gjithë janë kështu, ndaj duhet pak kohë. A kam bërë gabime? Sigurisht që mund të kemi bërë gabime, por kurrë në asnjë sekondë nuk kam bërë faje, apo të shkel ligjin. Kam mundësinë e jetës sime të jem ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë. Me pasion dua ta bëj punën siç duhet, me gjithçka kam mundësi të bëj dhe për të bërë në Shqipëri atë që nuk është bërë kurrë. Jemi në rrugën e duhur dhe kemi inkurajimin e reformave që kemi bërë deri më sot me mbështetjen e ndërkombëtarëve, partnerëve tanë. Jam i sigurt që po shkojmë në rrugën e duhur.

Është e paevitueshme që të vesh re transformimin që ka ndodhur në Ministrinë e Brendshme. Por natyrisht që gjërat kanë lëvizur, ashtu sikurse ka pasur edhe gabime apo lapsuse, që kanë pasur nevojë për shpjegime. Kjo e fundit është njëra prej tyre, që vjen menjëherë pas diskutimeve për Byronë Kombëtare të Hetimit. Kemi pasur një deklarim për 270 emra, përfshi Erion Veliaj, të denoncuara nga Sali Berisha si të përgjuar. Ju e quani SHQUP-i, por ajo është selia e opozitës. Ka apo s’ka një pajisje përgjuese, apo që kryen edhe këtë funksion, në disponueshmëri të Ministrisë së Brendshme?

Saimir Tahiri: Nuk do të harxhoja kohën time për t’i kthyer përgjigje opozitës. E kam bërë me punën time çdo ditë, brenda dhe jashtë Parlamentit. Gjëja më e mirë për mua është të vazhdoj të bëj punën time. Këtu kam ardhur të flas për publikun. Basha ka një raport skandaloz me të vërtetën. Ai e di mirë që edhe po t’i dalë gënjeshtër, nuk do të dalë të kërkojë falje. Edhe kur kjo çështje të zgjidhet dhe të marrë verdiktin, ky nuk do të dalë të thotë “e pata gabim”. Në këtë rrëmujë, ky nuk shton asgjë më shumë. Unë dua të sqaroj disa gjëra teknike për të gjithë, lidhur me të ashtuquajturën pajisje përgjimi. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë pasur kurrë, sa jam unë në detyrë, nuk ka dhe nuk mund të ketë me ligj në përdorim një pajisje përgjimi. Nuk kemi përgjuar telefonata, biseda, mesazhe apo komunikime mes qytetarëve. E them me përgjegjësi të plotë dhe nuk shquhem të them fjalë që më pas të më dalin të pavërteta. Mbaj përgjegjësi për atë që them para publikut dhe para institucioneve. Ka një të vërtetë, që Policia e Shtetit me partnerët kryejnë trajnime që ndihmojnë këtë të fundit të zhvillojnë më mirë punën dhe luftën kundër krimit.

Cfarë është kjo?

Saimir Tahiri: Në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, që është firmosur nga Bujar Nishani, Policia e Shtetit me atë italiane firmosin atë për të dhënë ndihmë për policinë tonë. Jo vetëm ajo italiane, por edhe ato amerikane po përpiqen të na ndihmojnë për ta bërë punën sa më mirë. Ne kemi kërkuar vazhdimisht që agjencitë ligjzbatuese më të shquara në botë, FBI dhe DEA, të vijnë dhe të kenë prani fizike në Shqipëri, të punojnë në zyra me punonjësit tanë të policisë, ka qenë kërkesë e jona. Trajnimi duhet të jetë duke mësuar gjatë punës, e jo të ishte didaktik. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, hyn në punim edhe përdorimi i një pajisjeje, që tregon se cilat janë numrat e telefonave që funksionojnë në një zonë të caktuar. Pajisja është si të marrësh numratorin e telefonave fiks. Duke qenë se numrat celularë janë të tepërt, duhet që policia të shohë se kush ka një numër telefoni në një zonë të caktuar. Ju e keni dëgjuar shpesh që Policia e Shtetit bllokon ndonjëherë valët e telefonave, siç ndodh nëpër burgje, ku bllokohen thirrjet. Kjo pajisje gjendet në përdorim në çdo polici të botës, por ne nuk e kemi sepse na mungon buxheti. Shpresoj shumë që ta kemi një ditë dhe do luftoj për këtë, por fatkeqësisht nuk e kemi. Partnerët italianë kanë ardhur dhe po u mësojnë policëve shqiptarë sesi ta përdorin në të ardhmen kur ta kemi. Ajo nuk ta ofron mundësinë teknike për të përgjuar mesazhe apo komunikimet. Ajo pasqyron vetëm numrat në një zonë të caktuar dhe është përdorur edhe përpara se të bëhesha unë ministër.

Domethënë është firmosur nga ish-ministri i Brendshëm Bujar Nishani?

Po, është marrëveshje kuadër me Italinë dhe policinë italiane, që ne po shohim ta bëjmë më funksionale. Sot që flasim, Policia e Shtetit nuk ka një pajisje që e mundëson qoftë edhe teknikisht përgjimin. Pajisja që kanë sjellë misioni italian për trajnim, që do të largohen kur të mbarojë trajnimi dhe teknikisht nuk e ofron mundësinë e përgjimit.

Qoftë edhe për qëllime trajnuese, kjo pajisje nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, nuk e ka nevojën e lejes nga Prokuroria?

Jo, fare. Aspak, kjo vetëm sa gjen se cilët numra janë në funksionim. Nuk ka asgjë nëse dalin numrat e politikanëve që kanë numra në përdorim në një zonë të caktuar. Këtë mund ta bëja edhe manualisht, të gjeja numrin e Nishanit apo të kujtdo tjetër. Unë numrin tim personal e kam publikuar në çdo komisariat dhe marr me qindra mesazhe çdo ditë.

Kur vjen një pajisje e tillë, qoftë për trajnim, normalisht duhet të ketë një shpjegim se ku mund të përdoret dhe si mund të përdoret. Edhe trajnimi nuk mund të bëhet pa leje. Dikush duhet ta thotë nëse diçka e tillë është e ligjshme të përdoret. Edhe armët që dalin për qitje apo stërvitje, edhe ato regjistrohen. A ka një fletë shoqëruese që është futur diku dhe është regjistruar diku? Nishani thotë që ajo ekziston, por nuk dihet nëse është e ligjshme apo jo? Është tërësisht e ligjshme, sepse është pajisje nën natyrën e Policisë dhe në funksion të përmbushjes së detyrës. Me të dhënat përkatëse dhe të gjitha informacionet shoqëruese. Pra është e regjistruar si pajisje?

Fatmirësisht të gjitha detajet e kësaj çështjeje do të sqarohen nga një hetim i Prokurorisë. Unë e quaj një lapsus të rëndë, por është mundësi e jona për të parë të vërtetën. Shpresoj që Prokuroria të thotë të vërtetën për qytetarët shqiptarë, edhe pse nuk e di nëse do ta bëjë. Ndoshta Bashës apo Presidentit qytetarët do t’i kërkojnë se përse gënjyen gjatë gjithë kësaj kohe.

Unë kam simpati për ata që merren me lodra, por jo kur ky është President i Republikës. Ai nuk do të gjejë lodër në Policinë e Shtetit. Habitem se me çfarë sigurie ka dalë të flasë për atë pajisje. Pres të mësoj se cilat janë institucionet që i kanë thënë për ekzistencën e asaj pajisjeje. Shpresoj që t’i mbledhë sërish ata që doli në konferencë dhe t’u kërkojë edhe atyre të falur. Po Presidenti deklaroi se i përgjonim shtëpinë etj. Ky që nuk pati guximin të shkonte të denonconte në cilindo institucion. Merre me mend shembullim që jemi Presidenti, sepse s’ka besim te policia. Ky e drejton drejtësinë dhe s’ka besim. Presidenti thotë se po e përgjojnë në shtëpi, në zyrë apo ndaj familjarëve, por nuk e denoncoi. Ka merak se drejtësia është e pabesueshme…

Në fakt i është përgjuar i vëllai në një aktivitet totalisht privat.

Për të qenë i sinqertë, unë ndiej vetëm keqardhje për katandisjen e institucionit të Presidentit të Republikës. E dija që do të sillej si patericë e SHQUP-it, por nuk e dija që do të kthehej në lodër e asaj selie.

Keni filluar ta provokoni pak rëndë Presidentin e Republikës? Duket sikur s’ka rrugë tjetër veçse të mbrohet…

Një njeri që minimalisht po të kishte interes për të vërtetën duhej të më thërriste në zyrë dhe të më pyeste sesi është e vërteta. Ky thërret protestuesit e lodrave të liqenit, grupet e interesit të çfarëdollojshme, por nuk thërret ministrin e Brendshëm. Me çfarë garancie del edhe thotë që ai e di se ka pajisje përgjimi në Policinë e Shtetit? Unë po të ekzistonte diçka e tillë duhej të ikja nga detyra, sepse është shkelje e jashtëzakonshme ligji. Unë nuk vij këtu në studion tuaj dhe të abuzoj me këtë histori. Detyra ime është e shenjtë dhe për sa kohë kam besimin e mazhorancës, nuk kam asnjë minutë të merrem me lojëra. Merreni me mend ku është standardi i së vërtetës në këtë vend, kur Presidenti thotë që ekziston një pajisje përgjimi që ka kërcënuar sigurinë kombëtare. Shumë shpejt, Prokuroria do të gjejë të vërtetën në hetimin e vet. Partnerët do të veprojnë për ta sqaruar këtë çështje, po Presidenti çfarë do të bëjë?

Kur ka ardhur kjo pajisje? Akuzat janë prej më shumë se 6 muajsh dhe ka pasur pretendime se është përgjuar edhe Ilir Meta. Tani flasim për akuza konkrete. Kur ka ardhur kjo pajisje?

Për çfarë ke nevojë të përgjosh Presidentin e Republikës? Më gjeni një motiv se kujt i duhet ta bëjë diçka të tillë. Nuk them që e ka të shkruar në ballë, por ai e thotë vet që është lodër e Partisë Demokratike. Për çfarë duhet ta përgjosh Lulzim Bashën, që fundjavave shkon me pushime në Holandë? Ai e thotë vet dhe nuk ke pse ta përgjosh. Kurse Sali Berisha i thotë në Parlament ato që ka për të thënë, bëri një thirrje antikushtetuese për armët dhe sërish nuk doli asnjë prokuror ta merrte nën hetim.

Sa kohë ka kjo pajisje në Shqipëri?

Këto janë të dhëna që nuk mund t’i marr përsipër sepse mund të gaboj. Duhet të ketë vetëm pak javë dhe çdo detaj teknik sqarohet nga Prokuroria. Them vetëm që identifikon numrat e telefonave.

A i identifikon numrat IMEI të pajisjeve celularë?

Mos më fusni më tepër në detaje, prisni hetimet e Prokurorisë dhe do t’ua bëjë ajo të ditura.

Ka pasur një reagim të mëparshëm për identifikimin e numrave IMEI të aparateve…

S’ka asnjë problem as këtu. Nuk kemi bërë ndonjë çudi që s’e ka bërë ndonjëherë bota. Kjo është praktikisht fabula e çdo gjëje që është ndërtuar mbrapsht dhe për këtë shkak duhet ta rindërtojmë. Sa i përket IMEI-t, asgjë nuk është jashtë normales. Në çdo vend të botës aparati është i regjistruar në kompaninë që e shet dhe ti nuk mund të blesh ndonjë në treg të zi. Të gjitha bëhen për të pasur garanci në luftën kundër terrorizmit, ashtu sikurse edhe rregulla fiskale. Ne gjetëm një treg të pakontrolluar. Kemi gjetur bomba me telefon që kanë ndodhur vetëm për këtë shkak, ose që i favorizon. Në botë ka një sistem kontrolli, por që s’do të thotë që ata hyjnë në privatësinë e personave. Edhe regjistrimi i IMEI-t nënkuptonte krijimin e një baze nga zeroja për të regjistruar të gjitha telefonat, duke ndarë pjesën e shëndoshë të shoqërisë nga pjesa e kriminalizuar. Me këto veprime, jeta e qytetarëve është e kërcënuar. Nuk besoj se ka prind që nuk e do këtë. Ne duhet të ofrojmë siguri në këtë vend, duke ruajtur balancën me privatësinë, çështje që Europa i ka kaluar me dekada më parë.

Hetimin e Prokurorisë e quajtët një lapsus për këtë çështje, pse?

Është një lapsus i rëndë, që cënon ose kërcënon marrëdhënien e besimit mes dy institucioneve. Kam vënë re dhe vazhdoj ta vë re vullnetin e Kryeprokurorit për t’i forcuar marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Kjo që ndodhi është tërësisht e panevojshme dhe është më e pakta që mund të them. Kur mora detyrën, Policia e Shtetit ishte e mbushur me të korruptuar, me njerëz të lidhur me krimin, që nuk e bënin detyrën, të paaftë dhe përpjekja jonë është kolosale për të përmirësuar punën e Policisë së Shtetit. Ata ishin mësuar të shkelnin ligjin dhe kjo përpjekje nuk ka përfunduar. Në vlerësimin tim, Prokuroria sot është siç e gjeta policinë dje, është realisht një çështje për të cilën unë shqetësohem. Policia e Shtetit është në marrëdhënie shumë të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, por kam parë që edhe vullneti i tij për të reformuar Prokurorinë duket i njëjtë dhe lë të nënkuptohet se marrëdhëniet tona do të forcohen. Nga ana tjetër kemi bërë përpjekje kolosale për të rindërtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët, me FBI-në, me DEA-n. Janë shenjat e para të bashkëpunimit solid me partnerët. Çdo ditë më lë bindjen se ata që qeverisnin dje nuk donin, jo nuk mundeshin, sepse nuk donin që në këtë vend të luftohej kriminaliteti, korrupsioni dhe paligjshmëria në tërësi. Ju e dini që në luftën kundër drogës, ne përdorëm një avion të “Guardia di Finanza”-s. Nuk erdhi ndonjë prokuror të thoshte që ai avion kishte shqetësuar Sali Berishën, kur dilte në breg të detit. Nuk është paraqitur njeri të interesohet për të. Ne mundohemi që me Guardia di Finanza-n, fluturimet ajrore për të kapur mbjelljen e kanabisit, për të koordinuar luftën, ne kemi punuar që pala italiane të na e dhurojë një pajisje të tillë. Të mos jemi më të ngushtuar nga mundësia e tyre për të na ndihmuar. Qeverisja e kaluar nuk pranonte as të merrte në konsideratë fotot që bënte pala italiane. Ndërsa ne i marrim në konsideratë, për të parë nëse punonjësit që shkojnë në ndjekje e bëjnë punën siç duhet apo jo. Edhe kjo që po ndodh cënon marrëdhënien tonë me partnerët ndërkombëtarë.

Pse për sa kohë që ata bëjnë një aktivitet me të gjitha kushtet nën rregull?

Sepse ata vijnë për të na ndihmuar dhe jo për t’u gjendur nën kthetrat e politikës nga SHQUP-i, as me politikën e ditës sonë. Dëshpërimi më i madh sesa të kesh nevojë për Bujar Nishanin në luftën politike, nuk besoj se ka.

Akuza të tilla keni bërë edhe ju kur ishit në opozitë. Përmend zonjën Kodheli që kur erdhi gjeti edhe pajisjen e Shërbimeve Ushtarake.

Në dijeninë time, hetimet janë në një stad të papërcaktuar ose të pezulluar. Koha kur Prokurorisë i pengohej puna, tashmë ka mbaruar prej ardhjes sonë në pushtet.

Dëgjuam edhe ministrin Manjani sot. Jeni në të njëjtën linjë edhe ju me të, sepse sapo thatë që ishte lapsus i Prokurorisë.

Unë nuk thash që do ta pengojmë. Pjesa dërrmuese kujton sesi ata që vranë më 21 Janar 4 të pafajshëm, u strehuan në Kryeministri derisa kamerat e këtij institucioni u fshinë. Këta mendojnë se këtë e bëjmë edhe ne, por nuk e bëjmë dhe nuk na shkon në mend ta bëjmë. As Prokuroria nuk do të pengohet. Çështjet më të rëndësishme janë me nismën e Policisë së Shtetit, për të kuptuar dallimin para dhe pas shtatorit të vitit 2013. Jemi ne që nxisim hetime proaktive, por Prokuroria ka forcuar marrëdhëniet me dhe vazhdon punën. Nuk ka asnjë motiv që të ketë ndonjë pengesë në punën e tyre.

Në komisionin e Sigurisë, Luan Rama e cilësoi skandal, nëse kjo do të ishte e vërtetë.

E mbështes edhe unë, i tillë do të ishte po të ishte i vërtetë. Jam këtu për ta thënë me bindje që nuk ka ndodhur dhe sa të jem unë në detyrë nuk do të ndodhë kurrë. Mbaj përgjegjësi vet për gjithçka deklaroj këtu dhe çdo veprim të çdo instance në Ministrinë time dhe Policinë e Shtetit. Nëse unë jam përpara publikut për të dhënë përgjigje dhe mbaj përgjegjësi vet, ata që dalin edhe akuzojnë dhe pretendojnë ekzistencën e një pajisjeje përgjimi, çfarë do të bëjnë nesër? A do të kërkojnë falje? U bëj thirrje qytetarëve vetëm të mbajnë mend dhe t’u drejtojnë gishtin e turpit këtyre njerëzve.

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë kërkoi nga ju, Kryeprokurori dhe kreu i SHISH të flasin përpara komisionit.

Sigurisht që do të shkoj dhe do të flas gjithçka di.

Është folur se mes Ministrisë së Brendhsme, Policisë së Shtetit ka pasur shkopinj nën rrota kur vjen puna te arrestimi i Shullazit. Ka pasur me të vërtetë një përplasje? Kryeministri Rama e hodhi poshtë diçka të tillë.

Absolutisht nuk ka pasur përplasje. Ne përkundrazi kemi bashkëpunuar.

Erion Braçe thotë se Prokuroria i është drejtuar Ambasadës amerikane për të kërkuar informacione nga “Interforce”, a do të ketë bashkëpunim edhe nga pala italiane?

Nëse Prokuroria e ka bërë diçka të tillë, e përgëzoj sepse do të nxjerrin të vërtetën në dritë.

Kjo pajisje ka ardhur nga italianët para pak javësh dhe do ta marrin sërish kur të mbarojnë. Nga ka hyrë kjo pajisje?

T’i lëmë prokurorët të bëjnë punën e tyre, ata do të hetojnë dhe do t’i japin përgjigje publikut. Kam bindjen se do ta bëjnë sa më shpejt që të ndriçojnë këtë ngjarje dhe përtej të vërtetës askush të mos ngrejë dyshime. Nëse Shqipëria është mbushur me idenë se këta përgjojnë, shpresoj që kjo të mos zgjasë shumë. Dua që Presidentit t’i jepet mundësia të luajë me lodrën e radhës, ndërsa unë shpresoj që kjo të sqarohet sa më shpejt, duke kthjelluar hapësirën për të mos i lejuar vetes mundësinë për abuzime. Kemi dëgjuar zotin Alibeaj, por prej nesh nuk keni dëgjuar të flasim për arrestimin e vëllait të tij të kapur me armë në mes të Gjermanisë.

Ju si mazhorancë keni tentuar të bëni një ligj të ri për përgjimet.

Nuk është ekzaktësisht kështu. Kemi kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë mes kompanive të telefonisë, Prokurorisë dhe nesh. Nëse do të lindë nevoja, pritet të kemi një bashkëpunim më të shpejtë nga kompanitë. Ky është kuadri i përgjithshëm për përdorimin e mjeteve speciale të hetimit.

Sa i përket Reformës në Drejtësi, ka pasur diskutime mbi SPAK-un dhe Byronë. A ka një qëndrim të ri dhe të vjetër të mazhorancës për ta vënë Byronën sërish nën Ministrinë e Brendshme?

Kurrë nuk ka qenë e tillë, por nën varësinë e Kryeprokurorit, sepse ai i udhëheq hetimet, ai i dikton, ai u thotë policisë se kur të veprojnë. Byroja nuk ka qenë kurrë nën varësinë time dhe nuk do të jetë. Është keqinformim keqdashës.

Pse policia vonoi disa ditë të bënte një aksion për arrestimin e Balilit, duke i dhënë mundësinë të arratisej?

Ky është rasti i radhës ku abuzimi është aq i madh sa të dallosh të vërtetën nga ato që trillojnë nga SHQUP-i. Sipas tyre, unë jam kryekrimineli dhe të gjithë ata që arrestohen kanë njohje me mua. Nuk e thonë kurrë që Policia e Shtetit i ka arrestuar.

Policia i shkoi në intervistë dhe dështoi ta arrestonte, ndërsa ai sot nuk dihet ku është?

Policia i ka bërë kërkesa të përditshme Prokurorisë dhe intensive për ta arrestuar atë njeri. Megjithatë një njeri nuk mund të arrestohet vetëm pse flet media. Përgjigjen për këtë mund ta japë ai institucion, por Policia i ka kërkuar gjithnjë arrestimin e tij, sepse potenciali për largim ishte i madh. Nëse më pyesni mua tani, u bënë 10 ditë që kur dolën lajmet e para, ndaj dhe është shumë e vështirë që policia t’i qëndrojë nën vëzhgim atij. Policia po bën detyrën e vet dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet. Është një prej punëve më të gjera që kemi bërë në të gjithë historikun e luftës sonë antitrafikantë. Jemi tërësisht të angazhuar për ta çuar përpara këtë punë me partnerët dhe i kemi ftuar vet, përfshi DEA-n. Ndihma jonë ndaj tij për t’u arratisur është aq banale, sa është e pabesueshme.

A ka mandat arresti ndaj tij?

Deri më tani, sa di unë jo. Nuk mund të arrestohet dikush nëse nuk e thotë prokurori. Pra nuk ka pasur një dështim të policisë për ta arrestuar. Pasi doli në lajme se ai nuk shkonte më në punë, policia bëri verifikimet paraprake për ta mbajtur nën mbikëqyrje. Për detajet duhet të pyesni Prokurorinë, sepse e udhëheqin ata hetimin. Masat e policisë vazhdojnë për arrestimin e tij. Hetimet për këtë çështje janë për t’u pasur zili, që qeveria e kaluar nuk do ta kishte bërë kurrë. Këta duan të sulmojnë çdo sukses që arrin policia, i është bërë traditë.

U akuzua edhe një ish-kolegu juaj, Koço Kokëdhima, se kishte pasur lidhje dhe njohje me Balilin?

Unë kam një vlerësim timin lidhur me këtë çështje, që duhet ta ndaj me ju sa i takon atyre që arrestohen, dhe që të gjithë përpiqen t’u gjejnë teserën e partisë atyre që shkelin ligjin. Unë arrestoj këto që shkel ligjin, pa u interesuar për teserën. Të kujtdo partie në Shqipëri qofshin, kjo nuk do të thotë që partia është e kriminalizuar. Ne duhet të mësohemi të shkojmë me kriminalizimin deri aty ku mban realisht kjo histori. Njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi personale për atë që bëjnë dhe duhet të mësojmë publikun që të mos fajësohet një parti e gjithë pse kapet një person. Kjo nuk ka të bëjë me vendimmarrjen. Partitë duhen vlerësuar për atë që bëjnë me vendimmarrjen politike. Ne duhet t’ua japim përgjegjësinë atyre që e kanë, e që nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve.

Informacionet e shpërndara nga policia flasin për kanabis të mbjellë në Sarandë. Bëhet fjalë për 28 mijë rrënjë kanabis afërsisht. Ju patët deklaruar se pas Lazaratit, Policia kishte nën kontroll rreth 95% të sipërfaqes së vendit. Ai 5% duket se paska qenë në Sarandë, a është kjo koinçidencë?

Ne kemi bërë më shumë sesa Saliu ka bërë në 8 vite bashkë në luftën kundër drogës. Me logjikën më banale, unë që kam shkatërruar më shumë rrënjë qenkam kriminel, ndërsa ai që e linte Lazaratin të lulëzonte, ai s’ka pasur probleme. Policia e Shtetit nuk ngjitet maleve për të parë se ç’bëhet. Sasia e sekuestruar së fundi është në një vend ku duhet të shkosh me informacion për ta gjetur dhe asgjësuar. Në këtë rast policia duhet përgëzuar që e ka marrë informacionin dhe ka shkuar ta shkatërrojë. Saliu e tha publikisht që nuk e bënte luftën ndaj Lazaratit, sepse kishte interesat e tij. Ajo që është shkatërruar deri më sot, është shenjë e punës sonë dhe jo e atyre që flasin.

Prokuroria ka prangosur kryetarin në detyrë të Bashkisë së Peshkopisë, pas videoskandalit të publikuar nga “Ora News” pak ditë më parë. S’ka qenë gjë e lehtë për qeverisjen tuaj apo jo?

Sigurisht ishte një gjë që nuk linte vend për ekuivok, por edhe qeveria mori një vendim që nuk le vend për ekuivok. Mua nuk më vjen mirë me atë situatë, qeveria reagoi menjëherë.

Presidenti tha që ende nuk e kishte marrë vendimin për shkarkimin e tij, ndërsa ai tha se do ta ankimonte atë vendim.

Nuk e them dot që neveritem edhe nga këta që bëjnë moral në publik, duke njollosur me dashje të gjithë forcën politike, pse dikush bëri atë që bënte dhe mori atë që meritonte. Është e padrejtë që për të tilla veprime, të turpshme, të sikletshme apo kriminale, fatura të shpërndahet në të gjithë ata që historia ua ka dhënë të ndajnë kohën dhe luftërat e përbashkëta. Unë e dënoj atë që ndodhi, nga sjellja në detyrë, nga raporti me qytetarët, nga respektimi i ligjit, nga parimet që duhet të ketë një funksionar shteti, por nga gjyqi i panevojshëm për t’u bërë në publik e deri te baltosja e një force të tërë politike, kjo nuk shkon. Dalin një sërë njerëzish që drejtojnë gishtin te një parti, sa herë del një njeri që shkel ligjin dhe arrestohet. Kur vjen puna te raporti me ligjin, secili mban përgjegjësi individuale.

A ka një kandidaturë e majta për zgjedhjet që do të zhvillohen atje?

Jo, nuk ka. Eshte ende heret per kete.

Nuk është sekrete që ky emër nuk ka pasur mbështetjen nga partitë e koalicionit. Ka pasur përplasje shtatorin e kaluar, kur u zgjodh kryetari i Qarkut të Dibrës, kur LSI-ja bashkoi forcat me PD-në për të zgjedhur një kryetar demokrat qarku? Thuhet që humoret e koalicionit nuk janë aq të mira kohët e fundit.

Humori i dy partive gjykohet nga vendimmarrja në Parlament, në Qeveri apo në çdo instancë që drejtojnë ata. Kjo është një zhurmë e panevojshme në publik për veprimet rutinë brenda koalicionit, i cili duhet të gjykohet për vendimet që marrin në favor të të gjithëve. Do të shqetësohem vetëm kur vullneti në Parlament të pësojë çarje, por vullneti i tyre deri më sot është që ta çojnë Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe më shpejt për të kapur trenin drejt integrimit europian.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: