Përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane Hans-Joachim Lanksch reagon mbi debatin për librin me poezi erotike “Vrima” në një letër që i dërgon poetes Rita Petro. Prej së dielës së kaluar, plot një javë më parë, debatet mbi çmimin “Lumo Skëndo”, i cili shkoi për poezitë e Petros, nuk kanë reshtur.
Vetë ajo i cilësoi mllefe, ndërsa Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare që e vlerësoi me çmim, tha se
lexuesit nuk duhet të kompleksohen, pasi poezitë të hapin mendjen. Më herët, Petro qe shprehur për “GSH” se “ato që janë shkruar me shumicë në rrjetet sociale nuk janë kritika, por mllefe, mllefe
të njerëzve të cilët u shfrytëzuan nga një ‘censurë diktatoriale’. Shikoni, diktatorët gjithnjë
për të qëndruar në pushtet nuk kanë përdorur vetëm pushtetin, por më së shumti ndikimin te psikoza e turmës.
Në këtë rast ‘diktatori’ media (disa të tilla) drejtpërsëdrejti e acaruan këtë turmë, e cila përbëhet jo vetëm nga njerëz të pakulturë, por këtyre shumë shpejt iu bashkëngjitën grupi i atyre që shkruajnë
gjithnjë për inate politike, grupi i atyre që janë aktivë në fushën e letërsisë e ndihen të konkurruar dhe, së fundi, grupi i njerëzve që kanë shije tjetër për letërsinë. Këta të fundit do t’i respektoja
për mendimin ndryshe dhe të argumentuar.” Më poshtë po botojmë letrën e Hans Joachim Lanksch dërguar poetes.

LETRA
E nderuar znj. Petro, Më shqetësojnë reagimet dhe keqinformimet rreth librit dhe çmimit që mori libri. Më vjen keq, se ju mbysin me akuzime dhe sharje injorantët që:
a) as nuk i hodhën një sy librit dhe që;
b) nuk dinë dot se ç’do të thotë termi “bibliofilik”.
I njorantët e paraqesin punën sikur teksti i stërcituar për heqjen e brekëve ta ketë fituar çmimin dhe
sikur tërë libri të përbëhej vetëm nga tekste për organet seksuale. Mu në kohën kur shpërtheu “shitstorm”-i kundër jush, librit dhe çmimit, disa media shqiptare me shkrim botuan një “artikull” për gjatësinë mesatare të penisit te shqiptarët.
S’kishte asnjë revoltim kundër asi shkrimi më se i tepërt dhe budallaq. Në këtë mes më vjen paksa keq që ju në libër e keni fjalën për “p…sin’ dhe jo për ‘k…’ Njerëz me mendësi “të shëndoshë” përditë nervozohen për seksualizimin e mediave dhe, njëkohësisht, u bëjnë sehir çupave gjoksmëdha, që na i servirojnë përditë në media *)….Mua më shumë më shqetëson pornografia e një lloji tjetër: ajo patetike patriotiko-kombëtaristoshqiptariste… Znj.Petro, Ju uroj nerva të forta dhe gjakftohtësi ndaj – siç e thatë ju – mllefeve! Ju përshëndes, Hans-Joachim Lanksch.
(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb