“Nuk ka asnjë pajisje përgjimi në polici”, deklaroi të hënën, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Ka një të vërtetë, që Policia e Shtetit me partnerët kryejnë trajnime që ndihmojnë këtë të fundit të zhvillojnë më mirë punën dhe luftën kundër krimit. Në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, që është firmosur nga Bujar Nishani, Policia e Shtetit me atë italiane firmosin atë për të dhënë ndihmë për policinë tonë”, u shpreh në emisionin ‘Top Story”, ministri Tahiri.
“BalkanWeb” siguron dokumentet e marrëveshjes të firmosur me italianet në vitin 2007, kur ministër i Rendit ka qenë Bujar Nishani.

Sipas ministrit, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga Nishani, hyn në punë përdorimi i një pajisje trajnimi, që identifikon numrat në një zonë të caktuar.
“Në bazë të kësaj marrëveshjeje, hyn në punim edhe përdorimi i një pajisjeje, që tregon se cilat janë numrat e telefonave që funksionojnë në një zonë të caktuar. Pajisja është si të marrësh numratorin e telefonave fiks. Duke qenë se numrat celularë janë të tepërt, duhet që policia të shohë se kush ka një numër telefoni në një zonë të caktuar. Ju e keni dëgjuar shpesh që Policia e Shtetit bllokon ndonjëherë valët e telefonave, siç ndodh nëpër burgje, ku bllokohen thirrjet. Kjo pajisje gjendet në përdorim në çdo polici të botës, por ne nuk e kemi sepse na mungon buxheti. Shpresoj shumë që ta kemi një ditë dhe do luftoj për këtë, por fatkeqësisht nuk e kemi. Partnerët italianë kanë ardhur dhe po u mësojnë policëve shqiptarë sesi ta përdorin në të ardhmen kur ta kemi. Ajo nuk ta ofron mundësinë teknike për të përgjuar mesazhe apo komunikimet. Ajo pasqyron vetëm numrat në një zonë të caktuar dhe është përdorur edhe përpara se të bëhesha unë ministër”, tha Tahiri.

Kjo është marrëveshja e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, që mban datën 19 qershor 2007, për luftën kundër kriminalitetit.

Në nenin 5 të marrëveshjes përcaktohet shkëmbimi i eksperiencave dhe kurset e trajnimit. Kjo po zbatohet aktualisht me pajisjen teknike, në trajnimin që po kryen policia shqiptare.

Si mëposhtë dokumentet e marrëveshjes për trajnimet me Italinë qw u firmoswn nga ish-ministri i Brendshëm Nishani.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb