TIRANË- Ndërsa për disa orë Kosova feston 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një përplasje duket në horizont mes dy kryeministrave shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama, që po qëndron në Kosovë, në një intervistë në Klan Kosova, ka thënë se mos ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, për një kohë të gjatë, jo vetëm që ka lënë qytetarët e Kosovës pa viza, por ka dëmtuar këtë shtet të ri edhe në politikën ndërkombëtare, veçanërisht te miqtë e saj perëndimor.

Rama ka thënë se Demarkacioni do të duhej të votohej me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro- atlantike të këtij vendi.

“Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”, ka pohuar Rama.

“Demarkacioni do të çlirojë më në fund popullin e Kosovës nga pengesa e tmerrshme e vendosur nga BE-ja për të lëvizur lirisht në Europë, pasi nuk ka qenë e drejt që kjo lëvizje të kushtëzohet me demarkacionin dhe është e turpshme për Bashkimin Europian. Këtë ua kam thënë në sy të gjithëve atyre që kam takuar në BE. Por çështja e Demarkacionit ka edhe një komponent tjetër; ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ka rrezikuar besimin dhe mbështetje e partnerëve strategjikë të Kosovës dhe shqiptarëve, pasi refuzimi për ta ratifikuar këtë marrëveshje është mungesë serioziteti nga Kosova.
Në ndërkohë që miqtë e mëdhenj të shqiptarëve janë të angazhuar në zgjedhjen e problemit real mes shqiptarëve dhe serbëve, demarkacioni është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës që nuk ka asnjë bazë reale dhe që është një padrejtësi ndaj njerëzve të këtij vendi. Por unë kam ndeshur një mur të shurdhër sa herë kam folur për këtë dhe sa herë kam përcjell këtu atë që kam dëgjuar në takimet me homologë në nivelet më të larta të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka deklaruar Rama.

Po e menjëhershme ka qenë përgjigjja nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili i këshillon Ramës të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë. “Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Haradinaj fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb