FIER – Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka kërkuar sot Kryeministrit të shpallë gjendjen e emergjencës në zonat e përmbytura në jug të vendit, pasi ka inspektuar fshatrat e Fierit, Darëzezën e Ferrasin dhe fshatin Fitore të Vlorës.

Basha është takuar me banorët, që tashmë kanë braktisur shtëpitë nën ujë dhe kanë humbur thuajse gjithë gjënë e gjallë dhe në Darëzezë ka vërejtur se aty mungon shteti. “Duhet të shpallet gjendja e emergjencës”, – ka deklaruar ai. – Prioritet i Qeverisë të jenë njerëzit dhe gjëja e gjallë.


Rama duhet të zgjohet nga gjumi.” Më pas, duke postuar pamjet nga ky fshat në rrjetet sociale, për të sensibilizuar opinionin, Basha ka hedhur dhe përshkrimin: “Në Darëzezë me banorët e përmbytur, të cilët thonë se nuk ju ka ardhur askush në ndihmë deri tani. Niveli i ujit vazhdon të rritet në shtëpitë dhe oborret e tyre. Dhjetëra familje janë përmbytur tërësisht, fëmije, pleq e të sëmurë janë të izoluar nga uji. Ka mungesë uji të pijshëm dhe ushqimesh bazë për njerëzit dhe bagëtinë. Dëme masive materiale.”

Më pas, Basha ka ndalur në Ferras, ku duke parë shkatërrimin, është shprehur: “Në Ferras, gjysma e shtëpive janë nën ujë. Të tjerat, me dëme të mëdha në gjënë e gjallë, orendi, veshmbathje, librat e shkollës…Edhe këtu banorët thonë se shteti nuk është dukur. Pa uje, pa ushqim, pa energji. Fshatrat Boçovë dhe Bashkim janë tërësisht të izoluara. Ku do të flemë sonte? Me çfare do të ushqehemi? Ç’të bëj me fëmijët? Pyetje të banorëve, që nuk ka asnjë nga autoritetet t’u përgjigjet. Disa ndihma vullnetare u shpërndanë tek familjet më të goditura. Gjendja është katastrofike, por kryeministri nuk shpall gjendjen e emergjencës. Sa merret me opozitën edhe në ditë përmbytje, t’i përgjigjet kërkesës sonë të përsëritur: Çfarë pret zoti Kryeministër që të shpallësh gjendjen e emergjencës?”

Basha ka vazhduar udhëtimin edhe drejt fshatit Fitore të Vlorës. Ndërkohë që ai ka ecur më këmbë nëpër fshat, ka hyrë nëpë shtëpitë e përbaltura, disa banorë të irrituar deklaruan për “News 24” se nuk ende kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb