TIRANE – Duke iu referuar përgjigjes së autoriteteve italiane lidhur me të ashtuquajturën pajisje përgjimi, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ironizoi Presidentin e Republikës, i cili sipas tij ka nevojë ta mbrojë dikush, pasi është në ditë të hallit.

“Ky “skandal” mori një përgjigje, nga ministria e brendshme italiane, drejtuar prokurorisë. Kush do t’i dalë në mbrojtje Presidentit të Republikës se është në ditën e tij të hallit. Që shkuli me alarm të madh e të vogël në Shqipëri se policia po përgjon. Unë prisja të thoshte më falni u ngatërrova, mora një informacion gojor dhe dola bëra një prononcim publik. Por presidenti doli sot për hallet e SHQUP-it. Si mund të rrijë ende në detyrë presidenti, kur lëshoi alarmin se policia përgjoka në mënyrë të paligjshme dhe i thotë publikut është cënuar siguria kombëtare dhe këtë e kam me thashetheme. Tani që autoritetet italiane e përgënjeshtrojnë, çfarë do bëjë Presidenti i Republikës”, deklaroi Tahiri.

Ministri Tahiri tha se kriminalizimi i Kuvendit nuk është në interes të askujt, pasi krijon destabilitet, dhe prish imazhin e vendit. Sa i takon debatit për pajisjen e përgjimit, Tahiri tha se u bë për të penguar reformën në drejtësi.

“Presidenti duhet të priste hetimin e pastaj të fliste, e të mos terrorizonte të madh e të vogël. Kujt i intereson që të krijohet kjo klimë në vend. Kujt i leverdis që këtu në foltoren e Kuvendit të kriminalizohet kushdo e të bëhet kjo situatë. Askujt. Duhen disa standarde për të gjithë ne. Kujt i shërben që këtu në foltoren e Kuvendit, të SHQUP-it, apo Presidencës, e të kriminalizojnë këdo pa asnjë lloj lidhje. Ka shumë rëndësi të ruajmë integritetin e atyre që kanë integritet, që të mund të luftojmë ndaj atyre që nuk kanë integritet. Duhet të japim shembullin se Shqipëria mund të bëhet. Ia thashë edhe deputetit Blushi, nuk mjafton denoncimi këtu në Parlament, por në Polici e prokurori. Duhet të forcojmë institucionet. E gjithë kjo u bë që të vonohej reforma në drejtësi. Ja u vonua edhe një javë. Po pastaj çfarë do thoni tjetër”, tha ministri Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, historia e përgjimeve u përhap me synimin e vetëm për të shtyrë reformën në drejtësi.
“Nëse e fituat një javë kohë me historinë e përgjimeve, ju dha dhe një dorë presidenti për të shtyrë reformën në drejtësi, tani çfarë do bëni. Hajde miratojmë reformën në drejtësi në tavolinë e keni. Aaaaa pasi të iki unë, shpresoj të mos jetë kusht tjetër zyrtar i SHQUP-it ky. Nëse s’keni kurajo të thoni nuk e duam reformën të paktën mos nxirrni historira që lebetitën presidentin, shqiptarët dhe botën mbarë.”- u shpreh ministri Tahiri.
(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb