Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE- Gazetarja Rudina Xhunga ka promovuar dje në Kryeministri, në qendrën “COD”, librin e saj më të fundit “Edhe një shqip”, një botim ku ajo ka përmbledhur më të mirën e “Shqip në Top Channel”, emisionit që ideoi e drejtoi për 13 vjet. “31 intervista dhe debate historike, që sollën debatin ndryshe në Shqipëri. Personazhe ekskluzive që nisin me Kadarenë në Izrael dhe përfundojnë me Michel Houellebecq në Paris. Një libër, që autorja ia dedikon publikut të një emisioni ku u angazhuan mendjet më përfaqësuese shqiptare dhe emrat me më tepër ndikim bashkëkohor”, siç shprehej Dritan Hila, bashkëshorti i saj.

Takimi i djeshëm në “COD”, më shumë sesa promovim ishte një aktivitet që ndërthuri performancë baleti, një projeksion filmi për Michel Houellebecq dhe pati në qendër një bashkëbisedim mbi komunikimin e Shqipërisë me botën, hapjen dhe format e dialogut e bashkëpunimit që transformojnë njëkohësisht imazhin tonë dhe mbarë botën shqiptare. Të ftuar ishin përfaqësues të botës së medias, akademisë dhe artit. Në panel kryesor ishin shkrimtari Kim Mehmeti, Mimoza Kusari-Lila, Pirro Misha. Takimi u moderua nga Rudina Xhunga, autore e librit “Edhe një Shqip” (UET Press), e cila solli një “tjetër emision”, këtë herë në Kryeministri, ku nuk mungoi as Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në takim, më shumë se për librin u fol për Shqipërinë dhe shqiptarët. Po botojmë më poshtë pjesë nga fjalët e mbajtura, batutat mes pjesëtarëve të panelit.

BATUTAT NE KRYEMINISTRI
Rudina Xhunga: Kërkova të promovoja librin këtu dhe më thanë, po, është e mundur, sepse ‘COD’ është një qendër për hapjen e bashkëbisedimin. “Edhe një shqip” është një libër që i kushtohet komunikimit, hapjes e intervistave me njerëz që vijnë nga botë afër dhe larg, Shqipëria, Tirana, Shkupi, Tetova, Gjakova, Europa e më gjerë. Nga biseda me shkrimtarin Michel Houellebecq kujtoj se më pyeti, “ju keni harmoni fetare, pse nuk lulëzoni?”.
Kur u futëm këto në bibliotekën e “COD”, ishte Rama që na caktoi vendet ku të uleshim. Unë e njoh Ramën kur isha 20 vjeç e punoja për gazetën “Aleanca”. Unë i shkoja nga pas dhe i thosha, zoti Rama, “zoti Rama, ç’do bëni për Shën Valentinin”, dhe nuk më ktheu përgjigje. Të nesërmen, shkoj prapë dhe vë syze që t’i dukesha gazetare serioze, të më merrte seriozisht. Sot nuk ka respekt për syzet, por dikur kishte shumë respekt, dhe ai më thotë “pse qenke bërë si Qemal Stafa?”. Këto batuta s’më kanë penguar ta pyes në vazhdim, ai u bë ministër Kulture e më pas kryetar bashkie, e sot kryeministër, unë vazhdoj e pyes.
Kam këtu kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilën. Kur mësova për atentatin që do i bënin, i shkrova dhe i thashë “mos u dorëzo”. Më bën përshtypje se si krimi ia del të gjejë gjuhën ndërsa elitat jo, në komunikim, në bashkëpunim e në zhvillim. (Kusari Lila nga ana e saj e vuri theksin te roli i emisionit “Shqip” sa u takon shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ndërsa Pirro Misha foli për vlerat e librit, galerinë e personazheve. Xhunga rikthehet të hënën në ekran, duke sjellë emisionin “Dritare” në orën 21:00 në “Vizion Plus” pas shkëputjes nga “Top Channel”.)

Kim Mehmeti: Deri vonë nuk është ditur se në Maqedoni s’ka shqiptarë dhe mua më thoshin maqedonasit, ti je i mirë, ti je si ne. Kjo më bezdiste sepse shqiptarët të mirë janë, pavarësisht se sa arrijnë. Edhe kur erdha në Shqipëri, më thoshin ti nuk je si ata, ti je si ne. Dhe më vinte keq, se edhe shqiptarët e tjerë janë si unë. Nuk na kemi njohur e nuk na keni vlerësuar. Por ne e kemi një të keqe. Kur shkojmë jashtë ne jemi të sjellshëm, ndërsa këtu jo. Duhet të jemi të pëlqyer për veten e më pas për botën. Bota e huaj është e magjepsur nga politikanët tanë, sepse edhe ata kur shkojnë andej sillen ndryshe. Më kujtohet një herë që i thashë Artur Zhejit, përshëndete Edin e thuaj nga Kimi, duke qenë i sigurt se ai do thotë “po, përshëndete Kimin nga unë”. Edi nuk e tha e unë u ndjeva keq. Tani, unë dua që Tirana e Shqipëria zyrtare të marrë rolin që i takon, se ne na intereson një Shqipëri e konsoliduar. E kam ditur që kur të bëhet Rama kryeministër Shqipëria do marrë tjetër pamje, siç është me pamje tjetër Kryeministria, që ka tani libra e bibliotekë. Më erdhi mirë kur shkoi në Beograd, thashë se doli një shqiptar që nuk qe inferior. Mbase Rama po më urren se fola shumë.
Edi Rama: Unë ëndërroj gjëra të tjera nga ato që ëndërroni ju. Po sqaroj se propozova për vendet (ku u ul paneli) se ky është një takim tipik i Rudina Xhungës, pa plan, po hajt të mblidhemi, pastaj e shohim çfarë do dalë.
Ajo që më solli mua këtu, është se më thanë promovohet libri i Xhungës dhe kemi vendosur të jetë në “COD”. Erdha si i ftuar, se promovohet libri, por po shoh që nuk po promovohet asnjë libër, po shoh Rudinën që po na promovon ne të tjerët. Kimi, po bën atë që bën gjithmonë, po promovon vetveten, Pirro (Misha) po mundohet t’i rrijë sa më larg çdo lloj promovimi e provokimi, ndërsa Moza është në mes e po mendon gjëra që nuk i thotë. Unë jam i kënaqur, se kjo do shërbejë si mundësi që të tjerët të shfrytëzojnë këtë hapësirë (COD) për aktivitete si ky, sepse është hapësirë për publikun. Mund të vini për të promovuar ide e për të sharë qeverinë. Nuk gjykohen mendimet, por sa risi sjell në debat. Nuk e di nëse keni pyetje. Nuk e urreva Kimin që foli gjatë sepse nuk e di pse jam në këtë panel. Ose mund ta pranoj nëse më keni vënë siç viheshin shishet e Koka-Kolës, mbi televizor. Nëse jam si orendi.
Kim Mehmeti: Jo, je këtu për promovimin.
Edi Rama: Jam i lumtur atëherë. Nuk doja të isha në qendër.
(Ndërhyn Kimi)
Edi Rama: Unë s’e kuptoj pse po flet. Ankohesh këtu pse nuk botohet Anton Pashku. Këtu nuk ka ndonjë censurë. Ti, pse nuk e ke botuar Anton Pashkun, meqë paska kaq rëndësi, dhe këtu jam me ty, ke 25 vjet që qahesh, pse nuk e ke botuar? I thoshe Pirro Mishës. Kush do ta bëjë, qeveria? Do ngrihet vetë Antoni e do botohet?
Kim Mehmeti: Maqedonia ka botuar dhjetëra libra të autorëve të saj. Qeveria shqiptare nuk ka botuar asgjë.
Edi Rama: Shumë mirë ka bërë qeveria shqiptare që nuk ka botuar. Ti e di sa i dua unë për qeveritë e shkuara shqiptare, po ka bërë shumë mirë që nuk i ka botuar. Sepse nuk mund ta përcaktojnë qeveritë se cilët janë shkrimtarët që duhen botuar e kush jo. Kjo nuk është punë e qeverisë. Nëse qahesh për të ardhmen, gjysma e së keqes. Nëse qahesh për shqiptarët sot, po të them se s’kanë qenë asnjëherë më mirë se sot shqiptarët.
Kim Mehmeti: Nëse e krahason me kohën e Turqisë…
Edi Rama: Jo, nuk e krahasoj fare me atë periudhë. E krahasoj me kohën tënde, s’kanë qenë më mirë shqiptarët. Nuk është e këndshme që hedhin gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës, por Kosova ka parlament, që nuk e kishte më parë. Ata që artikulonin se Kosova do jetë shtet, dukeshin të çmendur. Edhe nëse nuk e njohim njëri-tjetrin, normale, se nuk kemi qenë bashkë. Pyet gjermanët e lindjes çfarë thonë për të perëndimit dhe anasjelltas. Edhe ata thonë s’janë si ne. Ne kemi shumë të meta, po nuk jemi origjinalë në të meta, të meta kanë të gjithë.
Kim Mehmeti: Unë e di se për ju është kot çdo gjë që thonë të tjerët.
Edi Rama: Ah, e the edhe këtë.
Kim Mehmeti: Ne kemi 25 vite në një gjendje. Që të jesh politikan i mirë duhet të bindesh popullin që të jetë i kënaqur me atë që ka. Unë nuk bëj krahasime me të keqen që kemi pasur po me të mirën që mund të kemi.
Edi Rama: Bëj krahasime, po mos thuaj gjëra që nuk kanë kuptim. Duke qenë shkrimtar, që s’ke gjë tjetër në dorë, veçse të shkruash, e meqë e ke në dorë të shkruash, ke shansin të shohësh e të mendosh gjëra që një njeri si unë nuk ka mundësi t’i mendojë. Na thuaj çfarë duhet ndryshe.
Kim Mehmeti: Ne duhet të kemi politikë kulturore mbarëshqiptare.
Edi Rama: Unë nuk kam ardhur si kryeministër këtu, mos më ndërprit se nuk më komplekson dot. Për herë të parë kemi sistem arsimor të unifikuar me Kosovën, e kupton? E ke imagjinuar ndonjëherë? Kemi kalendar të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë. Çfarë do më shumë?
Rudina Xhunga: Unë nuk kam ëndrra të ngjashme me Edi Ramën. Por në një pikë kemi një ëndërr dhe shpresojmë.
Edi Rama: Pse nuk ke ëndërr të përbashkët me mua?
Rudina Xhunga: Kam të rris fëmijën tim mirë në këtë vend, siç ti do të rrisësh fëmijën tënd mirë në këtë vend.
Edi Rama: Unë mirë që erdha këtu jo si kryeministër. Çfarë do nga unë?
Kimi: Do dorëzohem…
Rama: Do dorëzohesh patjetër, se s’ke ku shkon.
Rudina Xhunga: Mendoj të kalojmë nga projeksioni i filmit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: