NGA: FATMIRA NIKOLLI
Një punë e Mrdjan Bajic (Mergjan Bajic) një skulp tor nga Beogradi, mik i Edi Ramës që nga vitet e Parisit zë vend në ballë të kopertinës ku me “shkrim dore” shkruhet në serbisht “Flijim”. Është kopertina në gjuhën serbe e librit “Kurban” të kryeministrit, libër që u shkrua pasi ai humbi Tiranën si kryebashkiak. Ballina, paraqet poshtë emrit të tij, një”kukull” të rrëzuar mbi një tryezë pune. Të dhënat për veprën në kopertinë janë këto: Mrdjan Bajic, titulli “Daddy’s Gift”, 2013. Materiale të përziera, përmasat 15 x 17 x 10 cm. Galerie RX, Paris. Përtej ballinës, brendia flet në një gjuhë tjetër realitetin shqiptar, që për çudi duket se ndër vite pak ka lëvizur. “Kur shkruaj në gjuhën shqipe, unë emrin e tim e shqiptoj Gjorgje Bozhoviq”.

Kjo është fjalia hyrëse që shoqëron intervistën e përkthyesit Djordje Bozovic, intervistë, pyetjet e së cilës kanë pritur gjatë në postën e tij, ndërsa Gjorgje i jepte jetë në gjuhën serbe “Kurbanit” të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërsa libri do të promovohet në mestetor në Beograd, Bozhoviq vjen në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” ku tregon si është lexuar libri atje, cilat janë ngjashmëritë mes serbëve e shqiptarëve, ku ka pasur vështirësi në përkthim, si u vendos titulli “Flijim” nga vetë Rama. “Kurbani’ duhet të lexohet në Serbi jo për shkak të dallimeve që ekzistojnë, natyrisht midis Serbisë dhe Shqipërisë si vende të ndryshme, por në radhë të parë për shkak të ngjashmërive që s’janë të rralla”, thotë Bozhoviq, mbasi ka treguar se e ka mësuar shqipen në Degën e Albanologjisë në Beograd, ku tanimë është asistent ligjërues. “Nuk është aspak e lehtë”, thotë ai për përkthimin e Ramës, “më shumë për shkak të vetë gjuhës dhe të stilit që Rama përdor, i cili është mjaft elokuent e poetik, gjoja barok, fjalitë janë jashtëzakonisht të gjata e shumë të përbëra, ka dhe mjaft neologjizma dhe metafora. Por detyra e përkthyesit është t’u përgjigjet sfidave të tilla”.

Si tingëllon për ju të përktheni librin e kryeministrit?
Unë e shoh si privilegj të qenit i pari që mund ta lexojë dhe t’ia transmetojë publikut në Serbi. Si me çdo përkthim tjetër, unë kënaqem me faktin se librat janë duke u përkthyer, sidomos, sepse me sa duket, në letërsi ekzistojnë sot të vetmet lidhje dhe bashkëpunimi kulturor mes dy popujve tanë.

– Cilat janë pritshmëritë tuaja mbi këtë libër në Beograd? Edi Rama njihet atje, sepse ka qenë në një takim me kryeministrin tuaj dhe më pas pati një debat të gjerë për ndeshjen e futbollit. Si do të lexohet libri atje? A mendoni se ka njerëz që nuk e duan në serbisht librin e tij? Dua të them, a do të ndërhyjë nacionalizmi në fatin e librit?
Mendoj se, fatkeqësisht, ndërhyrja e nacionalizmit është e pashmangshme në kontekstin politik që kemi sot, por “Kurbani” i Edi Ramës nuk duhet lexuar dot në atë kontekst. Ky libër është në radhë të parë një dëshmi individuale për një periudhë të trazuar të historisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, pavarësisht se autori i tij është një politikan dhe kryeministri aktual, por në këtë libër ai paraqitet më shumë si një artist-shkrimtar, si dhe një luftëtar i devotshëm për mirëqenien e një qyteti ku jeton dhe krijon. Nga ky këndvështrim ai mund të lexohet edhe në Serbi si dhe kudo në botë.

– A është e vështirë ta përkthesh atë, ajo çfarë në Shqipëri mund të tingëllojë e qartë, në serbisht mund të dojë shpjegime. Çfarë mendoni për stilin e tij të të shkruarit? A është i zakonshëm për një politikan?
Po, nuk është aspak e lehtë, më shumë për shkak të vetë gjuhës dhe të stilit që Rama përdor, i cili është mjaft elokuent e poetik, gjoja barok, fjalitë janë jashtëzakonisht të gjata e shume të përbëra, ka dhe mjaft neologjizma dhe metafora. Por detyra e përkthyesit është t’u përgjigjet sfidave të tilla.

– Ku keni pasur vështirësi (në përkthim)?
Për shembull, edhe titulli vetë doli si vështirësi për t’u përkthyer saktë, për të cilin kishim edhe një debat të frytshëm me botuesin beogradas të librit, Veran Matiqin, si dhe me përkthyesin e njohur dhe me përvojë, Shkëlzen Maliqin. Fjala “kurban” ka shumë nuanca të ndryshme kuptimore, që medoemos humben sido të përkthehet në serbisht, pasi në gjuhën serbe nuk ekziston një fjalë e tillë. Më në fund, vetë Rama e propozoi që titulli serb i librit të tij të jetë “flijimi”, domethënë me kuptim vepror të emrit.

– Si e ke mësuar shqipen?
E kam studiuar gjuhësinë e përgjithshme me gjuhën shqipe në Universitetin e Beogradit, ku jam duke punuar tani si asistentligjërues. Dega e Albanologjisë e këtij Universiteti është njëra ndër më të vjetrat në botë, e cila ka një traditë gati njëshekullore, pasi u themelua në vitet e 1920-ta. Çdo vit këtu regjistrohen rreth 15 studentë të rinj, dhe në mesin e tyre ka edhe shqiptarë prej Shqipërisë, natyrisht dhe ata prej Serbisë, me origjinë kosovare, por shumica janë serbë.

– Cili është imazhi i Shqipërisë përmes librit? Po vetë autori? Dua të them se ju e kishit një imazh për Shqipërinë dhe kryeministrin tonë. Tani, pasi keni lexuar këtë libër, a ka ndryshuar ai mendim? A keni ndryshuar mendim mbi të dhe mbi vendin tonë? Pse duhet ta lexojnë serbët këtë libër, cilat janë këshillat tuaja?
Kjo është më e rëndësishmja. “Kurbani” duhet të lexohet në Serbi jo për shkak të dallimeve që ekzistojnë, natyrisht midis Serbisë dhe Shqipërisë si vende të ndryshme, por në radhë të parë për shkak të ngjashmërive që s’janë të rralla. Manipulimet politike dhe mediatike, tensionet partiake, kufizimet e lirive, shpenzimet dhe shpërdorimet e të mirave publike, ndotja e mjedisit, vjedhja e votës së popullit dhe të gjitha çoroditë, rrëmujat e marrëzitë që përshkruhen nga Rama përjetohen sot edhe në Serbi, sikur të ekzistonte një model i unifikuar sipas të cilit u mësuan të sillen, të flasin e të punojnë të gjithë politikanët tanë. Madje bëhesh i vetëdijshëm për shumëçka që s’kishe konstatuar më parë vetëm kur të lexosh se si bëhet e njëjta gjë në fqinjësi. Mendoj se këtu gjendet edhe vlera më e madhe e “Kurbanit” të Ramës për publikun në Serbi.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb