KOSOVE-Edhe pse ishte një ndeshje miqësore, përfaqësuesja e Kosovës ka gjetur më në fund fitoren pas një viti e gjysmë, pasi ka mundur Letoninë me rezultatin 4-3. Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në stadiumin ‘Adem Jashari’ u mbyll me rezultatin 2-2. Goli i parë i ndeshjes erdhi nga mysafirët dhe u shënua në minutën e 11-të me anë të mesfushorit Glebs Kluskins.

Megjithatë, gëzimi i letonezëve zgjati vetëm dy minuta, pasi në minutën e 13-të ishte mbrojtësi Amir Rrahamani, i cili shënoi me kokë duke çuar shifrat 1-1.

Miqtë arritën përsëri të kalojnë në epërsi në minutën e 30-të me anë të sulmuesit Valerijs Sabala, i cili çoi rezultatin në 2-1 pas gabimit të Samir Ujkanit. Deri në fund të pjesës së parë Kosova arriti të bëjë trysni edhe më shumë dhe të gjejë golin e barazimit në minutën e fundit, pasi Vedat Muriqi shënoi me kokë dhe çoi shifrat e barabarta 2-2 pas harkimit të saktë nga këndi të Besar Halimit.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Kosovën, por përsëri ishin mysafirët që shënuan të parët. Ishte mesfushori Glebs Kluskins që shënoi golin e dytë pas një goditje të fortë nga distanca në minutën e 59-të dhe coi shifrat në 3-2.

Në vazhdim të ndeshjes, trajneri Muharrem Sahiti bëri disa ndryshime duke u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj si Lirim Kastrati, Suad Sahiti dhe portierit Bledar Hajdini. Loja e Kosovës ndryshoi paksa duke bëri disa sulme të vazhdueshme, por goli i barazimit erdhi me fat vetëm në minutën e 85-të dhe rezultati shkoi në 3-3.

Ishte Elbasan Rashani, i cili u godit me top në shpinë nga një mbrojtës i Letonisë dhe topi përfundoi pas shpinës së portierit.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte ishte mesfushori Besar Halimi, i cili shënoi në minutat shtesë duke çuar shifrat në 4-3 dhe kështu pas 90 minutave ndeshja përfundoi me fitoren e Kosovës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: