ITALI- Dy trena janë përplasur në Cagliari, Itali, pranë stacionit “Qendra tregtare”, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra personave. Në gjendje të rëndë dy makinistët.

Në aksident që sipas zjarrfikësve ka ndodhur në shpejtësi të ulët, kanë mbetur të plagosur 57 persona, pjesa më e madhe studentë që po shkonin në shkollë, por asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Nuk është sqaruar ende dinamika e aksidentit dhe arsyeja se pse dy trenat ndodheshin në të njëjtët binarë në drejtime të kundërta.

Komania thotë se ka qenë një gabim njerëzor që ka sjellë aksidentin. “Inxhinierët tanë për momentin nuk janë në gjendje të shpjegojnë në detaje dinamikën, kemi nisur të gjitha hetimet, shpresojmë të mësojmë gjithçka shumë shpejt. Diçka është e sigurt, që ka qenë një gabim njerëzor”, tha administratori i kompanisë së transportit rajonal që drejton edhe shërbimin e metrosë së lehtë, Giovani Caria.

“Shprehim keqardhjen për të plagosurit dhe për operatorët tanë. Një nga makinistët ka mbetur i plagosur rëndë-tha ai- ndërsa të plagosurve u është dhënë menjëherë ndihma e parë, tani po bëhet çfarë është e mundur për të konkluduar me dinamikën e aksidentit”.

Në bordin e dy trenave janë edhe kutitë e zeza, kompania pretendon se mund të zbardhë përmbajtjen.

STUDENTI I PLAGOSUR: KISHIM SHUMË FRIKË
Një student i plagosur ka rrëfyer ngjarjen. “Isha në këmbë në metro kur për shkak të përplasjes kërceva përpara duke përfunduar në tokë, kam thyer një tub ku mbahesh me duar me bark. Kishim frikë, asnjë prej nesh nuk e kuptoi se çfarë ndodhi, po shkonim në sheshin Republika për të shkuar në shkollë”, ka treguar studenti. “Kishte shumë njerëz përtokë- tregon dikush që është prerë në fytyrë ndërsa ka rënë”.

“Kisha kufjet dhe nuk e kam dëgjuar zhurmën që shkaktoi përplasja – thotë një tjetër djalë- jemi hedhur disa metra para duke përfunduar në tokë, por fatmirësisht çanta ka zbutur përplasjen. Kishte njerëz të terrorizuar, kemi hapur derën e emergjencës dhe zbritëm, ishim shumë të trembur”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: